Albspirit

Media/News/Publishing

I ftuari nga Gjykata Speciale flet para shkuarjes në Hagë

Ish-drejtori i Drejtorisë politike të UÇK-së për Zonën e Pashtrakut, Sabahajdin Cena, do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale.

Ai, nuk dyshon në luftën e pastër të UÇK-së. “Jam i gatshëm të paraqitëm, sepse kemi bërë luftë të drejtë”, tha Cena për RTK. Cena, muajin e kaluar, ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, që më datë 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për t’u intervistuar lidhur me aktivitetin dhe angazhimin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. “Ftesën e kam pritur si shumë normale. Jam i gatshëm që të përgjigjem për luftën time, ma merr mendja burrërore dhe heroike për qëndrimin tim si intelektual gjatë luftës”, ka thënë ai. Cena tregon se në ftesë nuk është definuar se në çfarë cilësie është ftuar nga Specialja. “Në ftesë nuk është e definuar se në çfarë cilësie jam ftuar, por pavarësisht kësaj unë jam i gatshëm të paraqitem”. Ai thotë se edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë, çdo gjë e luftës i kujtohet. “Nuk ka milimetër që nuk më kujtohet. Ka mundësi që ndonjë storie ndoshta e kem harruar, por nëse ata me pyetjet e tyre më ndihmojnë do të më kujtohet dhe përgjigjem”, shprehet ai. “Kemi zhvilluar një luftë të drejtë, sepse nuk kemi shkuar të luftojmë në Kralevë, por e kemi mbrojtur Rahovecin e Kosovën”. Cena kërkon nga të gjithë ata që kanë marrë dhe do të marrin ftesa të tilla t’ju përgjigjen Gjykatës Speciale. “Kemi zhvilluar një luftë të drejtë, prandaj duhet të mbrojmë luftën tonë çlirimtare”, tha Cena.

Please follow and like us: