Kastriot Islami: Qytetarët, Opozita, Zgjedhjet…
Duket se opozita ka përcaktuar axhendën e saj politike në tre drejtime kryesore:
- Drejtimi i veprimeve reaktive: Ndriçimin e zullumeve të qeverisë Rama dhe diskretitimin e kësaj qeverisjes përmes bërjes publike të gjithë skandaleve të saj, e veçanërisht të atyre të lidhura direkt me Ramën dhe kupolën e tij të ngushtë. Gjithë kjo veprimtari po bëhet dhe duhet të thellohet ne dialog të përditshëm me qytetarët, me grupet e interesit, me grupet qytetare në protestë, për të rritur besimin dhe shpresën e qytetareve;
- Drejtimi i veprimeve protestuese: Përcaktimin e marrëdhënieve të kushtëzuara me kuvendin dhe të gjithë pushtetin ilegjitim të Rilindjes dhe angazhimin për largimin e Ramës nga drejtimi i vendit me të gjitha mjetet demokratike, për zhvillimin e zgjedhjeve të lira me një qeveri pa Ramën kryeministër, duke mbështetur dhe nxitur të gjithë protestat e grupeve të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Ky ndoshta është edhe drejtimi me objektivin më të vështirë për të gjithë opozitën politike e qytetare që kërkon paraprakisht plotësimin e disa kushteve paraprake: i) krijimin e shpejtë të ekipit alternativ; ii) hartimin dhe bërjen publike të platformës alternative gjithëpërfshirëse të shpresës, iii) krijimi e një fronti të bashkuar gjithëpërfshirës;
- Drejtimi i veprimeve konstruktive: Angazhim serioz për kryerjen e një reforme zgjedhore në funksion të zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe krijimin e kushteve për konkurrim të barabartë, dinjitoz e të ndershëm me synim ndërtimin e një parlamenti legjitim, cilësor e të gjithëpranuar.
Për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, sigurisht me një qeveri pa Ramën kryeministër, është e domosdoshme që të realizohen ndryshimet adekuate në Kodin Zgjedhor apo në dokumenta të tjerë, përmes një procesi gjithëpërfshirës e konsensual. Një liste e cila eventualisht nuk është shteruese do të ishte:
- për ndalimi e blerjes së votave;
- për largimin e të gjithë individëve me rekorde kriminale apo të lidhur me kriminelët:
- për shkatërrimin e kapjes së shtetit nga oligarkia dhe largimin e nga kuvendi të bartësve të këtyre lidhjeve korruptive;
- për identifikimin biometrik të votuesve,
- për realizmin e votimit dhe numërimit elektronik të votave;
- për kontrollin e shpenzimeve financiare gjatë fushatës elektorale;
- për ndalimin e përdorimit të mjeteve administrative gjatë fushatës elektorale,
- për departizimin e komisioneve zgjedhore të të gjithë niveleve;
- për kryerjen eventuale dhe adekuate, inkluzive, të ndryshimeve në sistemin zgjedhor,
- për pjesëmarrjen e emigrantëve në zgjedhje, (çështje që duhet ti jepet një zgjidhje përfundimtare e dinjitoze)
- dhe pa asnjë dyshim edhe për reflektimin e të gjithë rekomandimeve të OSBE-ODHIR.
Vendi i ndodhur në një udhëkryq të rrezikshëm për të ardhmen e tij, kur për më tepër po boshatiset me shpejtësi dhe shumica e qytetarëve janë të pashpresë, ka nevojë për reflektim të thellë gjithëpërfshirës, për veprime të matura dhe inteligjente dhe angazhimi serioz të të gjithë faktorëve e aktorëve politike, të mëdhenj e të vegjël, por mbi të gjitha për pjesëmarrjen e qytetarëve të ndershëm e të përgjegjshëm.