Albspirit

Media/News/Publishing

Shtatëdhetëvjetori i lindjes së Mustafa Krujës

ERNEST KOLIQI/

Na Shqiptarёt, pёrgjithsisht, jemi bukur fort tё prirun kah epshi i prozhmimit. Jo vetёm lёvdata na del disi rryeshёm nga buza, por pёr mâ tepёr, gjejmё vishtirsí nё vetvete kur arsyeja e lypё qi tё shfaqim pёlqim e lavd mbi cilsít ase veprat e nji tjetri. Individualizmi i tepruem na i ndalon, pёrpara meritёs sё tjetёrkuj, hovet e mêndes dhe tё zêmrёs. Kjo korrnecí shpirtnore ndoshta na rrjedh prej krajatave historike nёpёr tё cilat u pёrshkuem na dhe tё parёt t’onё. Kush u gjuejt paprâ nga rrufét mâ tё rrebta tё fatit, nuk mund tё jèt udob shpirtbardhё. Gjikimi i ynё mâ tё shumtёn shkrepё i ashpёr mbi t’afёrm e shokё. Vetёm ndoj gjest energjik, ndoj akt trimnije heraherё zgjon ndёr né miratim çuditёs e dalldí. Mёsa qi vlerat mendore e morale gjêjnё zakonisht plot mohuesa. Edhe kjo rrjedh nga shkaku se trimnija shfaqet me nji stil klasik qi shumica njef nё Shqipní nё tё gjitha shkallёt e veta, e prandej sejcili, sa vren a ndёgjon ndodhjen din edhe t’a pleqnojё, kurse s’ka kút a kandar me matё e me peshue fuqín e mendes apo madhnín morale tё njânit e tё tjetrit. Kёsodore mohimi i çdo cilsije, qi nuk shifet me sy edhe nuk preket me dorё lehtas shqyptohet me gojё. Nё kohna tё fundit ky ves âsht pёrhapun shum nё shoqnín shqiptare. Komunizmi denigrimin e mban si nji ndёr mjetet kryesore pёr pregatitjen e sheshit ku don tё nguli rrâjё. Mjerisht edhe na, qi lёvdohemi se urrejmё çdo mёnyrё e doke tё komunistave, biejmё nё kёt faj mâ shpesh se mendohet. Ndodhё qi i hueji, kur ndёgjon Shqiptarinn tue folё pa kontrollue thânjet kritikuese, krejt i rrёmbyem prej pasjonit e prej resёs, e tue dhânё mbarё e mbrapёsht gjikime johenike mbi njerz e ngjarje tё vendit tё vet, del nga ato bisedime me nji panoramё mjaft tё shkretё e me nji pёrshtypje vorfёnije njerzore qi vonё e vonё i shlyhet mêndsh. Ky nihilizёm shkretnon e thanё zêmrat shqiptare, kёputё nё burra tё pjekun dhe nё djelm tё rij çdo hov frytdhânёs, zvoglon aradhet e atyne qi lakmojnё tё dallohen nё veprimtarí tё lavdueshme nё dobí t’atdheut e na paraqet mjaft keq para botёs sё huej. Na s’duhet tё harrojmё se propaganda e anmiqve tё kombit na ká piksue si njerz tё pa-aftё m’u ngjeshё nё tharm tё qytetnís. Gabim i pafalshёm d0 t’ishte vёrtetimi i atyne pohimeve fyese e poshtnuese, t’anmiqve shi prej pёrgojimeve t’ona tё paurta mun tё trênta.

Le tё mё falet ky shfrim qi mё shpёrthei vetvetiu nga shpirti e nuk mё la me hy fill nё thalb tё kёtij shkrimi, i cili ka pёr qёllim kremtimin e shtatёdhetёvjetorit tё nji Shqiptari në shêj, por mё rrёshqiti gati tё thuesh padeshtas tue mendue se edhe ky Burrё, i cili stolisë me vertyte të veta atdhén, provoi (bashkë me nji varg të gjatë shokësh tjerë) ngushtësín e padrejtë të gjikimit të disáve, moskuptimin e vrejsave të pwrcipët të ngjarjeve historike dhe mungesën e nji mirënjohjeje së meritueme mbas nji veprimtarije mâ se pesëdhetëvjeçare për nder të Shqipnís. Prap se prap Ky ma pak fatmjerë se do të tjerë Atdhetarë të shquem – Luigj Gurakuqi, Lef Nosi, Vinçenz Prendushi, Bahri Omari, e mâ e mâ – qi na Shqiptarët vrámё me dorë t’onë. Këta i hoqme jete me plumba pushke; Mustafën u përpoqёm t’a vrasim moralisht.

Jam i bindun qi ndokush do tё mendojё se s’jam unё njeriu mâ i pёrshtatun me i shkrue kёto dy fjalё uruese nё kёt rasё kremtimi, pёr shkak se miqsija vllaznore, bindimi i thellё dishepulli ndaj Mjeshtrin, qёllimet ideale tё pёrbashkta qi mё lidhen e gjithёnji mё lidhin me Mustafёn, mund tё m’a rrёmbejnё pendёn tue mё shty me i dhânun ngjyrё e flakё panegjiriku bisedimit. Jo, jo: do tё báj tё shukaten pёrmbrênda ndiesít mâ tё gjalla edhe do t’orvatem m’u shprehё tue e pёrshkue çdo pohim nёpёr akull tё mendes.

Vlera e nji karakteri njerzuer, vetija e brumit me të cilin âsht i ngjeshun nji bir njeriu, njifet e dishmohet pikë mâ s’pari në marredhânjet  e tija me rrethin shtëpijak. Para se me qênë qytetar, njeriu âsht bír e prind. Unë kam pasun fatin t’a njof t’an e Mustafës, – nji burrë i thjeshtë nga Kruja, i squet e i urtë, – të cilin i biri, i arrijtun në rrjeshtin mâ të naltë të personaliteteve të botës shqiptare, e rrethonte me nji nderim dashunuer qi më mbushte me habí. Më dukej si ai të donte me i a dhurue t’et të gjithë respektin qi bota ushqente për tê. Po âmbёlsija pa llasё me tё cilёn drejtonte familjen? Po njerzija, e rrallё ndёr né Shqiptarёt, qi pёrdorte me bashkёshorten e me fmij? Mustafёn, qi shum kush e pёrshkruen si burrё tё vrashtё, nё rreth tё familjes unё e njof tё durueshёm e tё butё, tue u ndêjun sipёr me orё djelmve qi kryejshin detyrёt shkollore tё ditёs. Kur i qortonte flitte nё mёnyrё qi mos me i a cenue personalitetin nё formim.

Ah, vera tё Zarёs, vera tё bardha e tё lume tё vjetve 1929, 1930 si nuk i u dijtme vlerёn asokohe! Ishi pёrplot me hire tё holla, por né na e ndalonte shijimin t’uej gjakimi i nji rilindjeje arbnore shkrue si vegim njimtues n’ajrí. Ishi êndё me rreze fatbardhёsije, e na atёherё nuk e kuptojshim. Sot, nё mbamendje, kёthejmё ke ju me gjetё ngushullim. Por, tepёr shumё lot, tepёr shumё gjak na ndajnё prej jush. Bashkё me at fatbardhёsí edhe Zara e shkretё âsht shêmbun rrafsh pёr tokё!

N’ato dit, un pata fatin m’u pritё si njerí i shtёpís nё rreth familjar tё Mustafёs e ishte ajo mikpritje, larg votrёs s’eme atnore n’at moshё tё ré, nji dhuratё e veçantё qi m’i zbutte mallёngjimet e mёrgimit. Thithej n’at familje nji frymё e shёndoshё e kёndellse njerzore, levitte n’at atmosferё shpirti i thellё i dokeve t’ona, tё cilat, kur interpretohen prej nji zot shtёpije mêndendritun edhe ushtrohen me ritёm tё mbajtun por edhe t’âmbёl njiherit, i apin zhvillimit tё jetesёs sё pёrditёshme nji hijeshi tё pashoqe. Nji moral i naltё, i natyrshёm, i gufuem nga palci i zakoneve mâ bujare tё fisit arbnuer frymzonte çdo sjellje, çdo shprehje tё tё parit dhe tё mbrâmit n’at ambjent tё qetё e qetёsues. Kjo suazë morale ndihmon me kuptue figurën e Mustafës. Atdhedashunija e tij lindet e forcohet në vokësí të votrës. Për tê atdheu âsht familja e familjeve. Ai kryen detyrën e vet ndaj atdheun me mënyrën mâ të thjeshtë pa u përpjekë m’u vû në dukje. Urryes ç’prej lindjet i çdo theatraliteti demagogjik, punoi për vend ashtu si kreu detyrët e veta ndaj prindët, ndaj të bijt, ndaj mbarë farefisin. Mësim i çmueshëm qe për né koha qi me tê kaluem.

Në mende të tij s’ka nji ndërpremje midis dashunis të jetës shtëpijake e asaj t’atdheut. Asht krejt nji vazhdim. E kriteret morale, qi ndiente e mbante në njânën, donte t’i ndiqte edhe në tjetrën. Prej këndej buroi shpesh qindrimi i ngurtë i tij në disa rrethâna politike qi ndoshta lypshin nji farë lakimi fjalësh e mënyrnash. Shtёrngesa, nё shumё rasa, edhe acarija e shprehjeve i u dukshin detyra shêjte pёr t’u plotsue me çdo kusht. Atê shka lypte prej tjerve, ai mâ s’pari e kryente vetë. Njerzit qi e njofin për s’afërmi dijnë me ç’vullnet të hekurt âsht i pajisun e sa duresë cmeritëse ká në punë! Aspak i dhânun mbas qejfeve tё jetёs e i pёrkuerm, pёr tê humbja e kohёs âsht nji gjâ absurde dhe mundi i punimit ândje. Këto cilsína, të rralla në Shqipní, nё nji rreth shoqnuer ku papunsija njehej privilegj i lakmueshёm dhe puna nji nevojё cenuese e prestigjit burrnuer (“punojnё skllavёt ase njerzit e ultё, burrat e vjefshёm urdhnojnё tjerёt  ndêjun”) kanë krijue pakënaqsín përtoqark veprimtarís së tij. Disáve nesh, ndërhymja urdhnore me të cilën Mustafa kërkonte punë nga njerzit qi e rrethojshin dh’e njifshin vullnetarisht si prîs e mjeshtër, na vjefti sa s’ká. Shembullin, si gjithmonë, na e epte ai vetë. Punonte me orë të gjata rreth fjalorit. Seicilit prej nesh i lypte spjegime si e kalojshim kohёn. Kjo shtrёngesё dashamirse nxiti mue tё shkruej nё Zara novelat e Hijes sё Maleve (qi ai mё ndihmoi me shtypё), Kostandin Kotten krah-thatё me hartue dramёn Shpagimi i Gjaksís, e tjerё shokё intelektualё mos me e humbun periudhёn e mёrgimit nё papunsí.

Nuk duem këtu të hyjmë në hulumtime kejet të vishtira mbi veprimtarin politike të Mustafës. Kur gjaknat të ftofen dhe filli i ngjarjeve të mundet m’u paraqitun, në daç me merita në daç me gabime, ashtu si u zhvillue në të vërtetë dhe jo me trajtat sot të shtrêmbënueme nga pasjoni, historishkruesi tash ep gjikimin e drejtë mbi kohën e mbi protagonistat qi u ternuen në skenën politike shqiptare ç’prej 1912 e deri me 1944. Dy gjâna duhet veç qi Shqiptarët e ndershëm e mirëmenduesa të kenë parasysh në shoshitje të veprimtaris politike të Mustafës: e para, qi ai mori pjesë në shpalljen e pamvarsis së Shqipnis në Vlonë me 1912 e prandej hyni në rradhën e Krijuesavet t’Atdheut dhe qi, kurdoherë e kudo, ndër rrethâna mâ të ndërlikueme, pat për qëllim të mirën e Shqipnís. Epoka 1912-1944 grafulloi në botë e në Shqipní me rrymba aqë të furíshme interesash ndërkombëtare dhe me idé aqë të pështjellueshme, diku përtrîse diku dёrmuese, sa qi erdhi nji ças në të cilin ngjarjet u bânë mâ të mёdhaja se njerzit. Faji i kohnave nuk âsht e arsyeshme t’i veshet e t’i ngarkohet njerzve. Edhe duhet dijtun se suksesi a mos-suksesi i nji ndёrmarrjeje politike nuk mvaren kurrsesi nga vullneti i mirё i atij qi e nisё nji punё ase e drejton, por nga rrethânat e ndryshme dhe pak edhe nga fati. Mazzini krijoi idealisht Italín e sotshme: kur kjo u mbarёshtue si shtet, Cavour-i atê e largoi nga çdo ndёrhymje nё punё zyrtare. Kёshtu qi si ideolog pat sukses tё shkёlqyeshёm: dёshtoi si njerí politiket. Cavour-i i suell shёrbime tё mёdhaja atdheut tue shtî nё punё me shpirt mâ realistik dhe mjeshtrí mâ manovruese idét e Mazzini-t. Kjo nuk âsht pёrpiknisht rasa e Mustafёs, por vlen me provue se suksesi politik nuk njipёrnjisohet gjithmonё me vlerё tё punёs sё kryeme nё dobí tё naltёsimit tё nji kombi.

E sa për punë, Mustafa atê, si thámё, për pesëdhetë e mâ vjet nuk e   ndërpreu kurrnjiherë dhe, ku mujti e sa e si mujti, u përpoq sidomos për lavrimin e gjuhës (trashigimi ma i çmueshëm i kombit) e për zgjânimin e kulturës shqiptare (mënyra mâ e nalta si me i shёrbye atdheut). Gojёkqijt të vaditun me flakrue shkarkime, para se me u ngrehë si gjyqtarë e me shqyptue dënime falas, duhet të peshojnë cilsín e sasín e veprave qi i dhuroi kombit Mustafa. Nji jetë kushtue çashtjes e kulturës shqiptare meriton gjikim të peshuem edhe prej atyne qi i kanë në shesh dhe të njoftuna meritat e veta kundrejt atdheut, por sidomos prej kuj din vetëm të llapojë mbarë e mbrapësht pa pasë vndue asnji papërdhok në ndërtesë të shqiptarizmit.

Jeta e Mustafa Krujës paraqet nji varg aqë t’interesantshëm ngjarjesh saqi me të shtî në tundim për t’i a hy përpilimit të biografis së tij: nji biografi a la Maurois. Sa mirë do të bânte ai vetë t’i a niste redaktimit t’autobiografís. Kët sugjerim i pata bâ edhe Fishtës, por nuk m’a vûni veshin. Mustafa Kruja lindi nё Krujё mё 15 mars 1887. Shkollёn fillore e ndoq nё vend-lindje. At shkollё ku xûni edhe mёsuesin e parё tё tij, i pёrshkroi mallёngjyeshёm nё nji copё proze botue nё Tiranё nё tё pёrkohёshmen “Shkёndija” mё 1940, – copё proze qi mbetet nji shembull nё shqipe stili tё lidhun, tё tânё substancё nё premín e vet.

Shkollat e mesme i kreu nё Janinё dhe studimet eprore nё Stamboll nё Mülkiyé-i-Schahané, kёshtu qi mё 1910 doli “licencié” nё shkenca politike e shoqnore. Tё gjithё e dijnё se çfarё studjuesi i palodhun âsht Mustafa. U thellue aqё nё lândё tё ndryshme, por sidomos n’ato historike – morale, sa m’u njehё nji ndёr intelektualё t’onё mâ tё shquem pёr kulturё organike. Prirja e natyrёshme e shtyni veçanёrisht kah mbledhja edhe vezhgimi i pasunís gjuhsore, ku âsht tue lânun gjurmё tё pashlyeshme. Ai pregatiti nji fjaluer tё shqipes me afro 30.000 fjalё, tё pajisun me çanёsime tё pёrpikta, gjithёnji nё shqipe, edhe me frazeologjí, skâje, thânje nga goja e popullit dhe shprehje letrare tё nxjerruna nga auktorёt e motshёm. Zêmёrbardhёsisht dorёshkrimin e çmueshёm i a dhuroi nё Tiranё Institutit tё Studimeve Shqiptare, i cili i dha fillim botimit. Ngjarjet e ndaluen shtypin. Ajo lândё e pashoqe mbeti nё duer tё komunistave.

Veprat e tij mâ tё shёnueshme janё: 1) nji pёrkthim mjeshtruer nga serbishtja e vepёrs antishqiptare tё Vladan Gjorgjevich-it “Shqiptarёt dhe Fuqít e mёdha” (Zara 1927); 2) “Abetari i tё Merguemit” (Egjypt 19529; 3) vargje me qinda artikush politikё e kulturorё nё fletore tё ndryshme, por sidomos nji serí studimesh gjuhsore nё tё gjitha tё pёrkohёshmet mâ tё pёrhapuna shqiptare (Hylli i Dritёs, Leka, Pёrpjekja Shqiptare, Illyria, Shkёndija, Shpirti Shqiptar). Pseudonimi i tij Shpend Bardhi njifet prej çdo shqiptari t’arsimuem.

Por Mustafa, si shum tjerё shkrimtarё t’onё tё mёrgimit, ka mjaft vepra gati pёr shtyp. Ndёr ato mâ me randёsí mund tё pёrmendim: Historín e Lekёs sё Madh, Historín e Burrit dhe Historín e Faraonvet, tri vepra tё dallueme njâna prej tjetrёs. Ka pёrkthye shqip nga gjermanishtja Illyrisch-albanische Forschungen tё Dr. Ludёig v. Thallóczy me bashkёpunimin e Dr. Constantin Jirecek, Dr. Milan Sufflay e Theodor Ippen. Gjithashtu nji vepёr pёr né Shqiptarёt me shum randsí tё Hans Krahe “Die Indogermanisierung Griechenlands und Italiens”; edhe shndrrimin nё shqip-latinisht tё “Dictionarium latino – epiroticum” tё Frano Bardhit (1635) me shёnime tё shumta gjuhsore.

Mustafa mund të njehet nji ndër krijuesa në shqipe të prozës parashtruese, d.m.th. t’asaj qi në mënyrën mâ të qartë e të përcaktueme paraqet e shtjellon nji themë. Kjo lloj proze, e cila i shmânget deshtas trillit poetik e prandej shprehjeve të paçansueme, âsht vegёl arsyetimi dhe ká për qëllim me bindë jo me argtue ase me njimtue. Mustafa me strukturën e tij mendore të prirun kah lidhjet e mbërthimet logjike, kah trajtat e përpikta descartiane, nxori nga pasunija leksikore e shqipes të gjitha mundësít argomentuese dhe krijoi nji stil gjeometrik, i vetmi qi vlen në të parashtruemit e lândve shkencore. Përpiknija veçse, në shkrime të Mustafës, bashkohet me nji natyrëshmëni të hijëshme, e cila besoj se i vjen nga njohja e plotë e frazeologjís shqipe e rrjedhimisht nga gjenuiniteti vërté shqiptar qi kanë vallimet e periudhave dhe rendimi i fjalëve në to. Frymë e kulluet shqiptare por edhe qartësí kristalore çanësuese. Vetín e rrallë të qartësís e fitoi në studim të censhëm sidomos t’auktorve klasikë frêngë.

Në bibljotekën e tij veprat e La Rochefoucauld, të Montesquieu, të La Bruyère etj. xêjshin kryet e vendit bashkë me shum vllime të historís së përgjithshme.

Aty, ku Mustafa, mandej, arrîn në përsosje letrare asht stili epistolár. Ata qi patёn fatin me pasë letra prej tij, duhet t’i ruejnë me kujdes sepse në to âsht derdhun nji visar i paçmim i shqipes. Mjerisht kohnat e turbullta, në të cilat nuk prânë të përshkohen Shqipnija dhe Mustafa, shkaktuen humbjen e shumicës së letërshkembimeve të tija të ndryshme: letrat qi i shkruente Don Lazër Shantojës, për shembull.

Stili epistolar i Mustafës âshti i shkathët e i dêndun dhe ndiesít, pёrshkrimet, pёrshtypjet, mendimet, gjikimet derdhen në trajta mâ të pёrkulëshme e të gjalla se në vepra tjera. Nuk mungon aty-këtu tingulli shpotar. Gjuha gufon e pastër dh’e pasun. Frazeologjija, e pёrdorun me zotsí mjeshtrore, i ep shkrimit zhvillimin e nji kuvendi të shtruet e të kandëshëm dhe të çon mallin e bisedës qi bâjshin dikur burrat pranë votrës. Ky stil epistolar, thadrues e i depërtueshëm, besoj se nuk e ka shoqin në letrësí t’onë. Rrethânat e shtrënguen Mustafën të jetojё mâ të shumtёn përjashta dhe të jesi në lidhje me t’afërm e me dashamirë nëpërmjet letërshkёmbimit. Letërshkëmbimi kështu atij i shёrbei, po, si mjet marredhânjesh të nevojshme me lloj lloj njerzish, por edhe si shfrim njerzuer, në çase trishtimi e malli, me dashamirë. Në kohë t’ardhëshme, kur shpirtnat do të zbuten dhe të rijt do të kërkojnë dishmína të kalesës, letrat e Mustafës do të hjedhin dritë të skjaruese mbi shum pёrshkime e kapёrcime historike. Epistolari i tij, ai qi ka teprue, plot undyrë njerzore në përmbajtje e plot vesk gjuhsuer në trajtë do të jesi si nji gur i çmueshëm i letresís s’onë. Fund e maje në tê dridhet kujdesi për fate t’atdheut dhe shprehet me theksim të paprém nevoja e punës kulturore në dobí të tij.

Shpirti i nji kombit forcohet nёpёr verigё tё breznive qi ternohen nё botё tue e frymzue jetёn e tyne nё trashigim shpirtnuer tё tё Parvet. Breznija nё prendim i a dorzon breznís pasardhёse visarin e gojdhânave tё lashta tue i shtue pёrvojёn e vet tё mbrûjtun me vuejtje e me gazmime. Të rijt e sotshëm duhet t’a marrin në dorzim vravashkën e shpirtnorís së kombit prej burrave mâ t’urtë e të dijshёm. Po u përçmue vepra e Atdhetarve të breznís paraprîse në kalesë, ndërprehet trashigimi kombtar. E pa visar gojdhânash e dhânash kulturore, Shqiptarët nuk do t’u njifshin në botë mâ si komb por si nji grumbullí njerzish ardhacakë. Edhe veprat e Mustafës kanë hy ma ba pjesë në visar qi duhet t’i kalojë trashigim ardhëmenis.

Sot nga zêmra e çdo Shqiptari tё drejtё duhet tё shpёrthejё nji ndiesí e gjallё mirёnjohjeje e t’i drejtohet Shkrimtarit tё palodhun i cili nё mojin e marsit tё kaluem mbushi nё dhé mergimi shtatёdhetёvjet tё jetёs. Zêmrat e zânet t’ona tё bashkohen nё kёt urim: “Mustafё, i kremtofsh nё Shqipní tё lirueme ditlindjet tё Tua t’ardhёshme!”

 

Marrё nga “Shêjzat” Vjeti I, shtatuer – tetuer 1957, n° 2 – 3.

Please follow and like us: