Në rrjedhën e vargjeve “Rruga e dashurisë”
Lejla GORISHTI
Libri, aq më tepër poezia, të dashur lexues, të jep mundësinë të njohësh njëherazi poetin dhe njeriun.
Nëpërmjet vargut dhe poezive të kësaj përmbledhjeje që mban titullin “Rruga e dashurisë”, munda të njoh dhe vlonjaten tonë, autoren e këtij libri, Irena Curraj (Hoxha), botën e saj shpirtërore, këmbënguljen e saj, shkathtësinë e saj, elokuencën e saj në të folur dhe në të shkruar. Finesën e saj në të shkruar e gjeta në finesën e vargut, në përdorimin e gjuhës poetike, në mënyrën se si preken dhe ngrihen në art problematikat e kohës, se si përcillen mesazhet te lexuesi.
Në vargjet e kësaj përmbledhjeje, gjeta gjithçka që kisha të vështirë të kuptoja, si dhe leximi i librit më dhanë (me gjithë kuptimin e fjalës), kënaqësinë e takimit me një mike të mirë, që jo vetëm u gëzova, por më tepër, sepse, në një formë më të përkryer gjeta në poezitë e kësaj përmbledhjeje, gjurmë të ndritshme të një krijimtarie poetike në një vazhdimësi ngjitëse, gjeta jehona copëzash jete, gjeta përjetime shpirtërore të problemeve sociale dhe familjare, e mbi të gjitha gjeta atë dashuri të çiltër e të pamatë për njerëzit, që kalon gjer në dhembshuri e përgjërim.
Në lirika të frymëzuara është derdhur shpirti i kësaj vajze romantike, aspiruese dhe himnizuese e së ardhmes së bukur e të lumtur.
Poetja, ka bindjen se në jetë, në çdo çast ka vend për poezi. Poetja jonë e gjen frymëzimin në përditshmërinë e saj. Ajo është e ndjeshme dhe emocionuese për ata që lumturinë e jetës e gjejnë te puna, te shoqëria, te dashuria, te familja. Me patos, ajo shkruan:
“Për ata,
që shpirtin jep,
Për ata,
që jetën s’e kursen,
Për ata,
që jetën ta mbushin
Për ata,
që të japin lumturi,
Për ata,
që të japin emrin më të bukur “NËNË”
Poezia e Irena Curraj (Hoxhaj), është e ngjyrave të çelta dhe toneve të përmbajtura.
Kjo veçori individualiteti poetik, është shprehje e prirjes së poetes, për të zbuluar në jetë e për t’i shprehur në vargje, ato dukuri e anë, ku spikatin më dukshëm prirjet e zhvillimit që ngjallin optimizëm dhe besim.
Në pikëpamjen ndjenjësore në vargjet e kësaj përmbledhjeje, nëpërmjet gjuhës poetike dhe ndjesisë së emocionit, kuptojmë dhe temperamentin e poetes, së cilës, nuk i pëlqejnë “ ujërat e ndenjura”, plogështia, ngecja në vend dhe frenimi.
Ajo e di mirë (madje ia kujton dhe lexuesit), se gëzimi i kësaj jete është ta jetosh atë vetëdijshëm, në mes të njerëzve në lëvizje të përhershme, që të çojnë në përmirësimin dhe prekjen e lumturisë e të dashurisë për të.
Poezia e Irenës është e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, ku dalin në pah vlerat poetike, ndërthuret mendimi i poetes me stilistikën e vargut, duke i lënë lexuesit mundësinë të rrok njëherazi, një imazh të përcaktuar në funksion të idesë apo mesazhit që poetja na përcjellë.
Nuk mund të lë pa përmendur këtu dhe kënaqësinë artistike që ndjeva duke lexuar poezitë e këtij vëllimi të ri poetik. Gjeta në vargje, poeten e gjuhës së ëmbël të vargut melodik, të ritmit paravajtës, të figurës konkrete, të çiltërsisë së imazheve, të thjeshtësisë e bukurisë së shprehjes.
Krijimet e përfshira në këtë vëllim, nuk kanë dhe nuk mund se si të kenë të njëjtin nivel ideor dhe artistik, po ka edhe nga ato poezi, që poetja, sado përzgjedhëse, i ka përfshirë në këtë vëllim, duke i përdorur këto si sfond mbi të cilin të spikasin edhe më dukshëm të parat.
Do të ma donte zemra, që Irena të mos mbetet deri këtu. Unë besoj se ajo nuk do të dalë nga shtrati i frymëzimit për të na dhuruar krijime të bukura jo vetëm né këtë gjini, po dhe në gjini të tjera letrare.