Petrit Ruka: VJOSA
Nga kodrat mbi fshat, çdo ditë, për shtatë vjet
të shihja dhe sytë s’ m’u ngopën njëherë,
ti ishe një grua me gërsheta të blertë
më joshje me nojma në dimër e verë.
Mos zbrit, thosh nëna, kurrë mos zbrit,
është shtrigë që të mbyt po fshihet si zanë,
një shpirt fëmije e merr vit për vit
është njerka e stisur, ti rri me mamanë.
Po Jo-t më shumë më ndiznin për ty,
një vape të gushtit ti mendjen ma more,
me epshe të kaltra ne ishim të dy
dhe rruga dhe mendja,… të dyja krejt qorre.
Kur zbrita e të preka, u shtriva mbi ty,
një orgazëm e kaltër në shpirt u mbufat,
dhe peshku i vogël mes këmbëve të mia
me peshqit e lumit u nis për mëkat…
Je nusja e parë me të cilën unë fjeta,
je gruaja e parë e s’desha më tjetër,
të putha, të qava, më çmende në vjersha,
ti boja e parë për këngët në letër…
Të gjitha vajzat dhe gratë që jetës,
i desha a më deshën, ishin si ty,
një Vjosë, që veç unë ua shihja ku rridhte
e kishin patjetër në trup a në sy…
Tani që u muga e kam një Vjosë mend,
e tëra je kthyer e derdhesh mbi mua,
unë bëhem sërish i vogël shtatë vjeç
e prapë ëndërroj të të marr për grua…