Albspirit

Media/News/Publishing

VETËDIJA (e kërkuar e humbur)

 

Ai s’ish i vetmi, ndër ata të quajtur nxitës. Dhe nuk donte të dinte se nuk i njihte. Por e ndiente që ishin, buçima e tyre, sado e vagullt, degjohej si frymë, siç si era e kripur e tij, milje në brendësi nga bregut. Do të dëshëronte të ishte kështu, por ja që s’qe. Grupe të vogla studentësh, të paktën keshtu ndodhi në rastin e tij. Tharmi i bashkimit dhe mandej ajo kryengritje kokëulur dhe po aq e heshtur, po aq dhe e mefshtë në fillimin e saj, kish qenë një bashkëbisedim i lirë për lirinë se individit në pjesen e fundit të mësimit, siç bënte rëndom. Raporti midis grupit kujt i përkisje dhe vetes. Ai u kish sjellë, plasur në mes të rrethit në qendër të dhomës, formuar nga ndenjëse me mbështetëse, Sarterin … “Agjitatori Intelektual” nën thrillin e një eksperimenti, që kish kohë që e bluante në mendje, u kish hedhur Mollën. Një aforizmë shumë të përsëritur dhe të njohur, që nga koha, kur kultura franceze, si në epokën e Tolstoit, ish, sido që të flitej me aksent të shtirur a e përkthyer nxitimthi, një emblemë fisnikërie. Por dhe pse e përzgjedhur, nuk lejohej të shprehej haptazi, si këngët e Aznavurit apo Matie-se, me nje ligj të pashkruar të një mëkati të falshem, i pëlqente i Madhi. Atëherë tepër i ri, pinjoll intelektualësh, e kish pasur këtë mundësi Dora, si dikur, e një monopoli të stërmadh partiak e shtetit tiranik, milte e hekurt dhe kur të mbyste, mblidhte haraçin e privilegjit. Dhe sot, dhe tani me atë ndjesi të mundimshme faji! Si mund ta njihnin këta të rinj mjeranë atë! S’qe mjaft e tyrja? Pse duhej, kur epoka (“epokë leshi”) e re që pritej mos ishte si e para, u shkaktonte, siç u shprehen, pasiguri të frikshme, sidomos të ardhurit nga larg “provincialet”, të cilët ndjeheshin të lënë jashtë dhe të papranuar, pa përmendur mangësite në formimdije, që i bënte të zvarriteshin dhe të shprishnin veten në egzistencën e pashpresë. Ish ky një segregim i ri shoqëror, hibridi i pataksur nga vendi ku ishe pjellë, mallkimi që i bënte të turreshin aty si të ish Parajsë?

Si në gulagun otoman të Barletit, që shpesh i kthehej dhe çorbë i bënte në mendje kohët: “Këta ishin në më të shumtën … rob … të cilët barbarët i merrnin në numër të madh në fushatat e tyre; nuk kanë thuajse fare armë, ngaqë nuk ua besojnë. I vuajnë gjithë mundimet e jetës në luftë, bartin ujë, dru, ndërtojnë ledhe, mure prej dheu dhe fortifikime të tjera; kurse në betejë të hapur i nisin drejt armikut si mish për top, për të tërhequr vemendjen e tij e për t’i rraskapitur forcat. Ndërsa në rrethime ata tërheqin makineritë e luftës, i caktojnë të mbushin me trupat e tyre llagëmet e kështjellave”*.

E ardhmja, një fije drite e padallueshme drithërohej të fikej. Ndoshta ish pikërisht kjo dhimbje e padurueshme pritjeje e vdekjes pashpëtim që e kish zgjedhur si zgjidhje. Thonë qe nga që ish i gjatë kish rrëshkitur veten poshtë me rripin lak në qafë deri sa kish dhënë shpirt, si endrrën kur ish kthyer të bënte diçka në dhenë e tij. Jo një vdekje e tillë kaq gjakftohtë s’mund të ishte aspak nga depresioni as nga një marrezi e çastit. Ish si të kish punuar mundimshëm enkas për te, ndoshta për të qenë në fund plotësisht i lirë, i shlyer nga të gjitha. “Arbeit macht frei”, se kish dhe ai borxhi për të larë, “Vdekja jep liri”. Ai të vetën do e kish ndryshe!
Krahina të tëra patën zbritur nën kërcënim urie apo ngujimgjakmarrje e kishin rritur, trefishuar apo katërfishuar popullsinë e këtij kryeqyteti monopol, se metropol s’qe. Systemi piramidal tani i lyer me kujdes me një të kaltert të çelur, si në një ditë të kthjellët pranvere, fshihte murin e pakapërxyeshëm nga pas. Bota jashtë tij, Jurasik Park. Puna në shtet, aq sa paguhej, dhjetraherë më e vlefshme se tek privati i pashpirt, dhe shumë më shumë se uria e papunë barktharrë që gërryente e klithte të vdiste, s’dukej gjëkund. Dhe me gjithëse iknin pa pushim dhe pafund, këtë e tregonin kurset e gjermanishtes, mbushur deri në buzë si bujtinat në marksizëm, punë, punë prapë s’kish. Mbi kalë po ata, të pashkulshmit! Qelbësirat kthyer në Perëndi!
Qe partia, aspak e anëtarëve, e cila kontrollonte shtetin, dhe jo vetëm shoqërinë, midis asaj legales dhe ilegales, në qarkullimin e cdo malli dhe shërbimi të ofruar, një barrë dru a kurvëri, që duhej shembur e gjitha. Dhe në vorbull këta studente bohemë, shpesh të pandërgjegjshëm virgjërore apo herë herë të ndyrë në thelb të vetëdijshëm për forcën e fëlliqësisë, që mbijetonin në barkun e këtij Elefanti në Place de la Bastille, si Gavroshi rrugaç me jetimët e gjetur në rrugë. Ish kjo e vërteta dhe jo një pis peticion, shkruar shkeleshko nga një pseudo bythëlëpires leshko me doktoraturë të plegjiarizuar. Ish kjo gënjeshtra ku bënte pjesë qoftë dhe padashje, a për hir të asaj që donte të arrinte e që dikur e kish besuar me shpirt? Ish dhe ai pjesë e këtyre fijeve të padukshme që enkas i thurrte dikush tjetër a një ndërgjegje shoqërore ende e pa zë?

Argumenti i dytë, nga këta mendimtare motakë në përgatitje, me një mllef të paparë zhgënjimi, ish ai ndaj intelektualëve. Ata që mendërisht dhe fizikisht i përdornin, i zhvastnin më shumë se kushdo tjetër, në pellgun e tyre zhabëmbret pa folur për para apo harxhe të tjera nderi, por për të gjitha, gjithcka dhe vetja i pështirosej për atë rogë pesëasprash që e dërrmonte, se dhe ai, sado ta ndante veten, si ata i përlyer para dhe mbrapa. Dhe ngrihej një i “larë si Pilati” i pafaj, i pastër qelibar, kokë e mjekër rruar, që fajësonte ata të një brezi më parë, qe paskëshin gënjyer si Sokrati, doktoratbleresve u kishin korruptuar mendjenfëminore për të ruajtur fronin e tyre? Shko pirdhu bythec analist me një sy i pabrekë! Kush ishte bëma jote, konstatimi! Se s’e shihte askush por veç ti m’i nderçmi? Pse s’ishe mes studentëve skuth i pafytyrë kur kërkonin drejtësi, prite çastin oportun të dilje në dritë veten të vije në dukje? Sikter harram gjidi edepsëz!
Kush u jepte këtyre të drejtë t’u mësonin, kush të drejte t’i drejtonin, t’u tregonin “gjërat, të cilat ne kemi nevojë t’i njohim, si funksionon natyra dhe shoqëria, ç’ndodhi në të kaluarën tonë, si të analizojmë …na bëjnë të mundur komunikimin me mendjet e mëdha të së shkuares”*, këta shamanë të pafe! Kur si qytetarë për vete janë blozë pa moral, brinjarë në heshtje kur by… shitën, si shpirtin, sidomos kur heshtën. Për ç’t’u flisnin, kur virtytin u vidhni se vetë s’kishin. Çfarë t’u thoshte se qe ai më i miri ndër ata që i tregonte me gisht! Duf ndizej për kete mashtrim fshehur në përpjekje bamirëse, në emer të asaj që thellësisht e mendonte se u duhej të gjithëve, ndërkohë e gjetur s’ish e kallur në libra historish, shitur si dashuri mes njerëzve. Jo miq sado shkollarë mendimtarë ta kenë shkruar në universitete si kisha me gurë të latuar, intelektual, s’mund të jete veç ai publik qytetar.
“I ardhur nga një botë kulture, (ajo që në fakt përcakton Vetëdijen e një kombi), qoftë si krijues apo si ndërmjetës, intelektuali merr pjesë në politikë ose për të mbrojtur një sygjerim konkret ose të denoncojë një padrejtësi, zakonisht duke flakur, krijuar apo çuar më tej një ideologji dhe duke mbrojtur një sistem vlerash.”**

I rroftë strategjia politike e lëvizjes, qe kish menduar prej kohë, e tjerrë e çtjerrë si gjeneral i një ushtrie mendjesh qe s’ish vec një imagjinatë e sëmurë, fantazi librash kalorsiakë heronjsh të çpikur! Kish dalë në shesh, kur po afrohej ora që fantazmat do zbrisnin mbi bedena t’u tregonin të gjallëve të vërtetat, për të parë fushën e asaj beteje paqësore që do binte e nesërmja. Vendi nuk qe i përshtatshëm, aq më tepër që qëllimi tashmë s’duhej të ish qeveria por Politika. Pastrimi i saj, s’mund të kruhej pa një lëvizje të përgjithëshme mbarëpopullore, se i përkiste kujtdo dhe të gjithëve!
Kështu mendonte ndërsa u kthye djathtas tek hoteli në krah të Operas drejt rruges së Barikadave.
*Marin Barleti “Rrethimi i Shkodrës”.
**Pascal Ory and Jean-François Sirinelli, Les Intellectuels en France. De l’affaire Dreyfus à nos jours (The Intellectuals in France: From the Dreyfus Affair to Our Days), Paris: Armand Colin, 2002, p. 10.

Please follow and like us: