Cikël poetik nga Mimoza Pulaj
Hark dashurie
Çupëlinë e bukur,
fustan valëvitës.
Në qiell.
Më pëlqen në marri
ky hark dashurie:
mijëra ngjyra
dhembje e gëzim.
Vese shpirti.
Dritë e shigjetave diellore
e të argjendta.
Hënore.
Kurrë nuk mbaron.
Me mua spostohet.
Si horizonti.
Magji
Të forta
brigjet e këtij agimi:
të numëruarën shembën!
E nuk ishte pafundësia
që krejt në të kuq ngjyrosi. Si malli.
Magjik njëshi.
Hapësirë e numra
përqeshi.
Olimpi yt
Si tym
ngrihen metaforat:
të ëmbla, të turbullta, heretike…
Nga shtëpia jonë.
Në kërthizë.
Pjestimi me to: i qëndrueshëm një.
Prodhimi me ty: tre mrekulli.
Vetëm nuk mundem.
Thjesht, pjesën time në vargje shtoj.
E si tym në lartësi e nis.
Ora e gëzimit është
kur kthehet: Olimpi yt.
Poezia ime
Me petelat e saj më mbulon.
Vajza e dritës.
E Universit është.
Unë gjurmë jam.
E shkruajtur nga shpirti.
Rregullat s’më duhen.
Përshkruaj.
E flatrat e mija kurrë s’i flak.
Në se për këtë mbulesë gjykohem.
Fluturoj.
E lirë.