Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: GANDHI DHE KRISHTERIMI I TIJ

(Forma e vetme dhe pa formë)

Gjithmonë, si shumë kohë më parë, kur kish qenë si ata dhe fshehtas, kish lexuar Gandhin, oh më shumë se lexuar dhe jo vetëm një libër, në kohën kur i urti i madh përmendej më shumë si një frikacak apo mundësi dytësore e panevojshme dhe e papërdorshme, mbas rrëmbimit të armëve, një lënok i një lënokje paburrërie. Rreckë flakur mbi egërsirat që nuk dinin dhe as mund të bënin ndryshe.

“Nuk është një formë, është e vetmja formë…. Është forca më e madhe dhe më lëvizëse në botë. Asnjeri s’mund të jetë i pa-dhunshëm pa vepruar. Një forcë më për të mirë se elektriciteti dhe më e fuqishme se mjedisi i qiejve (ether). Në qendër të pa-dhunës ka një forcë vetvepruese”. Kështu iu përgjigj Gandhi Thurman-it, kur e pyeti se nëse pa-dhuna është një formë e drejtpërdrejtë veprimi.

Thirrmat e egra të hovit ndezur nga padrejtësia dhe bindja se të drejtën e kishin me vete, si çirrmat për mbrojtjen e trevës së gjahut, thellë deri në nënmendje, lidhur ngushtë me etjeurinë dhe dëshirndërzimin e pafre, mund të çonte drejt një përleshjeje të përgjakshme apo dhe akte vandalizmi. Sigurisht, që e shqetësonte kjo jo për nga humbjet njerëzore, (kish arritur në kaq kohë studimesh të justifikohej për të tilla gjëra anësore), si dhe një diç më e fortë e bënte ta urrente këtë ftohtësi kirurgu mësuar me hapje kufomash. Kryesorja ish se një gjë e tillë do ta shuante përfundimisht lëvizjen, në një kohë kur ajo kish më shumë se kurrë nevojë për mbështetjen e të gjithëve pa të cilën do ish e humbur. A ish vallë e humbur? Ku ishin apo duheshin dhe më shumë vite? Dihej lëvizjet pillnin lëvizje!
Ndryshe nga ata përreth, ish ndeshur me dialektikën detyrimisht të mësuar dhe metafizikën e fshehur dhe të ndaluar, s’ish kot që i pëlqenin skutat e errëta, shpellat e shpirtrave të mendjes njerëzore. Si një qenie dykrenash, ku secila shihte në sy tjetrën të grindej a të çirrte me sqepat e brirtë a çaponj ku të mundte, madje dhe çdo mendim të sapombirë të tjetrës, rrekej të qetësonte si njerën ashtu dhe tjetrën dhe prapë s’kish arritur të kuptonte në ishte vërtet apo s’ishte a ç’ishte kjo tepër e veçante që po ndodhte! Dhe pas një muaji!

Pakënaqësia e përgjithshme ishte e shtrirë skaj më s’kaj, por kish përshtypjen se ish shndërruar në një dhimbje që kish humbur thumbin, forcën, në një mpirje që kishe frikë ta trazoje, më mirë ashtu e durueshme. Kish dhe pakënaqësi të përcaktuar si ajo e Teatrit Kombëtar, e cila kish mbetur e varur midis argumentave e pritej të thahej në dimrin pa diell siç donin pushtetarët. Kur një gjë dihej oligarkët kërkonin të bënin para me një kalë të gjorë që po i binin patkonjtë, ta shkulnin të ngulnin një kullë. Megjithë këtë kish munguar dhe mungonte një akt simbolik mosbindjeje. Ideja donte mish bëme. “Unë jam teatri” në celularë s’ish as për teatër. Ulur në atë oborr ndanë asaj pishine pa ujë si bark i zbrazët, për vendasit zhurmëdhenj ish si dasëm pa aheng a lindje pa pushkë. Ata të pakte intelektualë vetëmendje silleshin ta mbronin si zogj korbi. Si mund të luftohej oligarkia e re dhe më e fuqishme me pohime “unë jam”… kur përgjigjej: “Ok ji”! “Aq më bën, zbatoj ligjin”! O të mjerë rrogëtarë nëpunës, që u mbaj me bukë ç’bëni, kafshoni ç’iu ushqehen? Gjithësesi u kish ecur disi. Prisnin dhe ruanin. Nuk do të ishte keq ndërkohë të luhej në atë shesh një dramë fjala vjen “Tregëtari i Venedikut” ku kish edhe një llokmë mishi të prerë ku të donte zoti i tenderit. Pse jo dhe me vargje të tjerë, pse jo vetëm një skenë, pse jo të gjithë bashkë njëzëri aktorë dhe spektatorë? Mosbindje e drejtëpërdrejtë apo jo? Aktorë rebelë revolucionarë. A s’ish i tillë Molieri që talli me shpoti ata që e paguan? Por dhe këtë e thante thëllimi! Ah të ish pranverë!
Ç’i mungonte tjetër? Ah po organizatat? Cilat? Apo ish një pjellë e Lëvizjes për të Drejtat Qytetare, që quhej “Thurrja”, por ç’thurte, sa pasues, në sa qarqe të vendit me ç’program të përcaktuar luftonte? Nuk kish, për të zitë e tyre, mendonin për çdo bashkësi që ish jashtë fisit ish e rrezikshme, mbante erë gjak, as një Komitet të Bashkërendimit Paqësor të Studenteve. Si komb e dinte që përvoja e mëparshme nuk kish qenë asnjëherë e mbarë. Dhe s’kishin pasur asnjë të tillë paqësore, një për be si ajo mbarëkombëtarja e Gandhit. Një mosbindje e popullit pa patriarkë heronj a të huaj, që cysnin të gënjenin për interesat e tyre!
Ç’kish mbetur në gjithë këtë qetësi të frikëshme, kur në sipëfaqe çdo gjë ish e qetë dhe ende paksa në perëndim të vezullimit pas festës, ish qëllimi i papërcaktuar i kësaj lëvizjeje. Ish ai që lidhte çdo tjetër dhe ndizte tharmin. Ai personazhi që duhej të dilte në shesh. Por, që në një farë mënyre, si aktori kryesor, i cili e di vlerën e rolit që ka, fshehurazi kish kaluar anash radhëve të ndenjësve të degjonte c’pritej prej tij, perden e rëndë kish hapur sado pak të sfidonte turmën gumëzhitse dhe të paditur, atë që ish veç ai që me një fjale të vetme do e drithërronte në lot a urrejtje. Nuk i kish ardhur radha ende. Sigurisht që akti i parë, skena e dyte, të gjithë personazhet nuk ishin shfaqur të tregonin veten, të gjithë dukeshin figurantë të paqenësishëm, dhe ashtu ishin deri sa të dilte ai. Ish përmendur paksa në nje nga pikat e tetëshit të mbaruar. Diku nepotizmi në një artikull tek portali ‘Pamfleti’, një tjetër për jehonën e dallavereve të nje ish-kryeministri, një presidenti, që disi u harruan në bashkëbisedimin ndërtimor midis palëve, ku jo vetëm u zgjidhën por dhe u përmirësuan ca më mirë. Sa befas, një figurante, fare pa rol, ndoshta ashtu spontanisht se ia nxorri shpirti, thirri: “Poshtë Qeveria”! Ky ish signali, fjala kur duhej te dilte në skenë se ishin thënë ç’ish parashikuar.
Korrupsionin e kadiut, i cili merrte rryshfet siç fuste hallvë në xhep, na e kish treguar Nastradin Efendiu që ua hidhte paq, por edhe atë e hoqën se i mungonte boshti patriotik dhe ideologjik. Të gjithë e parafytyronin si një bar të keq me rrënjë të thella që të gjithin një cope, njëherësh ish e pamundur ta shkulje, madje mbin e rritet më shpejt me filiza të rinj sa herë që prihej. Ish kudo ndër të mëdhenj e ndër fqinj, por te ne pranohej se po na mbyste. U krye një spastrim i gjykatësve, por dihej kush i vuri dhe në një diskutim pafund në parlament, sikur të qe bërë enkas si në kongreset e Partisë, mes thirrjeve për pavarësi kombëtare, kuptohej që rrënja trung ish aty, mes atyre që ngurronin dhe s’e donin! Ishin ATA! Mbante erë vezë të prishur, qelbej kalbësi, aq më tepër që përfaqësonin ç’nuk ish e popullit, ish e të zgjedhurve të partisë. Por edhe kjo nuk do mjaftonte, se rrënjë kish hedhur tek çdo njeri si ai që e jepte dhe ai që e merrte, dykrenësi që me grykësi ushqente të njëjtat deje lartë e poshtë, trung dhe gjethe. Çelte në mungese përgjegjësie dhe frike ndaj ligjit. Dënim i drejtë, për çka padrejtësisht i vidhte çdo njerit dhe të gjithëve. Pak kishin mbetur të paprekur, por nëse nuk do të flisnin dhe ata, do ish veç vdekje. Nuk do ishte si më parë flijime për shembull tmerri që kallte frikë për të ndrydhur çdo ndergjegje. E paguar deri më një pa asnjë mbrotje të rreme! Ndaj tuteshin të gjithë bashkëpunëtor ne heshtje!

Kish dite që punonjësit e godinës më të rëndësishme të shtetit shihni se si fasada mbi hyrjen kryesore ish mbuluar me një pëlhurë të stërmadhe gri në të zezë që i mbulonte sytë dhe gojën si të ishte ferexhe, sa përtej nuk dallohej asgjë. Edhe pse përdorej shumë rallë tani porta kryesore e kështjellës ish mbyllur plotësisht dhe ata s’duhej të afroheshin aty. Flitej për përgatitje të rëndësishme, për ata që ishin brenda s’shihnin jashtë dhe ndërsjelltas. Në fund të shkallëve ishin vënë ndalesa hekuri dhe ecja në këtë anë të trotuarit ish bllokuar me policë, nga të dyja anët e ndërtesës, që pa drita dukej e zymtë dhe kërcënuese si bunker.

 

*(Gandhi “Interview to American Negro Delegation,” CWMG 68: 235–237.

Please follow and like us: