Bedri BLLOSHMI: Revolta e Qafëbarit dhe terrori komunist, 1943-1990 (6)
Biseda në burgun e Burrelit – 1986
Gjatë gjithë kohës që isha në burg asnjëherë nuk më është larguar pamja e tmerrshme e ajo ngjarje gjak ndjellëse në burgun e Qaf Barit. Pasi më transferuan në burgun e Spaçit e pas një viti, me rastin e 1 prillit 1985, më riarrestuan e më mbyllën në Degën e Punëve të Brendshme në Rrëshen. Kryetari i Degës, Bajram Pela, më solli përsëri në burgun e Spaçit ku më “demaskuan” para të dënuarve e më pas më mbyllën në burgun e Burrelit. Shpesh herë mendohesha për guximin e treguar atë ditë në përplasjen me policinë e dhunshme të diktaturës dhe në hapjen e zjarrit nga oficeri i rojës e më pas nga të gjithë truprojat. Askush nga të dënuarit nuk u ndal, askush nuk u tremb, por vazhdonin ta detyronin policinë e tmerruar të dilte jashtë kampit. Kostandin Gjordani edhe pse gjaku i rridhte curril nga shpatulla, që e plagosi oficeri i rojës, i ndiqte nga pas Sokol Sokolin, Tom Ndojën, Haxhi Baxhinovskin, Sokol Progrin, Martin Lekën e gjithë të tjerët. Të bënte përshtypje dhe të habiste forca e guximi i papërmbajtur i dy të parëve. Guximi e forca i veprimeve burrërore të Sokol Sokolit i bënte të dënuarit e tjerë të influencoheshin dhe të përfshiheshin në këtë dallgë urrejtje përplasjeje të paimagjinueshme të asaj dite maji. Njëri pas tjetrit, si thithje magnetike, thërrisnin e brohorisnin se liria po fitohej, se policia u gjunjëzua dhe ia mbathi jashtë telave të rrethimit të brendshëm.
Askush nga ata nuk mendonte dhe as ndjente frikën. Ata i morën parasysh dhe i prisnin pasojat me qetësi dhe guxim. Ishin shumë të lidhur njëri me tjetrin. Mjaftonte një fjalë të thoshte njëri në rrethin shoqëror e krahinor të tyre ata grumbulloheshin sikur mbinin nga dheu. Ata e vlerësonin, nuk kishin mëdyshje dhe praktikonin traditën e lashtë të malësorit, fjalët “besa besë” apo “në besë tuaj burra”. Ata bëheshin të papërmbajtshëm, shumë energjik dhe e justifikonin me vepra të guximshme fjalën “në besë tuaj burra”. Kështu ndodhi më 22 maj 1984 në ferrin e Qaf Barit. Kjo ishte fjala e njërit prej të dënuarve të cilin policia e mori dhunshëm nga mensa duke e tërhequr zvarrë e goditur me shqelma e grushte drejt portës për ta çuar në galeri dy turne rresht sepse nuk kishte bërë normën. Atëherë i dënuari i gjendur nën breshërinë e goditjeve të pa kontrolluara të egërsisë së policëve, të vetmen gjë që dinin të bënin mirë, mblodhi forcat u mbush me frymë ulëriti: “Në besën tuaj burra!”. Kaq u desh çdo gjë doli jashtë kontrollit dhe ndodhi ajo që ndodhi dhe tani po shkruhet.
Në burgun e Burrelit, në dhomën ku më futën, gjeta Haxhi Baxhinovskin, një nga të arratisurit nga Kosova si familje që në 1923, i ridënaur në revoltën e Qaf Barit dhe shok i afërt i Sokol Sokolit e Tom Ndojës. U përqafuam, u përlotëm e shikonim njëri-tjetrin në sy pa folur. Pas pak munda t’i flas Haxhiut: “Si je? Ke marrë haber nga shtëpia, si janë? Si e ke këmbën, po dorën? Të ka zënë mirë? Të dhemb?” “Jo Bedri – m’u përgjigj – e kam më mirë. Pata shumë dhimbje kur e kisha në allçi. Tani ndjej dhimbje vetëm kur ka vranësira. Nga shtëpia mirë janë, më kanë dërguar letra.” Biseda vazhdoi duke kujtuar ditën e tmerrshme të Qaf Barit, atë ditë llahtari të pashlyer nga kujtesa jonë. Haxhiu vazhdoi të më pyeste në kishte ndonjë të re për Sokolin e Tomën se flitej të ishin gjallë. “Haxhi – i thashë – këto fjalë i kam dëgjuar dhe unë Spaç, por unë nuk i besoj. Kam dëgjuar biseda të burgosurish se i kanë hequr nga Dega e Punëve të Brendshme të Pukës dhe i kanë çuar në Shkodër. Megjithatë nuk i dihet. Kur më hoqën nga Spaçi e më çuan në Degën e Punëve të Brendshme të Pukës, atje më futën në një dhomë të madhe brenda së cilës ishte vetëm një i dënuar. Polici, pasi më goditi me një shkelm në prapanicë, mbylli derën e birucës e s’u duk më, i fola atij që rrinte strukur në cepin e dhomës: “Si je? Si e kaloni? A jeni mërzitur?”. Ai vetëm më shikonte e nuk më ktheu përgjigje. Dukej i traumatizuar. U shtriva mbi dërrasat e dyshemesë dhe nuk e vazhdova më bisedën. Pas pak dera e birucës u hap dhe u duk kapteri i cili ulëriti: “Ti, që rri shtrirë, çohu e merr bukën.”. Unë iu përgjigja: “Nuk e dua. Dua të di përse më keni sjell këtu dhe në ç’vend jam.”. Më hodhi një copë bukë në mes të dhomës dhe hungëriti: “Në daç haje, në daç mos e ha dhe kur të flasësh me ata që hapin derën çohu në këmbë. Ti i di rregullat se nuk je i burgosur i ri. Të mos e fillojmë kërbaçin që sot se ke kohë për të ngrënë dru.”. E mbylli derën dhe u largua përgjatë korridorit, duke lënë pas zhurmën e hapave. Atë ditë ishte një zhurmë e madhe. Një derë biruce hapej, një tjetër mbyllej. Dëgjoheshin të shara, të goditura pa pushim e rënkime e britma që dilnin nga thellësia e shpirtit. Ne, që ishim brenda, nuk kuptonim se çfarë po ndodhte, por një gjë merrej me mend: diçka e veçantë kishte ndodhur. Policia ishte e alarmuar. Pas pak më foli shoku i dhomës që gjeta aty:
“- Nga vjen, nga Qaf Bari?
– Jo, – i thashë, – nga Spaçi.
– Po në Qaf Bari ishe kur u bë revolta? I ke njohur ata që u dënuan?
Po,- i thashë – të gjithë ata që u ridënuan dhe ata që u dënuan me vdekje. I kam njohur që në burgun e Spaçit. Na transferuan pjesë-pjesë dhe u bashkuam në Qaf Bari përsëri.
– Të lutem, – më tha – ule zërin, se do na dëgjojë polici te dera e futet brenda e të mbyt në dru. Aman se nuk duroj dot më! Jo vetëm ty, por më godet edhe mua, sepse ka ndodhur disa herë, që polici dëgjonte bisedat në korridor, hynte brenda dhe i godiste të gjithë sa ishin në dhomë. Aman se ç’kam hequr unë këtu, vetëm varrit do t’ia tregoj!
– Sa je dënuar? – i thashë.
– 25 vjet – m’u përgjigj ai.
– Hajt mos u mërzit, – i thashë – se ke shokë. Dhe unë 25 vjet jam dënuar. A mund të të pyes për diçka? – vazhdova unë
– Po, por aman fol me zë të ulët, aman, të lutem, se polici përgjon pas derës.
– Me siguri ke kohë që të kanë izoluar këtu në Degën e Punëve të Brendshme të Pukës. A ke dëgjuar gjë për ata të dy që u dënuan me vdekje (pushkatim), Sokolin dhe Tomën? Fjalë birucash me të dënuarit e tjerët, se fjala del, ti e di. Nga i çuan pas dënimit? Ç’u bë me ata?
– Po, po shumë, – m’u përgjigj.- Këtu, para ca kohësh, qarkullonin fjalët se i kanë çuar në Shkodër. Një ditë kur më erdhi familja në takim kisha ca plaçka personale të cilat do t’ua jepja dhe i them policit që t’i merrja në depo. Kur polici hapi derën e një dhome të vogël më ranë në sy dy çanta të lidhura njëra me tjetrën. Njëra çantë kishte të shkruar me germa të mëdha Sokol Sokoli, tjetra Tom Ndoja. Ishin të hapura dhe njëra nga ato, nuk e mbaj mend emrin e çantës, kishte dy filxhanë kafeje të pa larë dhe një xhezve të vogël. Seç u bë më vonë me ato çanta, unë s’kam marrë vesh gjë. Por e sigurt është, që ata i kanë çuar në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës. Këto fjalë qarkullojnë nëpër biruca me të dënuarit kur i lëvizin.”
– Haxhi, vetëm kaq, fjalë biruce ke mësuar për Sokolin e Tomën?
– Po ty Bedri, pse të çuan në Pukë? Çfarë të thanë? – më pyeti Haxhiu.
– Haxhi, pas 3-4 ditësh, në birucë më erdhi një civil i cili më pyeti: “Kur ke qenë minator në Qaf Bari, mos kishe mbledhur dinamit me qëllim që, kur të gjeje rastin, të hidhje në erë galerinë dhe më të arratiseshin të dënuarit?”. Unë qesha Haxhi me të madhe. “Pse qesh?”, trashi zërin civili. “Qesh se qenka përrallë e bukur kjo. Atëherë sipas jush pse nuk e kam bërë këtë?” “Se ke bërë sepse e dije që të ikte koka.” “Sipas jush, në kohën që e kam grumbulluar dinamitin, nuk e dija që do të më fluturonte koka po ta bëja atë veprim. Atëherë pse më pyesni, çfarë prisni t’iu them unë? Lëreni këtë sajesë e mendoni të trilloni ndonjë gjë tjetër nëse doni të më dënoni sërish. Sa për grumbullimin e dinamitit, s’keni përgatitur gjë. Mua këtu më keni. Ju e dini si trillohen intrigat. Pse kaq pa shije këtë herë? Të paktën të hahet pak.” “Mirë, mirë – tha civili – do flasim.” Doli e duke ikur më tha se do të ma rregullonte ai qejfin. Pas 5-6 ditësh më hodhën hekurat, më çuan në kaush në Tiranë dhe më pas më sollën këtu në Burrel. Pas ca ditësh, nga lëvizjet që policia bënte me të dënuarit nëpër dhoma, sollën në dhomë Sokol Progrin. Ambienti i mbyllur e kishte lodhur pak. Tragjeditë në familje, pushkatimet e varje në litar, me zor i përballonte. Të njëjtat biseda bëmë dhe me Sokolin për Tomën e Sokol Sokolin. Nuk donte ta besonte se ata s’ishin më. Por kjo është e vërtetë me sa di unë. Haxhi, s’më the gjë si vajti halli në Degën e Punëve të Brendshme të Pukës? A iu torturuan shumë? Megjithëse juve iu bënë fërtele, që atje, në Qaf Bari. Ende e kam para syve kur iu hidhnin në makinë si thes me çimento.
– Bedri, sapo na çuan në degë, mua më mbyllën në një dhomë disi të madhe bashkë me Tomën. U fut policia brenda e na mbytën në dru. Fytyra e Tomës ishte fryrë e enjtur nga të goditurat, aq shumë sa me zor i hapte sytë. Mua, siç e di, ma thyen këmbën e dorën e majtë që në Qaf Bari. Shpesh herë më binte të fikët nga dhimbjet. Toma më ka habitur Bedri! S’pushonte së foluri me përbuzje dhe urrejtje për të gjithë me radhë. Ishte trim i papërkulur Policët hapnin derën, futeshin brenda duke na goditur me shqelma e grushte derisa lodheshin. Sapo iknin e mbyllnin derën i thosha Tomës: “Po rri, mos fol more burrë, se na dërrmuan, na e morën shpirtin.”. Në mes të dhomës ishte një ganxhë, Bedri. Toma më tregonte: “Ja. këtu kam qenë i lidhur kokë e këmbë, mbas kësaj ganxhe, në dënimin e parë. Dhe ja, tani, fati e solli të më mbyllnin prapë në këtë dhomë.”. Pas 3-4 ditësh më hoqën nga ajo dhomë. Më ndanë nga Toma. Vetëm kur na bënë gjyqin në katin e dytë të Degës u pamë përsëri. Si Toma ashtu edhe Sokoli e kishin fytyrën të enjtur. Madje Sokoli syrin e majtë dhe faqen i kishte komplet të nxirë. Dhe kur gjykata dha vendimi me vdekje për Sokolin e Tomën, aspak nuk iu drodh qerpiku asnjërit. Qëndrim më burrëror nuk kam parë ndonjëherë, Bedri. Ata qëndruan trima e sy pa trembur, si atë ditë në Qaf Bari, kur i vunë përpara policët të cilët nuk dinin nga të shkonin. Na torturuan shumë që në dhomën në Qafë Bari. Bedri, atje nuk merrej vesh se me ç’na qëllonin, me grushte e shkelma apo me drunj. Na hidhnin njëri mbi tjetrin e pastaj hipnin edhe vetë mbi ne, duke na goditur me këmbë e gjithë urrejtje thoshin: “Do t’ua marrim shpirtin ju trimave! Të gjithëve do t’iu vrasim! Do t’u shtypim si mizat! Do ta shihni.”.
– Po dëshmitar, cili nga të burgosurit doli, o Haxhi? Po policët iu dolën dëshmitarë? Po Mondi, erdhi në gjyq? Çfarë thanë?
– Bedri, shumë nga të dënuarit dëshmuan, po ashtu dhe disa policë dhe Mondi folën e çfarë nuk thanë! Ne nuk pranuam asgjë.
– Po ju të dymbëdhjetët, që u dënuat, a patët probleme me njëri-tjetrin? – vazhdova ta pyes unë Haxhiun.
– Bedri, ne hoqëm gjithë ato tortura në hetuesi. Nuk pushoi druja asnjë sekondë, natë – ditë. Pati edhe nga ata që thanë gjëra të paqena nga e keqja. Pastaj edhe ata i dënuan. Jo të gjithë i durojnë torturat, ti ke bërë hetuesi edhe vetë, ç’të të them unë.”
Bëheshin shumë shpesh lëvizje nëpër dhoma në burgun e Burrelit. Pas ca muaj u ndava me Haxhiun dhe nuk u takuam më deri ditën e lirimit tim më 29 mars 1991 kur dola nga burgu i Burrelit. Haxhiun e shumë të tjerë i kishin transferuar në burgun e Kosovës në Lushnje nga ku u liruan po më 29 mars 1991.
Kërkimi i familjes për gjetjen e eshtrave të groposura të Sokol Sokolit
Siç kam thënë dhe më lart, Sokol Sokoli ka qenë jetim sepse prindërit e tij kishin ndërruar jetë shumë herët. Sokol Sokoli ka një xhaxha i cili quhet Gjon Sokoli dhe djemtë e tij janë: Simoni, Arbeni, Deda dhe Eduardi e sipas rrëfimit të këtyre djemve, ata kanë kërkuar gjithkund për gjetjen e eshtrave të Sokolit. Ata kanë pyetur, janë interesuar nëpër njerëz të ndryshëm, duke iu ofruar edhe para atyre që kishin informacion rreth kësaj çështje. Kanë shkuar me dhjetëra herë në Degën e Brendshme të Shkodrës, por askush nuk i ka pritur për t’u thënë një fjalë apo dhënë ndonjë informacion për groposjen e Sokolit edhe pse aty, në zyrat e krimit, flinte plani i hartuar nga Dega e Punëve të Brendshme. Ata me siguri e dinin se ku ishin vrarë e groposur. “Krimineli e mban mend vendin ku ka kryer krimin”, thonë, por është dhe shumë e vërtetë se kriminelët pasi stërviten për të kryer krimin, ambientohen me derdhjen e gjakut dhe më në fund këta vrasës, betohen se do të fshehin çdo gjurmë e çdo shenjë, duke mos harruar asnjëherë.
Këta djem (kushërinjtë e Sokolit) kanë shkuar disa herë edhe në Qaf Bari dhe kanë gërmuar, sipas informacionit të dhënë, te vendi ku ishin groposur (në rrënjët e pishave shekullore) disa të dënuar të tjerë të cilët ishin vrarë gjatë punës në galeri ku punohej jashtë çdo kushti të sigurimit teknik.
Më pas, bazuar te disa të dhëna nën zë të punonjësve të nënstacionit të Radio Shkodrës, kanë gërmuar edhe në Kuç, por pa asnjë rezultat.
Kërkimet kanë vazhduar në çdo drejtim. Me ndihmën e miqve dhe shokëve na ra në dorë proces-verbali i fjalës së fundit të Sokol Sokolit e Tom Ndojës, natën dhe orën e fundit në vendin e pushkatimit. U siguruan që vendi ishte i saktë dhe se ishte në nënstacionin e radios në Kuç, aty ku familjarët kishin kërkuar dhe vazhduan të kërkonin, por saktësi nuk kishte.
Xhaxhai i Sokolit dhe djemtë e tij kurrë nuk e kanë bërë gjumin të qetë në familjet e tyre dhe këtë ma tregoi Simoni, kushëriri i të ndjerit Sokol, po ashtu edhe xhaxhai i Sokolit, zoti Gjon, në bisedat që bënim në shtëpinë e tij. “Do t’i gjejmë patjetër zoti Gjon, mos u mërzisni!”, i thosha. “Ah, Bedri, nuk besoj në këtë që më thua”, ma kthente ai. Kur i dhashë një foto të Sokolit, në të cilën ai ishte me një sy të mbyllur nga torturat, që e gjeta në arkiv, z.Gjon u trondit shumë dhe lotët filluan t’i rridhnin mbi faqet me rrudha nga vuajtjet e brenga për Sokolin. Me buzët që i dridheshin, fliste pothuaj me vete: “O shën Mëri, o Jezu Krisht, na trego për Sokolin!” E përsëriste vazhdimisht dhe me njërën dorë mbushte llullën ndërsa e mbante me tjetrën. Shpesh lëvizte kokën në shenjë mohimi. “Bedri s’e besoj se do gjenden, megjithëse Zoti është i madh, ishalla po i gjejmë. Të lutem Bedri, ti vetë e fillove këtë punë, se siç thua i ke pas shokë si në burgun e Spaçit dhe në atë të Qaf Barit. Unë nuk i vë në dyshim përpjekjet dhe këmbënguljen tënde. Gjithsesi , sa herë të kesh mundësi, hajde e më tako se kur bisedoj me ty për Sokolin, më duket sikur çmallem me atë fatkeq. Tani, unë përveçse i moshuar jam i pamundur dhe i sëmurë. Ishalla Zoti nuk do të ma marrë shpirtin pa e gjet dhe pa e vendos Sokolin te varret tona familjare. Më pas le të iki dhe unë i qetë se të gjithë për të vdekë kemi. ” Kështu e mbyllte bisedën xhaxhai i Sokoli sa herë takoheshim.
Kërkimi i familjes për gjetjen e eshtrave të groposura të Tom Ndojës
Kur morëm informacionin sipas të dhënave të ndryshme, në bazë të proces-verbalit të pushkatimit dhe të fjalës së fundit të dy të pushkatuarve të revoltës së Qaf Barit, u nisëm për në Shkodër. Pasi ishim lidhur me familjarët e të dyve dhe në prezencën edhe të miqve, dashamirësve e të njohurve, filluam gërmimin te vendi i quajtur “antena e radios” në Kuç të rrethit të Shkodrës. Sipas të dhënave, gropa ishte hapur rrëzë gardhit me tela me gjemba, madje dikush (duke treguar me dorë) thoshte se atë natë tek ajo truproja nuk kishte ushtarë si gjithmonë, por dhe drita nuk kishte. Atë natë, që ishte hapur gropa, ishte këputur dhe kablli elektrik i cili ndodhej rrëzë gardhit e që ndriçonte trup-rojën.
Gjatë punimeve, në bisedat që bënim me njëri-tjetrin, midis të tjerëve një femër më pyeti: “A e njihni Fezulla Çepin?”. Pa e pyetur kush ishte, iu përgjigja “po”, por i habitur siç isha e pyeta se nga e njihte. I shpjegova se Fezullahu kishte vdekur në burgun e Qaf Barit që në tetor të vitit 1983, ishte vrarë në galeri. Atëherë biseda filloi nga e para.
– Unë jam motra e Tom Ndojës. Ne kemi kërkuar në shumë vende për gjetjen e vend-groposjes së vëllait. Kishim një informacion i cili thoshte se i kanë groposur te varrezat e Qaf Barit ku janë dhe shumët të vrarë të tjerë. Shkuam bashkë me vëllezërit e mi dhe e gjetëm vendin buzë një përroi nën ca pisha të larta. Filluam të gërmojmë dhe gjatë gërmimit gjetëm një tabelë prej llamarine ku ishte shkruar me saldim “Nr.1” që ishte ngulur e gjitha në tokë.
– Po, – iu përgjigja unë, – Fezulla Çepi është i pari që u vra në galerinë 70/1 të Qaf Barit. Rrëshqiti nga furrneli, ra nga pothuaj 28 m lartësi dhe u bë copë e thërrime. Kam qenë vetë kur u gropos dhe e di vendin.
– Duke gërmuar, zbuluam një skelet që kishte tek koka një shishe, – vazhdoi motra e Tomës. – Brenda shishes kishte një letër ku shkruhej: “Fezulla Çepi, dënuar 25 vjet, nga rrethi i Librazhdit”. Eshtrat i mblodhëm, i futëm në një qese plastmasi dhe i mbuluam prapë aty ku ishin. Shkuam dhe në një vend-përrua në Pukë ku gërmuam e gërmuam, por më kot, asgjë nuk gjetëm. Këtu kemi ardhur disa herë sipas fjalëve të njërit apo tjetrit, por pa rezultat. Ne kemi ofruar edhe para për këtë punë, që vetëm e vetëm ta gjenim vëllain tonë. Prindërit tanë ikën të helmuar për Tomën. Në shtëpinë tonë vetëm kjo bisedë bëhej. E tani kemi një shpresë, por s’e dimë çdo të bëhet, do jetë mrekulli po e gjetëm. Nuk e di se a do jenë bashkë me Sokolin apo jo?
– Sipas proces-verbalit të ekzekutimit, ata janë bashkë në një gropë. Ata janë pushkatuar të lidhur bashkë dhe janë vrarë në të njëjtën kohë, – vazhdova bisedën unë. – Juve mos u mërzisni se nuk do t’i lemë pa i gjetur. Jam i bindur se ata janë këtu në këtë rrethim me tela me gjemba. Këtë mendim kam, jua siguroj, – iu përgjigja unë – por se ku me ekzaktësi nuk e dimë.
– Sapo t’i gjejmë, do të shkoj te varri i prindërve e do t’u them: “Tani prehuni të qetë se djalin tuaj dhe vëllain tonë e gjetëm!”. – Motra e Tomës psherëtiu e duke lotuar vazhdoi – z.Bedri, e kam dashur shumë, ishte shumë i mirë, ishte veç vëllezërve të tjerë, po ja, fati e solli të ndahemi e të mos takohemi më për së gjalli.
– Zonjë, mos kini asnjë merak, ne do të bëjmë çmos, do ta gjejmë e do ta varrosim me të gjitha nderet siç i takojnë një trimi. Do ta ketë dhe Toma një varr si të gjithë ata që ikin nga kjo botë. S’ke çfarë të bësh se edhe unë bëra gati 20 muaj kërkime në përrenjtë e Librazhdit deri sa e gjeta vëllain e kushëririn e pushkatuar më 17 korrik 1977. Ata kriminelë që i kanë ekzekutuar, nuk tregojnë se kanë frikë. Ligje për t’i detyruar që të tregojnë se ku i kanë groposur nuk ka dhe askush ligjvënësit parlamentarë nuk interesohet. Edhe pse duan të deklarohen si të djathtë dhe se janë në krah dhe i përkrahin të burgosurit politik, kjo nuk është e vërtetë. Parlamenti dhe qeveritarët e kanë treguar me fakte se për ne kanë një urrejtje patologjike dhe se në një mënyrë apo në një tjetër vazhdojnë të zhvillojnë luftë klase. Ne mbetemi të papajtueshëm për ata dhe në ligjin për dëmshpërblimin e të burgosurve politik ende nuk e kanë shfuqizuar nenin e “terrorit” mbi bazë të të cilit është dënuar i gjithë grupi i revoltës së Qaf Barit. Thënë troç, as Toma as Sokoli nuk e përfitojnë dëmshpërblimin.
Kërkimet për gjetjen e vend-groposjes së të ekzekutuarve nga sigurimi Sokol Sokoli e Tom Ndoja
Më 29 mars 1991 më në fund më thirrën se do më lëshonin nga burgu. Detyrë parësore kisha të intersohesha dhe të gjeja dy vëllezërit e mi, Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin, të pushkatuar më 17 korrik 1977 e të groposur kushedi se ku nga diktatura gjakatare komuniste, por nuk e kam ndarë asnjë çast nga mendja atë ditë të 22 majit 1984. Kur shpërtheu revolta në burgun e Qaf Barit të rrethit të Pukës, ku u dënuan me pushkatim dy më trimat, më guximtarët e me të pa përkulshmit të cilët nuk njohën sprapsje bashkë me dhjetë të tjerët jo më pak trima e përkrahës të njëri-tjetrit. Po të shihje lëvizjet e tyre në përballjen e dhimbshme, që e filloi policia, të kujtonte ato ndeshjet e kohës së gladiatorëve. Megjithëse policët e panë organizimin e forcën e të dënuarve dhe nuk bënë rezistencë, por të detyruar morën vrapin për të shpëtuar kokën, siç bëjnë gjithnjë të mundurit “Ik të ikim”. Ata i lanë kapelat me yllin e diktaturës në oborrin përpara mensës pa u interesuar fare për njëri-tjetrin. Frika e njeh guximin, shpëtimi vjen vetëm tek këmbët e shpejta. Sa herë bisedonim me shokët e mi për revoltën e Qaf Barit, biseda përqendrohej te gjetja e dy të pushkatuarve. Me familjarët nuk njihesha, dija vetëm një fakt se Sokol Sokoli ishte jetim, ndërsa Tom Ndoja kishte prindërit dhe vëllezër. Kisha shkruar vazhdimisht për revoltën e Qaf Barit, kisha bërë thirrje disa herë në emisione televizive se kush dinte apo kishte informacion për vend-groposjen, të na jepnin mundësinë t’i gjenim e t’i varrosnim me të gjitha nderet që iu takojnë të rënëve të komunizmit, duke besuar dhe tek Partia Demokratike e cila në propagandën që bënte hiqej se ishte përkrahja e vetme për të burgosurit politik dhe premtonte, mirëpo koha tregoi të kundërtën. Në një intervistë televizive bëra prapë thirrje për të pushkatuarit e revoltës së Qaf Barit. Bëra thirrje edhe për familjarët. Në atë çast, drejtuesit të emisionit i erdhi një mesazh nga kushërinjtë e Sokol Sokolit të cilët kërkonin të lidheshin me mua për këtë problem.
Dita e nesërme ishte 22 maj dhe në mënyrë krejt private u bashkuam dhe vendosëm të përkujtonim këtë ditë në nderin e kujtimin e të rënëve. Aty u lidhëm e njohëm me kushëririn e parë të Sokol Sokolit. Rrugës për në Qaf Bari biseduam gjatë për mundësinë dhe rrugën që duhej ndjekur. Sa herë më jepej mundësia vazhdoja të bëja thirrje se kush kishte informacion, duke garantuar se do ta ruaja identitetin e personit e duke i garantuar se asnjëherë nuk do ta bëja publike emrin e personit, por askush nuk ndihej. Para dy vjetëve a më shumë, duke mos reshtur asnjë çast interesimi për gjetjen e eshtrave të tyre, më ra në dorë një dokument shumë i rëndësishëm. Është një dokument i përpiluar nga Dega e Punëve të Brendshme të Shkodrës. Ky dokument ka emrat e atyre personave që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës natën e errët të 8 qershorit në orën 00-1984. Po ashtu ky dokument ka dhe fjalën e fundit të të ekzekutuarve. Bashkë me familjarët u nisëm drejt Shkodrës në vendin e quajtur “Antena e radios në Kuç”. Sapo u afruam të binte në sy rrethimi me tela me gjemba i një sipërfaqeje të konsiderueshme toke të sheshtë të mbuluar me bar të pakorrur. Në mesin e kësaj hapësire vegjetonte një antenë shumë e lartë dhe jo funksionale. Gjëja që më habiti më shumë ishte se ai vend ruhej me roje edhe sot e kësaj dite. Kishte disa punonjës dhe një përgjegjës. Dera e hekurt dhe e ndryshkur e këtij rrethimi rrinte akoma e kyçur. Nga brenda rrethimit ishte një godinë një katëshe prej betoni edhe kjo me derë të kyçur. U prezantuam se kush ishim dhe pse kishim ardhur në këtë vend të rrethuar. Një burrë mbi të pesëdhjetat filloi të rezistonte të mos na lejonte të futeshim brenda, aq më tepër kur ne ua thamë problemin që kishim e se do gërmonim me një mjet deri sa të gjenim atë që kërkonim. Ai na e preu shkurt se pa leje nga ndërmarrja e tyre, e cila ishte në Tiranë, ne nuk do të fillonim gërmimet. Atëherë biseda filloi më e shtruar. “Mirë – iu thashë unë, – pa siguruar një leje nga ndërmarrja juaj nuk do të ndërmarrim asnjë veprim, por, a mund të na thoni se çfarë dini për problemin në fjalë?” Njëri nga ata të dy filloi të na tregojë: “Ne kemi, dëgjuar nga një polic, se atë natë e kishin mbyllur rojën në godinë. Aty nga mesi i natës erdhën dy makina plot me oficerë dhe civilë. Ne dimë se atë natë u fik drita e asaj truprojë (duke treguar me dorë). Aty bënte shërbim ushtari natë-ditë dhe përballë kësaj, nga krahu tjetër, është dhe një truprojë tjetër, ja atje, (duke treguar me dorë nga duhet të shikonim). Gropa duhet të jetë rrëzë gardhit me tela me gjemba. Që nga hyrja e deri në truprojë rrëzë gardhit është futur një kabull elektrik i cili (atë natë, siç kemi dëgjuar, drita nuk ka pasur) duhet të jetë këputur nga ata që hapën gropën. Sipas meje duhet gërmuar për të gjetur kabullin. Atje ku është kabulli i këputur, janë ata. Qysh atë natë, ajo kabinë nuk ka pasur më ndriçim.”. Ai tjetri mori fjalën, duke thënë se kishte punuar si inxhinier aty dhe filloi të tregonte: “Atë mëngjes, kur erdhëm në punë, pamë kalin, që kulloste si zakonisht brenda rrethimit, të vraponte dhe diku këtu, vinte e gërmonte me këmbë dhe s’pushonte së hingëlliri. Ata, me siguri, këtu në këtë zonë janë megjithëse e gjithë kjo fushe, siç kemi dëgjuar, është plot me të pushkatuar. Ja, atje, në rrëzë të antenës, kishin groposur një çift të rinjsh të cilët i kishin vrarë në kufi më 1990-tën.”. Që t’i bindja, u tregova proces verbalin e ekzekutimit. Më kërkuan një kopje të proces verbalit të cilin ua dhashë, u habitën dhe shtangën kur lexuan emrat e atyre që kishin marrë pjesë në ekzekutim, madje disa prej tyre i njihnin dhe habiteshin, duke mos e besuar se ata ishin marrë me ato punë. Kjo qe biseda në sheshin e antenës. Na ftuan për një kafe dhe u ulëm në një lokal pranë hekurudhës ku biseda filloi përsëri edhe me të zotin e lokalit. Të gjithë sa ishin aty shpreheshin se kishin dëgjuar që antena ishte si vend pushkatimi mbas zallit të Kirit. Pasi mbaruam kafen, u ndamë me mendimin se do të shiheshim prapë dhe ata ishin të gatshëm të na ndihmonin sa të mundeshin. Të nesërmen, që në mëngjes, u interesova se ku ishte drejtoria e kësaj ndërmarrjeje. Bashkë me Simon Sokolin e gjetëm ndërmarrjen dhe, njeriu i parë me të cilin u ndeshëm, ishte roja. Një grua e moshuar me cigare në gojë na u drejtua gjithë kompetencë:
“- Kush jeni ju dhe kë kërkoni? Keni ardhur shpejt, ata vijnë mbas orës njëmbëdhjetë.
– Të lutem, – i thashë, – duam të takojmë drejtorin. Kemi një problem urgjent që s’na pret puna. Të lutem, na ndihmo po munde.
– Dëgjo more zotni, se qenke burrë me thinja. Unë nuk të gënjej. Këtu vetëm unë jam. Hajde më vonë megjithëse drejtori futet me gjithë makinë brenda e nuk ndalet, por unë do e ndaloj dhe do t’i them se e kërkon dikush. Uluni diku, ja atje, tek ajo kafeneja se ju thërras unë.”
Kishte kaluar ora 1100, më në fund drejtori mbërriti. Pas bisedës me rojën, na priti në zyrë. Ia thamë problemin që kishim dhe ai u tregua shumë i gatshëm, na ngushëlloi dhe thirri sekretaren duke e urdhëruar: “Shpejt, mbush një formular-leje për në Kuç të Shkodrës.”. Morëm shkresën e vulosur, e falënderuam dhe u ndamë.
Drejt antenës në Kuç
Të nesërmen bashkë me familjaret e të dy të pushkatuarve, Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, u nisëm pa humbur kohë drejt antenës në Kuç. Filluam gërmimet rreze gardhit me tela me gjemba drejt truprojës. U zbulua kabulli që rrëfyesit na thanë si pikë orientimi. Punuam gjithë ditën e nxehtë të atij gushti, po asnjë shenjë. Kabulli nuk ishte në asnjë vend ish këputur edhe pse hapëm gati 75m kanal. Fadroma filloi të hiqte dheun anash kanalit që kishim hapur me një thellësi pothuajse dy metra. Të gjithë sa ishim aty u shqetësuam, gati po na lëkundej shpresa. Ndaj të errur e lamë kërkimin për të vazhduar ditën e nesërme. Edhe pse atë ditë nuk gjetëm asgjë, rrëfyesit e punonjësit e antenës nuk lëkundeshin, ishin të bindur, madje të sigurt se ata ishin pushkatuar aty, por nuk dinin më shumë për vendndodhjen. Gërmimi vazhdoi tri ditë rresht. U lëvizën me dhjetëra metra kub dhè, e si përfundim nuk u gjet as edhe një shenjë. Mbas ca kohe morëm rrugën prapë për në Shkodër. Këtë radhë u vumë në kërkim të prokurorit i cili e kishte emrin në proces verbalin e mbajtur pas ekzekutimit. Në këtë proces verbal ishte shkruar dhe fjala e fundit e dy të ekzekutuarve, si e donte rregulli, para se të zbrazej karikatori i kallashmikovit në gjoksin e tyre. Shtëpinë e gjetëm kollaj sepse ia kishim lënë si detyrë një bashkëvuajtësit tonë nga Shkodra i cili mbasi e saktësoi se ku jetonte prokurori, na telefonoi. Morëm përsëri rrugën për në qytetin e Shkodrës bashkë me familjarët. Vajtëm te shtëpia prokurorit dhe u ngjitëm në katin e tretë të një pallati, trokitëm në derë, por asnjë zë. Trokitëm disa herë rresht, por askush nuk na e hapi derën. Qëndruam gati 20 minuta, por më kot. Trokitëm në derën përballë nga ku doli një zonjë e cila na përshëndeti e na ftoi të urdhëronim brenda. Jo i thamë, duke e falënderuar se nxitonim, po nëse kishte mundësi t’i bëjmë një pyetje. Po, tha zonja dhe ne vazhduam: “Këtu, përballë jush, a banon njeri? Ne trokitëm e nuk na e hapi njeri derën.”. Ajo na u përgjigj: “Po, është një familje e me siguri që janë brenda, por nuk e hapin derën kur s’të njohin. Ai burri ka punuar prokuror megjithëse tani është i sëmurë në shtrat. Është i paralizuar, i shërben e shoqja se fëmijët i ka jashtë, në Itali.”. U ndamë me zonjën e provuam edhe një herë të trokisnim e pastaj zbritëm, dolëm jashtë duke parë nga dritaret e katit të tretë. Aty doli një grua e moshuar dhe na foli gati e nervozuar: “Çfarë kërkoni?”. E pyetëm nëse ajo ishte shtëpia e Ismet Spahiut. Gruaja u përgjigj: “Po e tija është. Ju nga vini e kush jeni? Çfarë doni? Ai është i sëmurë në shtrat e nuk flet se është i paralizuar.”. E pyeta në mund të flisnim nga afër se vinim nga Ministria e Brendshme dhe ajo pranoi. U ngjitëm sërish në katin e tretë dhe kur u takuam, ia thamë arsyen pse donim ta takonim. Ajo insistonte në të sajën se ai nuk i dinte këto punë, nuk kishte punuar si prokuror e plot zhurmë e të thirrura na tha se nuk na lejonte të hynim brenda. I tregova proces verbalin me emrin e prokurorit që kishte firmosur në të. Atëherë u bind, por gjithsesi brenda nuk donte të na lejonte. Përfundimisht u bind sepse ne këmbëngulëm, duke i thënë se nuk do të largoheshim pa e pyetur për rastin në fjalë dhe pas shumë përpjekjesh na lejoi. I pari u fut Simon Sokoli, kushëriri i Sokol Sokolit. Pas Simonit u fut dhe një tjetër, Kol Shkëmbi, e tha të njëjtët gjë si Simoni, nuk fliste fare dhe vetëm rrinte shtrirë në shtrat. Në fund këmbëngula të futesha dhe unë. Prokurori ishte shtrirë në krevat me flokë gjysmë të lëshuar mbi ballë dhe krejt i zbardhur, me sytë gjysmë të mbyllur e me gojën hapur. Unë i fola: “Si je? A më njeh? Jam i Ministrisë së Punëve të Brendshme e dua me të pyet për diçka.”. Ai vetëm më shikonte, nuk fliste fare dhe lëvizte kokën sa majtas-djathtas me gojën hapur. Kur ndalte lëvizjet e kokës për pak sekonda më shikonte me një pamje lutëse, që të jepte të kuptoje se donte të dinte kush ishim dhe pse kishim ardhur. I tregova proces verbalin, duke vënë gishtin tregues atje ku ishte emri i tij. E pyeta në i kujtohej ndonjë gjë, me mendimin se mos i nxirja ndonjë fjalë, por ishte e kotë. Gruaja e cila qëndronte pranë të shoqit ndërhyri prapë në bisedë:
“- Nuk lëviz fare nga vendi. Çdo gjë e bën shtrirë në krevat. Aty e ushqej, e ndërroj e kërkon shpesh që ta ngre e të shohë nga dritarja. E ka marrë malli të dalë. Shpesh i mbushen sytë me lot. Po vuan shumë, s’e di si e zuri kjo e keqe, ne s’i kemi bërë keq njeriu?! Ç’e pyet se ç’po heq vetë me tim shoq. Ç’janë këto kusure që na zunë!?
– Ka kohë në këtë gjendje? – e pyeta bashkëshorten.
– Ka shumë, – m’u përgjigj, – ka tetë vjet.
– Pak paska në këtë gjendje, – i thashë, duke e parë në sy prokurorin.
– Po ti, – më pyeti, – tashti ke vajtur në Ministri apo ke qenë?
– Jo, kam qenë. Jam nga ata të parët. Aty ka shumë sigurimsa.
– Po si s’të kanë hequr nga puna? Këta që morën pushtetin, neve s’na duan.
– Jo, jo, se në PD ka shumë sigurimsa e komunistë e na duan. Unë e ktheva pllakën dhe u bëra me ata që erdhën në pushtet.
– O sa mirë e paske bërë, qenke treguar i zoti. Po ç’punë ke bërë në Ministri?
– Çfarë s’kam bërë, thuaj! – iu përgjigja unë. – Gjithë jetën time me kobure në dorë kam qenë dhe në gjumë kur flija, koburja rrinte nën jastëk, por kam edhe shqetësime nga një herë shoh ëndrra dhe të tëra ç’kam bërë më shfaqen në gjumë e zgjohem i llahtarisur. Më duket sikur vras njerëz si më përpara.
– Po, po dhe ky i shkreti ashtu ka bërë. Kur hanim bukë, koburen e vinte mbi tavolinë dhe, kur vinte ndokush e trokiste në derë, unë që nga brenda e pyesja kush ishte çfarë donte. “Nuk e kam këtu burrin, ka dalë e nuk e di ku ka shkuar,” thosha. I kam rrejt e sidomos mbas vitit ‘90 vinin shumë që e kërkonin. Dera s’pushonte së trokituri. Prisnin e prisnin e iknin se nuk ia hapja derën. Më pas dilja në dritare e banjës e shikoja se kush ishte.”
Me këto muhabete u ndamë. Mbas një muaj, prapë në Shkodër, kërkonim shtëpinë e mjekut i cili kishte asistuar natën e 8 qershorit të vitit 1984. Dikush thoshte se kishte ikur në Itali, të tjerët thoshin se ishte në Tiranë, por asnjë herë s’e takuam. Kërkuam emrin e një tjetri e na thanë se ai ishte nga Burreli e kishte vdekur. Kërkuam shefin e policisë së asaj kohe edhe ai ka vdekur na thanë. Pyetëm për një emër tjetër, ka ikur në Amerikë na thanë. Dikush na orientoi te një person i cili kishte qenë gjithë jetën me Sigurimin e se ai mund të kishte ndonjë informacion. I shkuam te shtëpia. Ishte një shtëpi e vjetër me një tendë rrushi përpara. Kur u afruam, pamë një burrë veshur me kanotiere i cili ishte ulur në një stol, kish vënë përpara një tepsi me rrush e hante si i babëzitur. Pak metro më larg, një qen i lidhur me zinxhirë lihte papushim e nga egërsia kaplonte herë pas here zinxhirin që ishte lidhur. “A don miq?”, i thashë. “Hajde, bujrum, mirëserdhët”, na tha, duke fshirë me njërën dorë mjekrën e lagur nga lëngu i rrushit. Na dha dorën, u përshëndetëm, na lëshoi tepsinë me rrush përpara e na tha: “Mirë se erdhët! Hani!”. “Nuk kemi kohë, nxitojmë, kemi diçka për të të pyetur, mbase na ndihmon.”, i thamë. Ia treguam problemin e pa mbaruar mirë fjalën, ai na ndërpreu dhe u përgjigj: “Po, po, e di si ngjarje, por unë në atë kohë nuk kam qenë këtu, kam qenë me shërbim larg.”. I tregova edhe proces verbalin. “Të gjithë i njoh, këta janë shokë të mirë, të besës që kanë punuar me ndërgjegje. Do të shkojmë diku të pyesim disa shokë e mi.”, na u përgjigj ai. Bashkë me të hipëm në makinë për të shkuar te shokët e tij me kusht që ta sillnim prapë në shtëpi. “Do të shkojmë në një vend ku kam shumë shokë pensionistë dhe ata kanë qenë me ndjekjen gjithë jetën”, ia filloi të tregonte me krenari se kishin kapur këtë diversant e kishin vrarë “armiq” dhe plot gjëra e krime të tjera. Na luajti nga mendtë me ato tregimet e tij gjithë mburrje. Diku u ndalëm, u futëm në një sallë të madhe që ishte plot me pleq sigurimsa. Sapo e panë, u ngritën në këmbë, duke e nderuar me grusht. Ne prisnim te dera. Pasi takoi njërin në një tavolinë e foli me një tjetër, erdhi te ne e na tha se zona e antenës ishte caktuar si vend ekzekutimi mbas atij të zallit të Kirit, hollësi të tjera nuk dinte asnjë. “Vetëm atje kërkoni. Është një sipërfaqe e madhe, por e keni të sigurt. Tani ikni se unë po rri me shokët e mi e do bëj një lojë domino e një dorë muhabet. Do kujtojmë ato të kaluarat se dhe ne kemi vuajtur. Tani po pushojmë pak. Kemi punuar për këtë ditë”
Koha kalonte e kërkimet tona ishin pa rezultat. Jo vetëm familjarët, por edhe ne, sa më shumë ditë kalonin aq më shumë mërziteshim, aq më shumë demoralizoheshim, pothuajse me shpresë të humbur. Përsëri me anë të mediave vizive, kërkova të na ndihmonin me ndonjë informacion kushdo që dinte apo kishte dëgjuar për revoltën e Qaf Barit. Askush nuk doli me ndonjë të dhënë. Po mbusheshin gati dy vjet nga fillimi i gërmimeve. Shkuam te zëvendës ministri i Brendshëm për t’ia rikujtuar problemin. “Po, po, – tha – nuk e kam harruar, por puna është se tani për tani nuk mund të bëj dot gjë. Sa jemi krijuar si sektor dhe as fonde nuk kemi njëherë për njëherë .
Ishte data 7 qershor 2012 e z.Simon Miraka më thërriti në telefon. Vajta me vrap. Kur u takuam ai më tha: “Nesër do ikim prapë në Shkodër. Kam bindjen se këtë radhë do t’i gjejmë. Kam edhe një dokument të hartuar nga shefi i policisë, me urdhër të kryetarit të Degës i cili urdhëronte se më 8 qershor 1984 në orën 0000 do të ekzekutoheshin Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, atje, në fshatin Kuç, në Shkodër, brenda rrethimit të antenës. Plani i hartuar i ka të gjitha detajet, emrat e personave që do t’i shoqëronin, rruga që do të bëhej, lëvizja nga Dega e Punëve të Brendshme e deri tek antena, personat që do të hapnin gropën, emrat se kush do të bënte rojë te gropa, po ashtu dhe personat me shtupë për t’u zënë gojën para çastit të fundit. Është edhe harta e groposjes. Për hollësi e vërtetësi shih dokumentin.”.
Fillova të lexoj. U trondita pa masë, gati më ra të fikët. Jo se nuk kisha parë një plan të tillë ekzekutimi, por ky ishte i veçantë në përpunim e hollësishëm deri në përfundim të ngjarjes. Menjëherë njoftova kushërinjtë e Sokolit dhe vëllezërit e Tomës. “Dëgjoni, – ju thashë, – bëhuni gati se nesër do të vijmë në Shkodër, dilni në rrugë aty nga ora nëntë. Kemi një informacion shumë të saktë për vend-pushkatimin.”. “Po, – u përgjigjën familjarët, – ishalla po i gjejmë Bedri, ne nuk kemi asnjë shpresë më, por megjithatë…” “Jo jo, – i ndërpreva unë, – këtë radhë do t’i gjejmë, ka marrë fund, mos u demoralizoni, kemi dokumentin e planit të Degës së Punëve të Brendshme, ka hollësira dhe është i saktë. Nesër do flasim më gjatë.”
Ditën e nesërme bashkë me z. Simon Miraka shkuam në Kamëz ku u bashkuam me kushërinjtë e Sokolit, Benin e Simonin. Në Shkodër na priste doktori i morgut e pa humbur kohë shkuam tek antena. Aty gjetëm dhe vëllezërit e Tomës. Në krahë të vendit ku kishim gërmuar më parë, gati 25m larg nga rrethimi në brendësi, të binte në sy një shirit i verdhë plastmasi me shënimin: “Zonë krimi, mos kalo!”. Vendi i rrethuar, që duhej gërmuar, nuk ishte më shumë se 100m2. Sapo pashë këtë vend të rrethuar pyeta zotin Miraka: “Po kjo ç’është? Kush e ka rrethuar, a di gjë?”. “Bedri, dëgjo, ky rrethim është bërë nga persona të cilët duhet të mbeten anonim, të betohem që unë nuk di gjë. Dikush më mori në telefon për vendin këtu.” Aty po grumbulloheshin plot të afërm të familjeve të Sokolit e Tomës, miq e dashamirës, por edhe kureshtarë. Punimet i drejtonte mjeku ligjor. Punuam për një farë kohe me kazma e lopata sipas udhëzimeve të mjekut, por më kot. Asnjë shenjë dalluese nuk po hasnim. Atëherë u detyruam të merrnim një skrep për të punuar të gjithë zonën e rrethuar. E përmbysëm të gjithë atë dhè duke e hedhur jashtë shiritave të vendosur nga sigurimsat gjatë natës. Të gjithë të pranishmit e kishin përqendruar shikimin atje ku gërmonte skrepi. Thellësia vajti gati dy metra dhe asnjë shenjë nuk po dukej. Në hartën e groposjes, që kishim në dorë, kishte dhe një shenjë “plus” që tregonte vendndodhjen. Të gjithë, grupe-grupe, diskutonin të zemëruar, të mërzitur e të inatosur. Dikush mallkonte ndërsa disa gra të moshuara nuk flisnin, por fshinin lotët e mërmërisnin me vete dhe ngrinin kokën nga qielli në shenjë lutjeje. Mjeku qëndronte në gropë, përballë nesh me duar të kryqëzuara, i habitur me hartën në dorë. I thashë doktorit se mos kishim lexuar hartën gabim e se mendoja që duhej gjetur një profesionist, një topograf për ta lexuar hartën. Doktori e përkrahu mendimin tim. Dikush nga të pranishmit mori në telefon dikë dhe pas 10 apo 15 minutash mbërriti një meso burrë me një hartë ushtarake në dorë. Ai kishte punuar si topograf në ushtri. Biseduam duke i treguar dhe hartën e groposjes të bërë nga sigurimi. Ish ushtaraku kërkoi rreth e rreth me sy, herë vendin herë hartën dhe tha se duhej të bëhej një matje që nga truproja e deri ku plotësoheshin 70m gjatësi. Topografi, me hartat në dorë, bëri një matje që nga rrethimi në drejtim të vendit ku kishim gërmuar. Vuri një shenjë orientuese dhe gërmuam në atë drejtim, por pa rezultat. Dita u ngrys. Asnjë shenjë nuk u zbulua. E vetmja rrugë na mbeti t’i çonim fjalë atij që kishte vënë shiritat në fshehtësi e t’i luteshim ta shihte vendin e rrethuar ku nuk gjetëm gjë. Familjarët të shqetësuar jashtë mase këmbëngulën për t’i vazhduar gërmimet të nesërmen. Në kohën kur po ndaheshim filluan të qarat e mallkimet e grave. Ishte hera e tretë që gërmonim e zhgënjeheshim. Familjarët përsërisnin se do të vinin të nesërmen e të vazhdonim gërmimet. Flisnin gjithë dhimbje se do ta kthenin përmbys fushën e antenës e do të kontrollonin me imtësi. Aty lindën dyshimet se mos vallë sigurimsat nuk kishin treguar vendin e saktë ose nuk e mbanin mend mirë. “Dëgjoni, – iu thashë unë, – ju siguroj një gjë, që ata të dy janë pushkatuar këtu. Plani për ekzekutimin, harta dhe shenjat për mua janë të sakta. Kriminelët këto letra i kanë bërë që të jenë në rregull për punët e tyre. Kështu që janë të sakta. Ata mendonin se ishin të pavdekshëm në rrugën e tyre kriminale e se këto letra s’kishte për t’i lexuar askush e të zbulonte krimet dhe emrat e tyre. Mos u mërzitni, jam i bindur se do t’i gjejmë patjetër. Vetëm duhet durim.”
Të nesërmen, familjarët kishin shkuar që me natë dhe i ishin përveshur punës. Aty nga ora 1010 kova e fadromës kur zbrazi dheun bashkë me të lëshoi dhe një kafkë. Të gjithë sa ishin, kishin thirrur një zëri: “Ja kafka! Me ngadalë, i gjetëm!” Punimet u ndërprenë. Më morën në telefon, njoftuam edhe doktorin dhe u nisëm urgjent për në Kuç. Sapo mbërritëm atje u gjetëm përballë një skene shumë tronditëse të familjarëve. Disa ishin mbytur në lot, shumë të tjerë qëndronin përpara gropës duke parë kafkën të përhumbur në mendime, thithnin cigare duke lëshuar shtëllunga tymi nga hunda e goja, por kishte nga ata që u qeshte fytyra, ndoshta prej faktit se i kishin gjetur. Lajmi ishte përhapur anë e kënd. Telefonatat nuk pushonin, falënderime të shumta dhe nga jashtë kufijve. Puna filloi përsëri nën drejtimin e doktorit. “Tani – tha doktori – do t’iu lutem të më dëgjoni. E kam të qartë se e keni të vështirë, e kuptoj tronditjen tuaj, por tani është puna ime e duhet të dilni të gjithë nga gropa që të na lini të punojmë. Askush nuk e dëgjonte. Të gjithë shikonin kafkën e zbuluar. Askush nuk lëvizte. Kafka e kokës që ishte zbuluar, sipas familjareve, por edhe me aq sa mbaja mend unë, duhej të ishte e Tomës. Pas shumë përpjekjesh mundëm t’i largonim njerëzit dhe në gropën e hapur ndenjën 2-3 vetë për të ndihmuar doktorin. Vëllezërit e motra e Tomës e kalonin dorë më dorë kafkën e cila kishte mangët dy nga dhëmbët e parë, e pastronin nga dheu, e puthnin, e shtrëngonin fort mbas gjoksit dhe të gjithë lotonin. Aty m’u kujtua skena e zhgroposjes së Gencit dhe Vilsonit, m’u kujtuan ulërimat e të qarat me ligje. Një zonjë e moshuar, e stërmunduar nga jeta, me duar të kryqëzuar nuk i rezistoi dhimbjes e ra në gropë. Kur e nxorëm jashtë gropës ashtu të mpirë, ajo vetëm dridhej e fliste me një zë gati të fikur: “Ah qafë thyer, ku i paski hedhur.”. Ajo mallkonte e përsëriste fjalët: “U shofshi! Mos bëfshi hajër kurrë!”. Nga faqet e saj të thara e të rrudhosura rridhnin papushim lotët. Cigaret ndizeshin njëra pas tjetrës. Doktori vuri dorezat plastike dhe filloi të pastronte dheun me shumë kujdes me një lopatë xhenieri. U zbuluan të dy skeletet. Tani ata njiheshin lehtësisht. Sokoli e ka pasur trupin më të bëshëm nga të Tomës. Katilët i kishin hedhur në gropë njërin nga koka tjetrin nga këmbët. Copa trikosh gjysmë të kalbura. Çorape najloni me eshtrat e gishtave të tretur brenda. Ku kishte kokën Sokoli ishin këmbët e Tomës dhe koka e Tomës ishte pranë këmbëve të Sokolit. Tek kafka e Sokolit ishin shojet e këpucëve të Tomës, tek kafka e Tomës ishin çizmet e prera të llastikut të Sokolit. Duke gërmuar, tek kafka e Tomës, u zbulua një shishe peniciline pa tapë e cila ishte bosh, ndërsa tek kafka e Sokolit ishte e njëjta shishe peniciline me tapë, brenda së cilës dukej një copë letër e zverdhur e palosur. Të gjithë thirrën me sa zë patën: “Hape, hape shishen! Ç’është ajo letër e zverdhur?”. E hapëm dhe e nxorëm letrën. Kushëriri i Sokolit, z.Simon Sokoli lexoi: ”Sokol Sokoli, Ja shikoni, ky është Sokoli. Le ta lexojë kush të dojë. Tani u bindëm se janë ata, Toma me Sokolin. Shyqyr o Zot i madh, shyqyr!”. Të gjithë u gëzuam. U saktësua dhe një herë megjithëse familjarët, por edhe unë se nuk kishim gabuar në njohjen e skeleteve. U ula mbi një grumbull dheu duke parë dy skeletet e zhveshura nga mishi. M’u kujtua 22 maji i vitit 1984, ajo ditë me diell. Më kaloi përpara syve gjithë ngjarja e asaj dite. Fjala e cila ngriti peshë gjithë ata djem që i shkuan dhe u bënë një me Sokolin dhe Tomën: “Në besë tuaj burra!”. Nuk thonë kot “Fjala peshon më shumë se çdo gjë”. M’u shfaq para syve guximi i stuhishëm i tyre. Ata u nisën drejt lirisë, nuk e ndjenë asnjëherë frikën. Guximi i tyre mposhti diktaturën, dhunën e tmerrshme. M’u kujtuan fjalët e Sokolit, kur zëri i çjerrës i të dërguarit të ministrit tha: “Po qetë burra, mos u dorëzoni!”. Sokoli iu drejtua Tomës: “Hajde të dorëzohemi, s’kemi rrugë tjetër. Çdo gjë është e kotë. Mos të marrim në qafë të gjithë kampin, këta të vrasin.”. U ngritën krenarë e trima siç ishin, na dhanë dorën e me zërin e tyre burrëror na thanë: “Mirupafshim nëse do të jemi gjallë!”. U nisën drejt vdekjes, por me dinjitet. Ata guxuan dhe kundërshtuan. Ata ishin trima, guxuan, kundërshtuan dhe i mposhtën sejmenët e diktaturës. M’u kujtua gjithë gjallëria e tyre kur u ndamë dhe tani, pas 27 vjetëve, u takuam përsëri, por jo siç u ndamë, krejt ndryshe. Tani unë i kam përpara syve jo të gjallë, por të hedhur në gropë. Gjithë ata djem të fuqishëm, ata trupa të bukur, ata djem të sjellshëm, tani vetëm skeletet u kanë mbetur dhe pak nga veshjet e tyre akoma të pa kalbura. S’dua ta besoj, por kjo është e vërtetë. Ja, i kemi para syve. Dikush qante, të tjerët mallkonin, kishte nga ata që rrinin të heshtur dhe thithin cigaret, por dhe këta dukej se me dikë bisedonin. Doktori vazhdonte punën qetë-qetë, duke i nxjerrë e rregulluar skeletet jashtë gropës. Mbasi i vendosi në thasë plastmasi, u vendosi edhe një mbishkrim me emra secilit thes dhe kërkoi që policia t’i çonte në morgun e Tiranës për të bërë ekzaminimin përfundimtar.
Kur u ktheva prapë për të parë për herë të fundit gropën e zbrazur, brenda saj vezullonin qirinjtë e pa numër dhe rreth e rreth tufa me lule shumëngjyrëshe që kishin zënë vendin e skeleteve të coptuar nga breshëria e kallashnikovëve. Fati i asaj dite të 22 majit të revoltës i ndihmoi Sokolin dhe Tomën, por siç duket i kishte lënë për më vonë për t’i rrëzuar përgjithmonë. Një nga plumbat e mitralozave e kallashnikovëve që fërshëllenin e kryqëzoheshin pa pushim mbi kamp në atë pak hapësirë goditi Gjordenin në shpatullën e majtë. Gjordeni me njërën dorë përpiqej të ndalonte gjakun, por vrapin nuk e ndaloi, rendte mbas të tjerëve. Vllasi nga Vlora, me këmbë të sëmurë, ecte duke çaluar e godiste policët me sa fuqi që kishte me patericën e tij. Binte kur përdorte patericën për të qëlluar policët, por ata ia mbathnin e Vllasi me një këmbë s’i arrinte dot. Sokol Progri, Haxhi Baçinovski, Bajram Vuthi, të tre këta s’kishte forcë t’i ndalte. Por edhe Cenit nga Elbasani edhe pse trup vogël dhe shumë i ri, xixa i lëshonin sytë nga urrejtja. Ishte një rrëmujë e madhe. Martin Leka, një burrë fisnik dhe i shtruar, tipik malësor, ishte shpërfytyruar fare. Kush e njihte Martinin para shpërthimit të revoltës e ta shikonte në ato çaste, nuk do ta besonte kurrë guximin e vrullin e tij. Njëri më trim se tjetri, furtuna u bë e stuhishme. Nuk kanë të përshkruar vullneti e trimëria e gjithë secilit, por duhet thënë e stërthënë se të gjithë sa ishin ndiqnin Sokolin e Tomën. Ishin të parët u ndeshën me policinë, ishin të parët që mbërritën te rrethimi i brendshëm. Po të parët e kishin emrin në listën që u lexua për t’u dorëzuar. M’u kujtua Mondi me kapele ngjeshur vesh më vesh me një tufë letra në dorë, që hyri në kamp si “fitimtar”, na ngjeshën në mensë dhe ai filloi të lexonte, duke i qeshur fytyra gjithë ironi. “Dëgjoni, – tha, – vendimin e gjykatës, gjyqi përfundoi – Aty askush nuk pipëtinte, a thua se ishim të gjithë të vdekur. – Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja dënohen me vdekje, pushkatim, të tjerët me dënime të ndryshme, – e vazhdoi me ironi, – ka ndonjë trim tjetër që ka mbetur këtu, hajde, dilni në shesh.” Mondi, shefi i policisë, atë ditë ishte krejt ndryshe në komunikimin që na bëri Mondi i 22 majit, ditën e revoltës. I shpejtë nga këmbët, i la shokët mbrapa, kapërcente mbi të gjithë me vrap për të dalë i pari se e mendonte mirë përfundimi po ta kishin arritur Sokoli me Tomën.
Ditën e homazheve tek Instituti i të Përndjekurve Politik kishin ardhur nga larg shumë njerëz. Miq, shokë, dashamirës, bashkëvuajtës e plot të panjohur për të nderuar këta dy djem që ua morën jetën në lule të rinisë. Edhe pse në burg, diktatura komuniste nuk kishte qetësi dhe i donte të vdekur. Kështu bëri dhe ata i mbuloi në një gropë në mesin e natës së errët të 8 qershorit duke gdhirë data 9 qershor e viti 1984 e cila i gjeti të mbuluar me dhè në fushën e vdekjes, nën rrënjët e antenës në Kuç. Gjatë homazheve, midis të tjerëve, erdhi një burrë i moshuar, i panjohur për mua, më dha dorën e më falënderoi për interesimin që kisha bërë. “Dëgjo or mik, – më tha, – unë të njoh shumë mirë se kush je, t’i kam lexuar shkrimet, të kam ndjekur edhe në televizor e më ke pëlqyer shumë sepse i thua gjërat troç, ashtu si janë. Por edhe një gjë e ke lënë pa thënë për Sokol Sokolin dhe Tom Ndojën. Afroje veshin: Mbasi i kanë pushkatuar ata të dy, unë kam dëgjuar se më pas u kanë nxjerrë sytë.”. “Unë nuk e di këtë fakt”, i thashë burrit të moshuar. Kaq më tha dhe u zhduk e s’e pashë më, as emrin s’ia mësova. Në homazhe morën pjesë personalitete të larta të shtetit si presidenti i republikës z.Bamir Topi, Kryeministri e shumë të tjerë. Gjatë gjithë kohës së homazheve në vesh më buçiste fjala e atij plaku: “Bedri, mbasi i kanë pushkatuar ata të dy, më pas u kanë nxjerrë sytë!”. Edhe ditën e përcjelljes për në banesën e fundit më dukej sikur dëgjoja zëra “U kanë nxjerrë sytë!”. “Po pse ma tha mua ai zotëria?”, pyesja veten. Dega e Punëve të Brendshme të Shkodrës kishte një urdhër nga ministri i Brendshëm për t’i pushkatuar. Po sytë pse t’ua nxirrnin apo nga urrejtja që kishin? Këtë se kisha dëgjuar ndonjëherë. Kjo është si t’i pushkatosh për së dyti. Kot nuk thonë: gjuha shkon ku dhemb dhëmbi. Pyesja veten, “Po Gencit e Vilsonit, do t’ua kenë nxjerrë sytë pas pushkatimit?”. E tmerrshme është kjo urrejtje e shqiptarit për shqiptarin. Po Hitleri vallë vepronte kështu kur i vriste kundërshtarët megjithëse të mos harrojmë, ai ka qenë në luftë. Po këtyre pse ua kanë nxjerre sytë? Jo nuk besoj se krimineli të vret dhe me kaq është i kënaqur, por të nxjerrë edhe sytë. Por kur ka ndodhur kjo? Mos e kam gabim datën apo vitin? Mos është viti 1944 kur u pushtua vendi nga vandalët komunistë e çfarë nuk bënin me kundërshtarët? Jo, jo, unë e kam parë ngjarjen me sytë e mi!? Unë në ‘44 nuk kisha lindur. Si ka mundësi!? Unë, këtë që po tregoj, e kam të jetuar e jo të treguar. Mos e kam gabim e ma kanë treguar të tjerë? Mos është viti ’54? Jo! Mos është viti ’64? Jo! Mos është viti ’74? Jo jo, nuk është gabim, është e saktë. Data ishte 22 maj 1984 kur ndodhi revolta, ndërsa sytë u janë nxjerrë natën e errët të 8 qershorit mbas orës 0000. Çfarë katilësh! Kush e shpiku armën vrasëse të revolucionit francez, gijotinën? Ç’është ky emër? Përse shërbente kjo armë? Për të prerë koka? Po ai që e shpiku, çfarë profesioni kishte? Mos vallë ishte doktor? Po, po, doktor e ja pra, ku arrin “humanizmi”. Mjeku që ka në dorë jetën e njeriut! Kemi dëgjuar se në raste ekzekutimesh marrin pjesë shumë kriminelë, vrasës gjakftohtë. Në planin e një ekzekutimi urdhëruar nga kryetari i të Degës së Punëve të Brendshme, urdhëron shefin i policisë ose zëvendësin. Bëhet plani i organizimit të ekzekutimit. Prokurori duhet sepse pas skuadrës së pushkatimit është prokurori me kobure në dorë që goditjen, “colpo di gracia” quhet në emër të kriminelëve. Shumë kush e di që mbas prokurorit, kufomës i afrohet doktori për të vëretuar se çdo gjë ka marrë fund. Këtu, në këtë rast për Tomën e Sokolin provohet e kundërta. Pra, thënë shqip, doktori me daltë, kaçavidë, bajonetë apo thikë u ul qetë-qetë e nën rrjedhën e currilave të gjakut të ngrohtë dhe lëvizjen e lehtë të damarëve që shkojnë drejt shuarjes, doktori filloi një tjetër krim, nxjerrjen e syve. Thonë se sytë nxirren edhe me gishta akoma pa u ftohur trupi. Me të drejtë duhet shtruar pyetja: Të gjithë ata që janë pushkatuar, doktorët ua kanë nxjerrë, sytë? Çfarë krimi? Çfarë urrejtje pa kufi!? Nuk u ngopën apo nuk u kënaqëm u marrë jetën, por shkuan më thellë në krim, u nxorën edhe sytë! Ja pra, ç’do të thotë të jetoje në komunizëm i cili shkaktoi lumenj gjaku papushim, shkatërroi familje të tëra përjetësisht. Ata që e quajtën veten me mburrje komunistë e bënë këtë në bashkëpunim me Sigurimin famëkeq!
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.