Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri BLLOSHMI: Revolta e Qafëbarit dhe terrori komunist, 1943-1990 (5)

U nisëm nga Spaçi pa e ditur se ku do të na çonin

 

Unë i di të gjitha

ndaj nuk dua të qesh.

 

Ishte një ditë janari shumë e ftohtë dhe me borë. Udhëtimi vazhdonte prej disa orësh e me sa kuptonim që nga brenda makinës, rruga ishte mbuluar nga bora dhe kishte shumë kthesa. Shoferi ndalonte shpeshherë makinën për të kontrolluar zinxhirët e gomave. Makina në të cilën ishim ne, ishte e hapur vetëm nga pas, ndërsa makina që vinte pas nesh, një “ifë” e zbuluar, ishte plot me ushtarë me automatikë në dorë. Te kjo makinë ishin edhe disa policë e dy qen kufiri, që nxirrnin kokën mbi spontin makinës duke parë me vëmendje nga ne. Qentë dukej se ishin të ushqyer aq mirë sa edhe pse ishte dimër e acar u shkëlqente qimja.

Këmbët na kishin ngrirë dhe duart na ishin mpirë nga prangat e të ftohtët. S’e kishim idenë fare sa kohë do të udhëtonim akoma dhe as që e dinim se ku po na çonin. Era fërshëllente dhe herë pas here fuste borën brenda në makinë nga të çarat e mushamasë. Të gjithë të dënuarve që ishin të lidhur njëri pas tjetrit me zinxhir të cilin e kishin kyçur te sponti i makinës ua rrihte shpatullat era dhe bora. Kur ndonjëri prej tyre donte të ndizte një cigare, i dënuari tjetër e ndihmonte me dorën e lidhur me të duke ia vënë cigaren në buzë, duke ia mbajtur derisa ai ta thithte dhe ia hiqte për t’ia vënë përsëri cigaren në gojë. I ftohti sa vinte e shtohej, duke na mpirë këmbët. Duart në pranga pak nga pak po na mavijoseshin.

Disa nga policët të cilët e njihnin vendin dhe ato rrëpira e humnera, që veç natyra e dinte pse i kishte krijuar aq të egra, ndoshta vetëm për kafshët që rronin atyre anëve apo dhe për kaçakët, i thoshin njëri-tjetrit se edhe pak dhe do të mbërrinim në Fushë-Arrëz. Emër i padëgjuar ndonjëherë për ne, por në makinë kishte të dënuar nga ato vise dhe kështu filloi biseda mes të dënuarve. “Po qe se do të na çojnë në Qaf Bari, nuk është shumë larg, se atje është burgu, nuk na ka mbetur dhe shumë rrugë. Ja, 20 km është prej këtu, vetëm se rruga është e keqe, malore dhe me shumë kthesa, ishalla nuk na ndodh ndonjë gjë se po u rrëzua makina, vetëm në korrik mund të na nxjerrin nga humnera.”. Në atë çast ndërhyri një nga policët: “Mos kini frikë se nuk ju gjen gjë juve.”. “Të lumtë goja, fjala jote në vesh të perëndisë!”, i thashë unë. “Mbylle atë kamare se pastaj ta mbyllim ne përgjithmonë!”, ma ktheu polici me inat.

Rruga gjarpëronte nën pishat e larta e të ngarkuara nga bora. Ajo vazhdonte grykës së një përroi i cili zhurmonte nga uji që përplasej brigjeve e gurëve dhe kur mori një kthesë mbi përrua u dëgjua një zë: “Erdhët, besoj jeni lodhur?”. “Lëre, lëre”, ia ktheu polici tjetër e kështu ne kuptuam se para nesh kishte mbërritur makina e komandës që na shoqëronte. U dëgjua zhurma e një porte të hekurt që u hap e më pas e njëjta zhurmë që tregonte se kjo portë u mbyll sërish. Policët filluan të na hiqnin kyçet e zinxhirëve dhe ata që i zgjidhnin, polici i thërriste: “Hajde, hidhuni poshtë nga makina!”. Sapo zbritëm, frika na pushtoi. Kampi ishte ndërtuar midis dy përrenjve që formonin germën “V”. Përreth kishte male të larta të mbuluar me pisha të larta shekullore me degët e rënduara nga pesha e borës. Kuptohej lehtë se vendi ku ishte ndërtuar burgu kishte qenë plot me drurë pishe që më pas ishin prerë se do të ngrihej kampi. Ishin vendosur 4-5 rrethime me tela me gjemba. Nga jashtë rrethimit, në 5-6 m largësi ngriheshin përsëri pishat e larta. Sapo zbritëm, ashtu të ngrirë e të mpirë nga këmbët e duart prej udhëtimit të gjatë, u ndeshëm me një të ftohtë të paimagjinueshëm. Bora ishte mbi 1m lartësi. Rruga për në mensë e për në banjë ishte hapur prej borës me lopata. Aty gjetëm edhe të burgosur të tjerë që kishin ardhur para nesh. Kishin vënë në kokë kush një copë leckë, kush një kapele që i mbulonte veshët, kishin veshur kapota të vjetra ushtarësh e kërcenin në borë nga të ftohtët. Dikush kishte hedhur mbi kokë kapotën e rrjepur dhe dridheshin nga të ftohtit dhe po të bëje kujdes dëgjoje zhurmën e kërcitjes së dhëmbëve nga i ftohtë që ishte i papërballueshëm. Pas pak çastesh u dëgjua ulërima e çangës të cilës i binte papushim e ma sa fuqi kishte një i dënuar i cili thërriti: “Ata të rinjtë që erdhën tani të rreshtohen pa vonesë!”. Uria dhe të ftohtët na kërcënoni barabar. Ishte një heshtje varri ku dëgjohej vetëm zhurma e ujit të përroi aty pranë mbuluar nga mjegulla. Zhurmën e ujit që zbriste rrëmbyeshëm nga majat e maleve i cili nxitonte për t’u derdhur diku larg e ndërpriste frikshëm britma e ushtarëve në majë të karakollit: “Ndal! Kush kalon se do të qëlloj!”. Në të njëjtën kohë, si ta kishin bërë me fjalë, kërcisnin kërcënueshëm shulet e pushkëve. Frika dhe i ftohti sa vinte e shtohej te ne. Na dhanë nga tri batanije e na futën në dhomat me krevate tri katëshe të një godine katër katëshe. Në gjithë atë të ftohtë, uria na kërcënonte e zorrët ulërinin. Hëngrëm nga një copë bukë thatë që na e kishin dhënë kur u nisëm nga burgu i Spaçit. Pas pak u bë pushimi që si gjithmonë e lajmëronte rënia e çangës. Nuk mund të lihej pa u vënë re se dritaret e dhomës të cilat shihnin nga përroi ishin dopio xham çka tregonte se aty bënte shumë ftohtë. Një re akulli e bardhë u ngrit dalë nga dalë nga uji i ftohtë i përroit për t’u shpërndarë më pas nën kurorën e pishave të ngarkuara me borë.

Në orën 5 të mëngjesit çanga ra përsëri. Ne u ngritëm si të çmendur duke u dridhur për të shkuar në mensë. Për të larë sytë as që bëhej fjalë. Gjithë natën nuk kishim vënë gjumë në sy nga të ftohtit edhe pse rruga na kishte sfilitur. Pas mensës na rreshtuan përsëri e na ndanë në brigada duke na kërcënuar: “Askush të mos mendojë se do të dalë i gjallë nga galeria pa bërë normën!”. Pranë policit, që thoshte këto fjalë, qëndronte një person i cili s’fliste fare. Shikonte me duart futur në xhepat e një pellushi që i varej deri te majat e këpucëve, me jakën të ngritur e me kapelë të ngjeshur deri tek veshët e cila i mbulonte gati dhe vetullat. Duhet thënë se personeli i burgut kishte në radhët e tij policë me “eksperiencë” të marrë nga Bulqiza, por kishte dhe policë që ishin vendalij. Personi i cili vështronte i qetë, i vrenjtur dhe i heshtur veshur me pellush, siç e mësuam më vonë, ishte komandanti i policisë i cili quhej Mond Caja.

Përballë godinës së fjetjes me një distancë prej 10-15m ishte godina e mensës dhe kuzhina. Përbri kuzhinës ishte një godinë tjetër, në katin e dytë të së cilës ishte infermieria ndërsa në katin e parë ishte një dhomë që përdorej për takim kur vinin familjarët e të dënuarve. Kishte dhe ca dhoma të tjera që ishin zyra të cilat rrinin gjithmonë mbyllur. Thuhej se jo rrallë herë në ato dhoma kishte drita vetëm natën. Prapë pëshpëritej se aty dikush futej natën Për çfarë shërbenin ato zyra? Kush i ndizte dritat e tyre vetëm natën jashtë syrit të çdokujt? Çfarë gatuante në ato zyra Sigurimi famëkeq? Kjo ka mbetur ENIGMË për shumë kënd sot e kësaj dite. Pëshpëritjet midis të dënuarve thoshin se kishin parë të futeshin në kamp në mes të natës disa “hije” me kapele të ngjeshur vesh më vesh që ecnin pa bërë zhurmë. Këto raste nuk i kishin shpëtuar syrit të ndonjë të burgosuri i cili kishte dalë natën për në banjë.

Të nesërmen sapo na ndanë në brigada na urdhëruan të futeshim në galeri për t’u njohur me frontet e punës. Atë ditë nuk na kërkuan normë. Që nga hyrja e galerisë, traverbangu, e deri te plani i pjerrët që gjendej në nëntokë ishte 870 m thellësi, ashtu siç na kishte thënë personeli i lirë, kur binte muhabeti. Galeria pikonte e gjitha ujë që nga hyrja e deri në thellësi. Kanali anash galerisë nuk mund ta mblidhte tërë këtë ujë dhe një pjesë e mirë e tij dilte përmbi shina. Ne ecnim nëpër galerinë me ujë që mbulonte gjithë rrugën. Lageshim e bëheshim ujë pa filluar ende punë. Këtë rrugë e lagie e bënim dy herë në ditë, të parën kur hynim në galeri për të filluar punën e të dytën, kur dilnim nga galeria për t’u kthyer në kamp. Këmbët na lageshin nga uji që futej përmes çizmeve të çara e të bërë qull punonim gjithë ditën, duke u përpjekur për të realizuar normën. Pa e bërë atë s’dilje dot nga galeria se të mbysnin në dru. Puna ishte shumë e rëndë dhe s’kishim asnjë ditë pushim. Kur ktheheshim nga puna na priste çorba e komandës të cilën e rrufisnim në këmbë në mensë e sapo futeshim në dhoma të çlodheshim apo të mblidhnim kockat, pas pak dëgjohej zhurma çjerrëse e çangës. Më pas tellalli lajmëronte se të gjithë duhet të shkonim në sallën e leximit. Përditë i njëjti avaz. Kur nuk kishte gazeta, na lexonin veprat e diktatorit që s’ishin gjë tjetër veç përrallë pas përralle dhe gënjeshtra si të ishte shpëtimtari i botës.

Puna ishte shumë e rëndë dhe me ato kushte që kishim në galeri, norma ishte e pamundur të realizohej. Kush nuk realizonte normën e mbanin dy turne rresht në galeri, kishte raste edhe tre turne. Kur të dënuarit dilnin nga galeria e shkonin të laheshin te skaldabanja apo të fshiheshim me ç’të mundnim. Polici që ndodhej aty pranë kapte një dru dhe qëllonte të dënuarin që s’kishte realizuar normën, por edhe të tjerë pas asnjë shkak. Në ndonjë rast i dënuari ia kapte nga dora drurin policit, që të mos e godiste, por polici thërriste i xhindosur brigadierin e dënuar dhe e urdhëronte: “Rreshtoi shpejt të larë e të pa larë dhe nisuni për në kamp!”. Atë që kishte kundërshtuar e fusnin në zyrën teknike dhe pasi e zhdëpnin në dru, e mbyllnin në birucë për gjithë natën. Në mëngjes e nxirrnin nga biruca dhe e nisnin në galeri të punonte.

Pas disa muajsh, të dënuarit filluan të punonin mbi tarracën e godinës. Kapanonit do t’i shtohej edhe një kat tjetër. E ndërtuan në kohë rekord me dërrasa dhe pasi e kompletuan me shtretër e ç’duhej tjetër, morëm vesh se do të sillnin të burgosur të tjerë dhe nga numri shtretërve kuptuam se nuk ishin pak. Pas disa ditësh erdhën IFA-t e Ministrisë së Punëve të Brendshme plot me të burgosur nga Spaçi. Ishin më shumë se 120 të dënuar që i futën në barakën e porsa ngritur të cilën policët e quanin MAUNE.

Edhe ky kamp kishte zyrë teknike me kryetarë të burgosur si në të gjithë kampet e tjerë. Kur të futnin aty, vlonte druri sa herë i tekej policit apo shefit të tyre, Mond Caja dhe prej saj dilje ose duke u mbajtur pas murit ose duke ecur këmba dorës. Mondi sa herë donte të argëtohej, sepse të rrihte të dënuarit ishte argëtim për të, futej në kamp, gjithmonë me fytyrë të ngrysur e me kapelën ngjeshur në kokës aq sa vetullat nuk i dukeshin, me duar në xhepa, i shoqëruar nga dy a tre policë. Futej në zyrën teknike dhe roja i brendshëm shkonte pas tij e dilte prej andej për të thërritur atë që kishin vendosur të rrihnin gjoja se nuk kishte rregulluar mirë krevatin ose se nuk i kishte vendosur çizmet në vijë të drejtë ose pse ishte shtrirë në krevat para kohe dhe fillonte e rrahura në sytë e shefit. Polici bëhej qull në djersë duke rrahur të dënuarin. Nën këtë presion e dhunë të përditshme ishin shumë të dënuar, sidomos ata që nuk kishin mundësi të realizonin normën. Të rrahura në kamp, të rrahura në galeri! Presioni sa vinte e shtohej. Jeta në kamp ishte bërë e padurueshme dhe ndodhi ajo që pritej.

Të gjithë të dënuarit të pushtuar nga mërzia dhe pesimizmi në ato kushte çnjerëzore, tortura të pandërprera, stërmundimi në galeritë gjithë ujë mendonin për një rrugëzgjidhje. E gjithë kësaj dhune e humbje shprese më në fund të dënuarit guxuan dhe i dolën përpara duke marrë parasysh pasojat sepse ishte e pamundur ta çoje ndërmend e jo më të kundërshtoje shërbëtoret e verbër e dallkaukë të diktaturës të zgjedhur e instruktuar nga terroristët komunistë që sunduan duke derdhur gjak të pafajshëm që nga vitit 1943 deri më 1990.

Aty (brenda në kampin e vdekjes) qarkullonin fjalë se diçka e keqe po përgatitej për të mbajtur kampin nën terror. Këto gjysma fjalësh i nxirrnin si pa dashje spiunët e kampit kur dilnin nga zyrat e operativit ose nga zyra teknike për të humbur gjurmët. Sipas mendimit tonë, kur bisedonim me shokët tanë të besuar, nuk ishte vështirë të kuptoje se po përgatitej të luhej vallja e vdekjes.

 

“Atë që nuk mund ta arrinte fitorja, do ta zëvendësonte disfata”

 

Më 22 maj 1984, një ditë të bukur me diell, ndodhi ajo që pritej. Mondi dhe suita e tij i hodhën benzinë zjarrit. Por ç’dodhi? Ja çfarë pashë unë:

Ishim turni i tretë në një brigadë pune me Tom Ndojën, Sokol Sokolin, Haxhi Baçinovskin, Sokol Progërin, Martin Lekën, Kostandin Gjordenin e shumë të dënuar të tjerë. Në Qaf Bari më caktuan përsëri minator si në burgun e Spaçit. Gjatë kohës derisa të ndizeshin kompresorët, unë i fusja një sy gjumë, duke u shtrirë në një vend që nuk punohej (në një ort). Rubinetin e ajrit e lija hapur me qëllim që nga zhurma e ajrit të shkaktuar nga presioni të zgjohesha e të shkoja të filloja punën atje ku më kishin caktuar brigadieri i lirë bashkë me brigadierin e dënuar. Aty, pranë meje, të shtrirë në tokë flinin edhe disa të dënuar të tjerë dhe i zgjova përpara se të ikja që të shkonin edhe ata të punonin. Atë ditë bëra tri turne me bira për shembje. E njoftova brigadierin e dënuar se e mbarova punën që më ishte dhënë dhe po dilja jashtë të lahesha e të prisja shokët e tjerë. Me dijeninë e brigadierit ata që mbaronin punën në galeri dilnin jashtë, laheshin dhe prisnin të dilte e gjithë brigada. Më pas na rreshtonin në dy rreshta dhe na nisnin për në kamp pasi na kishin numëruar. Brigadieri i dënuar ishte i detyruar t’i raportonte policit për ata të dënuar që s’e kishin bërë normën. Një nga të dënuarit nuk e kishte bërë normën dhe polici i tha gjithë inat: “Ha mëngjes dhe dil prapë në punë!”. Kur u afruam tek kampi, erdhi oficeri i rojës, hapi derën e na numëroi. Polici i raportoi se një nga të dënuarit nuk e kishte bërë normën e se do dilte përsëri në punë. Pasi hëngra çorbën, shkova dhe u shtriva, ashtu i veshur siç isha. Sapo kisha filluar të dremisja, dëgjova çangën që binte fort dhe pa pushim. “Të gjithë në mensë, të gjithë në mensë!” bërtiste tellalli ndërsa i binte çangës. U ngrita me të shpejtë dhe u futëm në mensë. Qëndrova në fund të sallës me mendimin se kishim punë politike e këtu mund të merrja një sy gjumë. U ula në një tavolinë bashkë me Sokol Sokolin përkrah të cilit ishte Tom Ndoja e plot të dënuar të tjerë. Në oborrin para mensës kishte shumë polici, jo si zakonisht kur rri vetëm një, roja i brendshëm. Te dera u duk Mondi i cila tha: “Dëgjoni, kush të dëgjojë emrin, të dalë përjashta pa kundërshtuar. Mos i hapni telashe vetes!”.

– Si është puna? – pyeta Sokolin.

– Lere Bedri, se e djallosëm, – m’u përgjigj ai. Ti s’ishe, vajte në kapanon si shumë të tjerë dhe s’e pe skenën.

– Jo, – i thashë, ç’ka ndodhur?

– Erdhi policia për të nxjerrë në punë atë që s’kishte bërë normën. Ai kundërshtoi dhe policët e kapën, duke e qëlluar për ta çuar te porta. Ne që ishim aty nuk e duruam dot atë skenë dhe kur Nuja kërkoi ndihmë e tha se ishte në besën tonë, u turrëm dhe ia morëm nga duart policëve.

