HALLI I METËS ME ATHINËN DHE BEOGRADIN!
Spartak NGJELA
Pse po heziton presidenti Meta në dekretimin e ministrave shqiptarë që vinë nga Kosova? Ajo që pranohet më shumë është se nuk e lejojnë Athina dhe Beogradi.
Po Rama? Ky mund të ketë pasur presion nga aleati i madh, prandaj i ka marrë në qeveri. Gjithsesi edhe ky i turbullt është se ka frikën e studentëve. Dhe sigurisht që ata e kanë kapur dhe nuk do ta lëshojnë…
Kurse Meta është në hall të korrupsionit dhe ‘nuk mbush’ që të kuptojë se nuk ka shpëtim. Athina dhe Beogradi janë drejt falimentimit. Çështja shqiptare ka për t’i sjellë aty ku duhej të kishin qenë pa pushtuar me aneksim ndërkombëtar territoret e gjera të Shqipërisë. Keni për ta parë…
Korrupsioni i lartë shtetëror shqiptar është i likujduar. Kot lodhen që të gjithë.
Le të vërtitet kudo Meta, le të shkojë kudo, gjithçka është mbyllur.
Meta i hyri një politike të degraduar kur u bë kryeministër. Ishte i sëmurë në funksion të parasë. Tregojnë se kur i kanë çuar paratë e para me një thes mbledhur nga taksat dhe doganat, sapo u hap gryka e thesit, i ra të fikët. Edhe atij, e më pas edhe të shoqes.
Kjo është në fakt psikologjia e një bujku dhe një bujkeshe të varfër, kur befas bujku e gjen veten “mbret” dhe e ndjen se ka të drejtë të vjedhë paratë e shtetit.
Këta janë. Dhe nuk janë të vetëm.
Kështu është i gjithë korrupsioni i degraduar shqiptar. Njerëz të rritur në një babëzi psikologjike që, kur erdhën në pushtet, u shtynë drejt degradimit. Më e rënda që kanë bërë ka qenë shitja e interesit kombëtar. Kurse tani janë drejt fundit.
Po kjo që po bën Meta me dekretimin e vonuar të ministrave që janë shqiptarë të Kosovës, me shitjen e interesit kombëtar ka lidhje?
Për hallin që ka Meta të shtyn të mendosh se dekretimin e tyre nuk e dëshiron Beogradi dhe Athina.
Gjithsesi shumë shpejt do ta shohim…