Elona Caslli: Duart që ndihmojnë, janë më të shenjta se buzët që luten
Xing me Ermalin.
E kam ndjekur shumë rrallë emisionin tënd dhe jam tejet zemërgjerë në përcaktimin e dendurisë së veprimit kur them ‘ shumë rrallë’.
E kam ndjekur rrallë, sepse gjithmonë jam ndjerë si një fëmijë që ka humbur rrugën dhe nuk di nga të shkojë. Dhe unë kurrë nuk arrij ta kuptoj se kur duhet të qesh në emisionin tënd.
Kjo nuk më ndodh vetëm në emisionin tënd, më ndodh edhe me shumë shfaqje të tjera “ humori” , gjatë të cilave më duhet një udhëzues i të qeshurës, që të më diktojë se kur duhet të qesh. Në rast të kundërt , nëse dikush do të gjykonte shprehinë e fytyrës sime kur përballet me këto shfaqje “humori” , me siguri do të mendonte se po shihja një film me përmbajtje dramatike.
Kam besuar gjithmonë se është më e lehtë të bësh dikë për të qarë, se për të qeshur. Mund ta mërzisësh dikë pa e vrarë mendjen shumë se çfarë duhet t’i thuash. Mjafton një fjalë e mbrapshtë dhe ia del mbanë. Ndërkohë për të shkaktuar atë buzëqeshjen e vërtetë që ta pastron shpirtin nga pluhuri i së përditshmes duhet mundi, kultura dhe liria.
Dje pohove se ishe ndjerë i gjykuar padrejtësisht nga “ kolegët” e tu gazetarë në portale të ndryshme, sikundër pohove faktin se ishe thjesht një individ që bëje humor dhe kaq. Askush nuk duhet të priste asgjë më shumë prej teje, sepse ti kaq doje të bëje.
Një nga gjërat që u shenjua në mendjen time, ishte lehtësia me të cilën ti the formulimin “ Kolegët e mi gazetarë”.
Unë, personalisht nuk do ta kisha kurrë këtë guxim. Duke qenë se kam shkruar disa shkrime mbi kauzën e Teatrit Kombëtar, shumë njerëz që nuk më njohin, më thërrasin shpesh me emrin ‘ gazetare’.
Dhe unë ngulmoj t’ua theksoj faktin se nuk jam gazetare, për një arsye të vetme:
Mendohem dy herë, kur të vetëquhem ose kur të më quajnë gazetare, pasi mendja me shkon tek gazetarët e vërtetë që rrinë me orë të tëra jashtë Parlamentit në të ftohtë e në të nxehtë, në pritje të një deklarate, që në shumë raste nuk e marrin.
Mendja më shkon tek ata gazetarë, që në këto ditë të ftohta dimri, pasqyrojnë të gjitha protestat në vend.
Mendja më shkon tek ata gazetarë, që duhet ta shkruajnë medoemos një artikull, ndonëse nuk janë gdhirë mirë atë ditë.
Ndërkohë, unë shkruaj kur dua të shkruaj dhe jo kur duhet të shkruaj. Dhe është pikërisht ky hendek midis “ dua” dhe “ duhet” që më shtrëngon të them se unë jam veçse një qytetare, që e ka më të lehtë procesin e të shkruarit se atë të të folurit, çdo herë që më thërrasin ‘ gazetare’.
Gazetarët e vërtetë janë ata që nxjerrin të vërtetat në sipërfaqe dhe jo ata që i fshehin këto të fundit.
Ti nuk je veçse një individ që bën një shfaqje humori. Ti zotëron një hapësirë mediatike dhe kjo mbart mbi vete përgjegjësi.
Ti mund t’i formosh ose t’i shformosh njerëzit. Mund ta bësh ose ta zhbësh të vërtetën.
Alan Moore do të shprehej- Artisti nuk duhet t’i japë publikut atë që do, por atë që i duhet. Nëse publiku do ta dinte se çfarë i duhet, nuk do të ishte më publiku, por do të ishte artisti. Është detyrë e artistit t’i japë publikut atë i duhet.
Dje u shprehe se qëllimi yt i vetëm ishte të kapje sa më shumë publik.
Ndërkohë, unë besoj se publiku duhet kultivuar fillimisht e mandej duhet kapur.
Një element tjetër thelbësor që vrau sytë e mi në mbrëmjen e djeshme ishte mungesa e etikës.
Të krijohej ideja se dikush kish vënë në shitje atë që bota e qytetëruar e quan “privacy” në këmbim të vëmendjes mediatike.
Dhe krejt natyrshëm të lindnin pyetjet; “ Pse ekzistojnë perdet që mbulojnë dritaret?! Pse njerëzit trokasin përpara se të hyjnë diku?! Pse njerëzit i mbyllin dyert kur shkojnë në tualet?! “ kur gjithçka mund të shfaqet kaq haptazi që nga dhoma e gjumit e deri tek dushi i mëngjesit?!
Gjatë shfaqjes tënde përmende Biblën dhe Pastorin tënd. Në kontekstin e Biblës do të doja të citoja një pjesë nga Dhjata e Re.
Fytyra e kohës
Ju shihni një re që ngrihet nga perëndimi dhe menjëherë thoni- Po vjen shiu – dhe ashtu ndodh.
Hipokritë! Ju dini të dalloni fytyrën e qiellit dhe të tokës, por vetëm FYTYRËN E KOHËS NË TË CILËN JETONI NUK E DALLONI.
Lluka 12- Dhjata e Re
A e dallon vallë ti fytyrën e Kohës në të cilën jeton?!
E duke qenë se përmende faktin se shkon rregullisht në Kishë, këtë mesazh për ty do ta përmbyll me një thënie që e kam fort përzemër:
Duart që ndihmojnë, janë më të shenjta se buzët që luten.