Ndërkohë te dera e mensës një polic vazhdonte të lexonte emrat e atyre që duhet të dilnin jashtë. Emri i atij që duhet të dilte në punë ishte i pari. Sapo doli te dera polici e goditi dhe mbërtheu nga krahët. Nuja nën breshërinë goditjeve të policëve thirri përsëri për ndihmë: “Në besë tuaj, shokë, se më mbyti policia”. Me të dëgjuar këto fjalë, Sokoli bashkë me disa të tjerë dolën vetëtimthi jashtë. Policia mbylli derën e mensës që të dënuar të tjerë të mos dilnin jashtë. Toma që ishte brenda u çua dhe u drejtua për te dera, e shqeu atë dhe të gjithë të dënuarit dolën jashtë. Në oborr filloi përleshja me policinë. Situata doli jashtë kontrollit të policisë. Të dënuarit i vunë përpara policët që morën rrugën për të dalë jashtë kampit për të shpëtuar lëkurën. Kapelat e tyre mbetën në oborrin e mensës. Në krye të turmës së të dënuarve dallohej Toma me Sokolin. Në këtë kohë oficeri i rojës i tmerruar nga gjendja e krijuar dhe frika se mos të burgosurit dilnin jashtë rrethimit (thyenin kampin), hapi zjarr. Të gjithë oficerët e ushtarët të cilët ishin në truprojë hapën zjarr. Mbi kamp, plumbat fërshëllenin papushim, duke krijuar një skenë të llahtarshme. Oficeri i rojës goditi Konstadin Gjordenin në supin e majtë, gjaku i të cilit rridhte pa pushim. Për disa orë kampi ishte në duart e të burgosurve në një amulli të plotë. Ne ishim ulur në oborrin përpara mensës e nëpër shkallë. Toma, Sokoli, unë, Haxhiu dhe Martini ishim ulur bashkë e bisedonim se ç’rrjedhë do të merrnin ngjarjet. Në këtë kohë syri vigjilent e policët që na njihnin mirë si fytyra dhe emra, duke parë edhe ngjarjen, kishin hartuar një listë me emrat e të dënuarve të cilët ishin përleshur me policinë. Martin Leka, një burrë i urtë dhe i logjikshëm, u përpoq disa herë për t’i qetësuar gjakrat me policinë, por çdo gjë ishte e kotë. Komandanti i kampit filloi të lexonte emrat, duke thënë se kush dëgjonte emrin duhej të dorëzohej e ta sqaronin këtë problem. “Hajdeni, mos e rëndoni veten më kot,” thërriste ai. Lista filloi me Sokol Sokolin e vazhdoi me Tom Ndojën, Martin Lekën, Haxhi Baçinovskin, BajramVuthajn, Hysen Tabakun, Vllasi Koçin, Lazër Shkëmbin, Lush Bushgjakën dhe Ndue Pishën. Asnjëri prej tyre nuk lëvizi nga vendi. Në këtë kohë mbërritën një numër i madh civilësh të armatosur, policë dhe çeta vullnetare, gra të veshura me uniformë ushtarake që zunë pozicionet rrëzë pishave përballë kampit. Familjarët e disa punëtorëve që banonin jashtë kampit morën fëmijët e të moshuarit dhe të tronditur e të llahtarisur nga skena që panë, iu ngjitën kodrës me pisha. Në kthesën e xhadesë përpara kampit u dukën tufa-tufa ushtarët me armë në dorë të cilët u përzien me civilët e armatosur buzë përroit, shumë afër kampit. Makinat, që merrnin mineralin, nuk u lejuan të futeshin brenda dhe u kthyen mbrapsht. Po ashtu edhe inxhinierët, teknikët, brigadierët dhe i gjithë personeli i lirë i minierës nuk u lejuan të futeshin brenda. Pas më shumë se dy orësh u dëgjua zhurma e motorit të helikopterit që u soll vërdallë përmbi kamp, gati duke prekur majat e pishave. Bëri dy tri xhiro mbi kamp dhe nuk e morëm vesh se ku u ul. Pas pak mbërritën dy makina dhe civilët që zbritën prej saj u futën në komandë. Të gjitha lëvizjet që bëheshin në komandë dukeshin shumë qartë, sepse ishim shumë afër. Ushtarët që na ruanin ditë e natë me automatikë në dorë u zëvendësuan me oficerë. Një civil, njëri prej atyre të cilët hynë në komandë doli e hipi në truprojën që ishte pranë godinës së oficerit të rojës. Ai foli me komandantin e kampit që vazhdonte të lexonte listën me emrat e atyre që duhet të dorëzoheshin dhe i tha:

– Mjaft lexove! – U drejtua nga ne, ngriti dorën, pa orën dhe tha: – Dëgjoni këtu. Keni 5 minuta kohë. Po qetë burra, mos u dorëzoni.

Ky person, siç u mor vesh më vonë, ishte këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme. Asgjë nuk pipëtinte. Të gjithë ishin të heshtur

Sokoli iu drejtua Tomës: – Hajde dorëzohemi. Të mos i marrim më qafë të gjithë shokët. Çdo rezistencë është e kotë. Këta janë kriminelë, të vrasin. Shiko si e rrethuan kampin me civilë, ushtarë e gra.

– Po, – tha Toma dhe u ngritën. Hodhi bishtin e cigares në tokë, e shkeli me këmbë dhe u drejtua nga ne.

Ata u përshëndetën me ne që nuk e kishim emrin në listë dhe u drejtuan për nga rrethimi i brendshëm. I pari që futi duart në kuadratin e telave me gjemba ishte Sokoli. Polici përtej telave i prangosi. Pasi lidhën më shumë se dymbëdhjetë të dënuar, hapën derën dhe policët, civilët dhe ushtarët u futën brenda në kamp. I morën të arrestuarit, i futën në një dhomë aty pranë dhe pasi i dyndën mirë e mirë në dru i hodhën në një makinë të zbuluar. Asnjë prej tyre nuk ecte me këmbët e veta. Britmat e rënkimet e tyre u dëgjuan deri sa makina na u zhduk nga sytë në kthesën e xhadesë. Brenda në kamp kishte më shumë civilë se policë të cilët filluan të rrihnin të dënuarit. Qëllonin sa iu hante krahu dhe kush t’iu dilte përpara. Më pas lexuan edhe disa emra të tjerë mes të cilëve ishte edhe emri im. Na futën në të njëjtën dhomë ku mbajtën ata që arrestuan para nesh. Ç’të shihje?! Dyshemeja e dhomës ishte e tëra e mbuluar nga gjaku. Sa në një cep në tjetrin syri të zinte copa drush të lyera me gjak. Nëpër faqet e mureve kishte gjithkund njolla gjaku. Pasi u futën në dhomë, policët e civilët filluan të na rrihnin. Qëllonin me shkelma e grushte se drunjtë ishin bërë të gjithë me gjak. Na nxorën jashtë ne, futën brenda të tjerë të dënuar që patën të njëjtin fat si tonin. Ndërkohë u dëgjua zëri i tellallit: “Turni i tretë të bëhet gati se do të dalë në punë.”

Puna vazhdoi si më parë. Vetëm se kur shkonim në galeri, çdo brigadë shoqërohej jo nga një, por nga disa policë me uniformë dhe disa civilë. Të rrahurat nuk pushonin. Dru në kamp, dru në galeri. Askush nuk guxonte të shikonte policin apo civilin në sy, kur na qëllonin me shkelma e grushte qoftë kur shkonim për në galeri, qoftë kur ktheheshim për në kamp. Pas disa ditësh na mblodhën përsëri në mensë. Mondi i shoqëruar nga policë e civilë u fut në mensë me një tufë letrash në dorë. Hera e parë që ishte i çelur në fytyrë dhe buzëqeshte. Të gjithë sa ishim brenda rrinim me kokën ulur si të ngrirë.

– Dëgjoni vendimin e gjykatës, – tha ai. – Sokol Sokoli e Tom Ndoja dënohen me vdekje, pushkatim. Të tjerët me dënime të ndryshme. – Mondi ulëriti përsëri: – A ka ndonjë trim që do të matet me ne? Le të dalë jashtë. – Doli nga mensa dhe u fut në zyrën teknike.

Në kamp tensioni sa vinte e shtohej. Civilët dhe policët e ardhur nuk po largoheshin. Shumë të dënuar që nuk realizonin normën, rrinin në galeri dy turne rresht apo dhe tre turne. Në fjetore s’na zinte gjumi nga frika dhe terrori. Polici, që vinte për kontroll në fjetore, po të të shihte zgjuar të kërcënonte se do të çonte në zyrën teknike. Atje të priste druri, e përplasura e kokës pas murit deri sa të lodhej polici. Ne nuk flinim nga frika. Sapo dëgjonim zhurmë nëpër shkallë e fjetores apo sapo kërciste dera e dhomës, ne i mbyllnim sytë nga frika se e dinim që ishte polici. Edhe kur polici merrte ndonjë të dënuar që ta çonte në zyrë teknike për ta torturuar askush nga ne nuk lëvizte kokën për ta parë.

Ishte fillimi i korrikut. Në minierë u shemb një front pune në galerinë 70/1, veriore quhej. Mali kishte zënë nën vete dy të dënuar. Njëri ishte nga Vlora, ndërsa tjetri nga Kolonja, por përpara se të arrestohej kishte qenë i internuar në Lushnje. Punuam tri ditë rresht me tre turne për të nxjerrë mineralin që binte vazhdimisht nga lart dhe më në fund e gjetëm kufomën e njërit. Të nesërmen tellalli thirri 12 emra që duhet të shkonin menjëherë në zyrën teknike. Vetëm emrin e dyve mbaj mend: Hamit Meli dhe Agim Hamiti. Ai ishte nga Dukati i Vlorës. Atë e mbaj mend që nga burgu i Spaçit ku edhe ishim njohur. Kishte qenë ushtar në Tale të Lezhës (brigadë pune) me vëllain tim, të ndjerin Vilson. Mësonin bashkë frëngjisht. Këtë radhë nuk na rrahën aq shumë. Dolëm jashtë me këmbët tona, jo si herët e tjera që mbaheshim pas murit. Na urdhëruan të merrnim plaçkat që kishim në depo se do të na transferonin. Na hipën në një makinë “Zis” të zbuluar, na lidhën njëri me tjetrin në dy tre vende dhe na fiksuan te sponti i makinës. Mondi pasi na kontrolloi një për një kyçin e hekurave u dha urdhër policëve: “Hajde, nisuni!”. Na shoqëronin dy makina, njëra pas dhe tjetra para makinës sonë. Makina përpara nesh ishte e mbushur me ushtarë të armatosur e ishin edhe dy qen kufiri të mëdhenj e pa shporta në gojë. Pas disa orësh udhëtim mes malit e pishave dolëm në kampin e Gurthit. Aty kaluam rrugën që të çonte në burgun e Spaçit. Përsëri në Spaç, në të njëjtën dhomë, në të njëjtin krevat. Të nesërmen në mëngjes na thirrën në zyrën teknike për të na nxjerrë në punë. Na caktuan përsëri në zonën e dytë e cila ishte më e vështira nga të gjitha zonat e tjera.

– Ju të Qaf Barit, rrini mirë, – e theu heshtjen operativi. – Mos na sillni turbullira se i patë shokët tuaj ku vajtën.

Miniera e Qafë Barit mori shumë jetë njerëzish. Siç edhe shpjegova më lart, dy të pushkatuarit në Kuç të Shkodrës dhe tetë të dënuarit e tjerë i vrau puna në galeri, dhuna e terrori i policisë që i detyronte të futeshin në hapësirat jashtë frontit të punës për të realizuar normën e kërkuar.

 

Të arrestuarit në Qaf Bari më datë 22 maj 1984

 

“Ata nuk iu nënshtruan frikës, por udhëtuan drejt vdekjes!”

 

  1. Sokol Sokoli – Lekbibaj, Tropojë;
  2. Tom Ndoja – Shllak, Shkodër;
  3. Haxhi Baçinovski – Fier;
  4. Bajram Vuthi – Fushë Kuqe, Krujë;
  5. Vllasi Koçi – Vlorë;
  6. Kostandin Gjordeni – Durrës;
  7. Lazer Shkëmbi – Dukagjin, Shkodër;
  8. Hysen Tabaku – Elbasan;
  9. Lush Bushgjoka – Lekbibaj, Tropojë;
  10. Martin Leka – Dukagjin, Shkodër;
  11. Sokol Progri – Salcë, Tropojë;
  12. Ndue Pisha – Theth, Shkodër.

 

Më pas pati dhe të arrestuar të tjerë, por ata nuk i ridënuan. Numri i tyre ka qenë rreth 13 vetë. Numri i të arrestuarve në revoltën e Qaf Barit ishte mbi 20 vetë, por vetë këta emra që përmendëm më sipër i bënë grup me qëllim që t’i dënonin me dënime të ndryshme.

Ja dhe vendimi Nr.2 i Gjykatës së Lartë dhe përbërja e saj.

Ky vendim me urdhër të prokurorit Skënder Breca do të ndryshohej me një vendim tjetër Nr.3.

Nga vendimi Nr.2, që hartuan të ardhurit me ngut nga Tirana në bashkëpunim me Degën e Punëve të Brendshme dhe hetuesit e rrethit të Pukës, nuk ishin aq të bindur se mund të arrihej skenari që kërkohej për të derdhur gjak, e ndryshuan përmbajtjen e vendimit dhe e kaluan në Vendimin Nr.3, duke i bindur të gjithë hartuesit e vdekjes që tani ishin të sigurt dhe shumë më të qetë vendosën se kurbanet e kësaj revolte do ta kënaqnin udhëheqjen në Tiranë kur ta informonin për vendimet e derdhjen e gjakut. Komunistët e kishin si oksigjen, gjakun që derdhnin nga të pafajshmit. Ata dinin të hartonin, thurnin intriga, plane vdekjeje për t’i shpërndarë më pas me shpejtësi e jehonë si të vërteta të besueshme. Terroristët komunistët ushqimin e parë kishin gjakun e njerëzve të pa fajshëm siç është rasti i 22 majit 1984 në burgun e Qaf Barit në rrethin e Pukës.

Mbi denimin me vdekje

Dokumenti apo urdhri i ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Hekuran Isai, që urdhëronte datën dhe orën e ekzekutimit të dy të dënuarve me vdekje (pushkatim) Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, ka në fundin e fletës një shënim me dorë në të cilin shkruhet: “Shënim: Me porosi të Sh.Ministër dy të dënuarve që do të pushkatohen sytë e tyre tu jepen Ministrisë Shëndetësisë për punë shkencore. Drejtori z.b.v. penale (emri i të cilit është i palexueshëm sepse është fshirë).

Data 9/VI/1984 dhe në fund firma”.

Unë kam gjetur një dokument në arkivat sekrete i cili bën fjalë për mua personalisht. Në kohën kur vdiq diktatori, unë nga gëzimi që mora këtë lajm, fola në mensë kur po hanim mëngjesin. Pas një muaji biruce e torturash në Spaç më çuan në Rrëshen për një “vizitë” dhe më mbyllën në Degën e Punëve të Brendshme e pas 2-3 javësh hetuesi nënkryetarin me Degës Bajram Pela, një ditë disa persona (oficerë sigurimi) të ardhur nga Tirana më thanë se nuk do më ridënonin, por do më izolonin në burgun e Burrelit pasi të më nxirrnin para kampit me të dënuar që unë të mos shaja dhe të mos fyeja asnjë nga punonjësit e sistemit. Gjithashtu më thanë që unë duhet të bëja autokritikë dhe ta ndieja veten fajtor  që kisha folur ditën e vdekjes së E. Hoxhës. Më konkretisht do të lexoni vendimin. Dokumenti që unë po paraqes më bindi se emri i prishur në shkresën e mëparshme ishte Dhimitër Kristafi, sepse shkresa që bën fjalë për izolimin tim thotë: “Drejtori i zbatimit vendimeve penale – Dhimitër Kristafi – firma”.

Mbas vendimit të trupit gjykues të Gjykatës së Lartë i cili dënoi me vdekje, pushkatim Sokol Sokolin dhe Tom Ndojën, Ministria e Brendshme ngarkoi Degën Punëve të Brendshme të rrethit Shkodër për hartimin e planit dhe ekzekutimin e të dënuarve.

Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme e miratoi dhe ngarkoi shefin e policisë së rrethit Shkodër të bënte organizimin e vrasjes. Më qartë lexoni planin e masave dhe emrat e personave të cilët do të merrnin pjesë në ekzekutim, itinerarin se nga do të kalonin makina me të dënuarit dhe një makinë tjetër e cila do t’i shoqëronte, kush do të hapte gropën e kush do t’i shoqëronte. Po këtu kemi dhe një plan të tmerrshëm po të ministrit të Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, që thotë se mbasi të ekzekutoheshin t’u nxirrnin sytë, poshtë emri dhe firma e personit që përçon urdhrin e Ministrisë së Brendshme.

Sipas ekspertizës së bërë në morgun e Tiranës, del se Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli nuk janë qëlluar në kokë, por në gjoks ku brinjët e tyre janë bërë copë-copë nga kallashnikovi.

KRIM PAS KRIMI

Një histori tronditëse

Urdhër pas urdhri, shkresa të shumta, mënyra se si do të organizohen e do të ndajnë detyrat. Pas urdhrit të ekzekutimit caktohen pushkatarët, të lidhur duart mbrapa e me litarë të lidhur tek hekurat e cepin tjetër të litarit e mbante një nga pushkatarët e zinxhirët nëpër këmbë ata ecin krenarë të vetëdijshëm se ku po shkojnë. Kjo është rruga pa kthim. Anash i mbajnë për krahësh policët me kapuç në kokë ecnin të heshtur Sokol Sokoli dhe shoku i tij i krenarisë dhe i guximit Tom Ndoja.

E dinë se do vdesin, por këta dy heronj nuk dinë një gjë tjetër, çfarë do të bëhet më pas me trupat e tyre pa u ftohur gjaku, pa u ndërprerë currili i gjakut që del me shkulm atje ku e ka shpuar plumbi i mallkuar. Skuadra e pushkatimit është urdhëruar që të mos i qëllojë në kokë, por në zemër. Pse do pyes ndokush dhe nga i di unë këto që po rrëfej?

Pas shumë përpjekjesh më ra në dorë një shkresë dhe po e radhit ashtu siç është shkruar e urdhëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Në fund të shkresës në të majtë ka një shënim me dorë, që Tomë Ndojës dhe Sokol Sokolit mbasi të ekzekutohen t’u nxirren sytë. E tmerrshme, e frikshme, tronditëse! Unë pyes: Të gjithë ata që i ekzekutojnë u nxjerrin sytë? Pra, mjeku që merr pjesë, kjo qenka arsyeja e pjesëmarrjes së tij?! Me bisturi, kaçavidë a po me majën e bajonetës u nxjerr sytë të pushkatuarve?

Po Gencit e Vilsonit natën e 17 korrikut tek “Përroi i Firarit” mbasi i vranë doktori do t’ua ketë nxjerrë sytë? Unë doktorin e njoh,  e kam gjetur, por kam shumë frikë ta pyes. Jo, jo kurrë nuk kam për ta pyetur. Me siguri që nuk do të më tregojë. Ja dhe ata që e kanë mbështetur dhe i kanë shërbyer kësaj piramide të krimit, por a do të ndodhë që këto krime të kenë një autor e të përgjigjet për to? A do të ketë një kohë që t’i ndëshkojë gjakderdhësit komunistë? A do të dalë dikush që ta zëri demin për brirësh? Kjo mund të ndodhë, por jo nga ata që përpiqen t’ia shtojnë e të ngrohin vezët e gjarprit!

Qeveritarët e Parlamenti përpiqen të mbulojnë këto krime monstruoze. Nuk duan t’ua heqin pluhurin dosjeve të krimit, madje shkojnë edhe më tej. Shumë kriminelë e vrasës i kanë marrë në mbrojtje, duke i veshur me partishmëri dhe imunitet.

RRUGA PËR NË KRIM

 

Ja dhe proces verbali për ekzekutimin me vdekje (pushkatim) të të dënuarve Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja. Këtu është shkruar qartë kush qëlloi mbi ata. Po ashtu edhe fjala e fundit e tyre më hollësisht lexoni raportin i cili është përgatitur më parë me makinë shkrimi, duke lënë bosh vendin e emrave se kush do të merrte pjesë në ekzekutim. Këta emra janë shkruar me dorë dhe me bojë të zezë. Po ashtu edhe fjala e fundit e të dy të dënuarve para se t’u zbrazej kallashi në gjoks është shkruar me dorë e me një tjetër bojë. Në proces verbal është data dhe ora e ekzekutimit gjithashtu dhe shkresë përgjigja e Kuvendit Popullor që refuzoi faljen e jetës së dy të dënuarve me vdekje, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja. Në fund të proces verbalit janë edhe emrat e skuadrës së pushkatimit dhe emri i mjekut që (patjetër sipas dokumentit) u ka nxjerrë sytë. Sipas disa informacioneve, sytë e të dy ekzekutuarve janë në morgun e spitalit të futur në një solucion që garanton ruajtjen e tyre për 40 vjet.

NË ERRËSIRË

Kujtimit të Sokol Sokolit e Tom Ndojës, pushkatuar më 8 qershor ora 00.00 1984, Shkodër

Gërmuan vrasësit tokën e butë

Hëna kullonte gjak mbi bajoneta

Nën rreze gjaku gjaksat mbollën kufoma

Nga lart heshtëte vigjëlon antena

 

Në mëngjez të nesërmen një kal

Tërkuzet e s’kullot si përditë në lëndinë

Ndjen plumbat që u shkrehën gjakun që u derdh

Kufomat fshehur në natën që nxin.

 

Shkojnë vite kalin prapë era e gjakut

E ndiell dhe e ndal te gropa e fshehtë

Cep më cep i bije fushës, por kthehet

Te varret e humbura shkelur pa ditë e pa net.

 

Antena lart heshtëte, jepte lajme në fitore

Veç kali atë bar se ha e rreh e shkelmon

Antena e di: Sokolin dhe Tomën aty i vranë

Në një natë ku veç hëna krimin vajton.

 

Kali i ndjen krismat therur në gjak

Kali barit i trembet i bije me shkelm

Dhe një ditë uli kokën u tret e u mpak

Mbi fushën mbjellur me varre e me helm.

 

Tom Ndoja

Arrestuar në Qaf Bari më 22 maj 1984. Torturuar në birucat e errëta të Pukës. Dënuar në zyrat e krimit po në rrethin e Pukës të ardhurit nga Tirana dhe e bënë të tyren. Pushkatuar në Qytetin e Shkodrës në fshatin Kuç, në vendin e quajtur antena e radios, natën e 8 qershorit 1984 në orën 00.00.

Sokol Sokoli

Arrestuar më 22 maj 1984. Emri i tij dhe i Tom Ndojës u thirrën të parët në listën për t’u dorëzuar. Sokol Sokoli u caktua nga hetuesia e Tiranës si kryetar dhe udhëheqës i revoltës. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua bashkë me mikun e tij Tom Ndoja më 8 qershor në orën 00 në Kuç të qytetit të Shkodrës. Fotografia është marrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Tom Ndoja

Arrestuar më 22 maj 1984 dhe u pushkatua më 8 qershor 1984 në orën 00 bashkë me mikun e tij Sokol Sokoli, groposur po bashkë në fshatin Kuç të qytetit të Shkodrës. Fotografia është marrë nga Arkivi i Ministrisë së punëve të Brendshme.

Martin Leka

Një nga të arrestuarit më 22 maj 1984 në revoltën e Qaf Barit. Martini u dënua bashkë me dymbëdhjetë të tjerët me 16 vjet heqje lirie.  Fotografia është marrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Haxhi Baxhinovski

Arrestuar më 22 maj 1984 në revoltën e Qaf Barit dhe u dënua me 21 vjet heqje lirie. Fotografia është marrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të  Brendshme.

Haxhi Baçinvoski, djali kosovar i, dënuari i revoltës së Qaf Barit dhe i izoluar në burgun e Burrelit, i pa shpresë se do ta shihte veten përsëri të lirë, ja çfarë shkruan në një ditë dëshpërimi nga dhimbja e këmbës e dorës së thyer gjatë torturave në dhomën e takimit në Qaf Bari, pasi u dorëzua ku e lidhën dhe e sakatuan duke e dendur në dru:

“Ç’bëni kështu more kriminelë!

Quhem Haxhi Baçinovski – pinjoll i një familjeje luftëtarësh, që qëndruan në malet e Kosovës· 15 vjet me radhë me armë në dorë. Jam arrestuar në radhët e ushtrisë në vitin 1981, krimi agjitacion e propagandë. Në maj 1984 arrestohem përsëri, por kësaj radhe si pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare, fantazi e bandës kriminale të Sigurimit të Shtetit. (Imagjino organizatë kundërrevolucionare e krijuar brenda telave me gjemba e grykës së mitrolozëve). Sot gjendem në burgun mesjetar të Burrelit, natyrisht mbas një torturimi fizik dhe psikik dhe një gjyqi me dyer të mbyllura.

Nuk përshkruhen krimet e gjenocidit që ushtrohet mbi popullin shqiptar nga regjimi juaj, duhen penat e sociologëve e shkrimtarëve të të gjithë botës dhe zor se do të ishin në gjendje me e portretizue këtë realitet tragjik. Por desha t’ju pyes ju çfarë i kam ba unë shtetit konkretisht dhe kush jam unë? Një njeri krejt i thjeshtë me arsim fillor, pra kuptohet edhe aftësia ime për t’ju rrezikuar juve pushtetin. Për të tilla “krime” asnjë lloj regjimi diktatorial as që do të merrte mundimin me më pyetë dhe jo më të më merrte rininë dhe krejt jetën time, përveçse regjimi juaj gjakatar. Ku keni ju gojë të flitni për humanizëm apo për të drejtat e njeriut, kur ju keni 46 vjet që torturoni një popull tre milionësh që Shqipërinë e keni kthyer në burg 28 mijë km2 {…}. Ju, me paturpësi arritët me i bë telegram Nelson Mandelës, duke e ngushëlluar për “vuajtjet” në burgjet raciste, kur ai ban burg me çokollata dhe është politikan i deklaruar dhe kur në burg takon gazetarë e personalitete nga e gjithë bota dhe në rast sëmundjeje, kurohet në klinika private. Kurse mua, e qindra si unë, njerëz të zakonshëm, nuk lejohet as shokë, as miq, as farë e fis, vetëm familja në takim dhe ky takim vetëm 10 minuta në muaj nëpërmjet një sporteli të blinduar ku nanat tona nuk na shohin vetëm 1/3 e fytyrës. Po kufizimi i ushqimit në dy kg në muaj. A ka krim më çnjerëzor se një trajtim i tillë dhe kundër kujt pa? kundër njerëzve të pafajshëm. Jua drejtoj këtë letër me qëllim përgjigje dhe përgjigjja juaj do të jetë ekzekutimi im. Por jam krenar t’i jap fund këtij poshtërimi dhe asgjësimi të ngadalshëm. S’kam frikë nga vdekja, se jam pjellë e atyre që veç pushka i ka marrë dhe vdekjen e kanë përbuzë. Natyrisht që ju nuk do të keni kurajo me më ekzekutu direkt, por me metoda të stërholluara siç keni ba tash e 46 vjet, por dije se gjithë shqiptarët nuk do t’i shfarosësh.

I dënuari politik, Haxhi Baçinovski, Burrel.

Bajram Vuthi

Arrestuar më 22 maj 1984 në revoltën e Qaf Barit dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. Fotografia është marrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kostandin Gjordeni

Arrestuar më 22 maj 1984 në revoltën e Qaf Barit dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. Fotografia është marrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Vllasi Koçi

Arrestuar më 22 maj 1984 në revoltën e Qaf Barit dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. Fotografia është marrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Hysen Tabaku

Arrestuar më 22 maj 1984 në revoltën e Qaf Barit dhe u dënua me 11 vjet heqje lirie. Fotografia është marrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Hysen Tabaku lindi në vitin 1961 në qytetin e Elbasanit. Me të u njoha në kampin shfarosës të Spaçit. U takuam sërish në ferrin e Qaf Barit, më pasi jemi transferuar nga Spaçi në kohë të ndryshme.

Me rastin e shpërthimit të revoltës më 22 maj 1984, Ceni do të ishte përkrah të tjerëve, që iu bashkuan dhe mbështetën Sokol Sokolin e Tom Ndojën. Jam përpjekur me anë të disa miqve të mi nga Elbasani që të më gjejnë informacion për Hysen Tabakun, por qe e pamundur. Ceni vetë nuk jeton më. Ai e humbi jetën në rrethana të panjohura në vitin e mbrapshtë 1997 në qytetin e lindjes nga revolucioni i armatosur komunist.

Sokol Progri

Arrestuar më 22 maj 1984 në revoltën e Qaf Barit dhe u dënua me 25 vjet heqje lirie. Fotografia është marrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sokol Progri ka humbur jetën aksidentalisht para disa viteve.

Lazër Shkëmbi

Arrestuar më 22 maj 1984 në revoltën e Qaf Barit dhe u dënua me 12 vjet heqje lirie.

Lush Bushgjaka

Arrestuar më 22 maj 1984 në revoltën e Qaf Barit dhe u dënua me 12 vjet heqje lirie.

Ndue Pisha

Arrestuar më 22 maj 1984 në revoltën e Qaf Barit dhe u dënua me 25 vjet heqje lirie.

Qaf Bari – Pukë

Image result for burgu i qafe barit

Kjo pamje e burgut të Qaf Barit është marrë pas revoltës së 22 majit 1984. Atëherë nuk ka qenë e vendosur stenda me foton e diktatorit. Nëpër mure kishte të shkruara vetëm budallallëqe dhe poshtë rreshtave ishte e shkruar me të kuqe fjala “Enver”. Në këtë foto është vetëm gjysma e kampit. Dritaret e dhomave ishin me xhama dopjo për shkak të të ftohtit të madh. Në dimër, shpesh herë flinim të veshur se bënte cikmë, por nëse e merrte vesh polici ose na shikonte gjatë kontrollit që bënte natën nëpër kapanon, atëherë të zgjonte e të merrte në zyrën teknike ku të zhdëpte në dru me shkelma e grushte deri sa të gdhinte, duke ironizuar se ai s’kishte si ta kalonte turnin e tretë e se s’kishte se ç’të bënte ndaj merrej me ty.

Gjatë kërkimeve që bëra në bodrumet e Sigurimit famëkeq, ku flenë me mijëra dosje nën erën e mykut e të pluhurit që shtohet dalëngadalë në vite, duke e fshehur edhe më thellë të vërtetën, mes një grumbulli letrash, në një dosje me kapakë të çjerrë ishte ende i paprishur një shënim me laps të kuq “b.p.” në kampin e Qaf Barit. Ia shkunda pluhurin, ia zgjidha shiritin e zi, hapa faqen e parë dhe lexova: b.p. “Liqeni”. Kishte shumë emra që i raportonte ky b.p., por unë shkëputa vetëm pjesën që raportonte emrin tim. Do të lexoni e shihni shkrimin e llogaritarit të fermës së Krumës.

Ja dhe raporti në Qaf bari, prej të cilit mua më transferuan dhe më sollën përsëri në Spaç. Këtu zbulohet edhe personin i cili më kishte raportuar. Do të lexoni se kush ishte b.p. “Liqeni” dhe, kur ishte rekretuar nga Sigurimi i Shtetit. Do të lexoni edhe se për punën e “mirë”, që kishte bërë, sigurimi e shpërbleu b.p. “Liqeni” duke e liruar nga burgu.

 

Burgu famëkeq të Burrelit

Image result for burgu i burrelit

 

Kjo është fusha tek e cila ne dilnim në ajrosje një orë paradite dhe një orë pasdite. Pjesën tjetër të kohës, pra 22 orë, rrinim të kyçur nëpër dhoma. Çdo gjë e bënim në dhomë, përfshi këtu edhe nevojat personale. Edhe kur i binim derës për të shkuar në banjë, polici që rrinte përgjatë korridorit, ofrohej te sporteli dhe çirrej, duke bërtitur se kush i kishte rënë derës. I vrenjtur dhe i nxirë në fytyrë kërcënonte në sportelin e derës së dhomës që kishin trokitur: “Dera nuk hape sikur këmbës t’i bini. Nuk paski vdekur. Unë zbatoj rregulloren. Rrini urtë se ganxha është gati!”. Ganxha ishte një hallkë e vendosur në mur që kishte mbetur qysh më përpara. Kjo hallkë përdorej për të lidhur kuajt kur kjo ndërtesë ishte haur ndërsa në kohën e socializmit përdorej për të lidhur të burgosurit politikë.

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

Please follow and like us: