Emil Asdurian: PRAKTIKA E MOSBINDJES
(në ish vërtetë ajo që mungonte)
Mungesa e sensit praktik, ish ajo që urrente më shumë tek një intelektual. Ose më mirë të thuash atë pjesë të vetes e cila humbiste librarive në kërkime pa fund dhe e largonte në të tjera treva nga ajo që duhej, si një Çirçe e pabesë e grabiste nga vetja nga e tij. E ëmbël ish kurreshtje e shveshjes, por aq më i fortë dhe helm i derrit. Ndaj nuk i pëlqenin shumë gratë e fshehura në një makijazh intelektual, aq më tepër pas një romantizmi të përvuajtur, as dhe me një koketëri të shtirë e të pafajshme njëkohësisht. Shpresa s’i kish këto! Qe vajzë e rritur dhe e dinte se fare mirë ç’ishte dhe ku ish vlera e saj, aspak në bindje, as në arsye, por në ndjenjën që ndillte pa e bërë baltë me të, por duke e lënë të luhej vetë në mënyrën më të thjeshtë e të komplikuar të një maceje, që bën sikur s’e vë re atë që tinëz i afrohet t’i hipë. Por edhe ai vetë, me ose pa helm s’ish pa faj, se shpesh e adhuronte këtë lojë zhyer në baltëbatak, për pak kohë aq sa t’i dilte pija! Kush nuk ish, kur për çdo vendim, veçmas apo në grup ishin ndjenjat ato që do merrnin vendim dhe jo arsyeja. Kish kohë që e besonte, me këtë mjeshtëri të fituar përvoje, se të gjithë, por veçmas meshkujt, çdo çështje, për më tepër ato me peshë, i zgjinin sikur kishin të bënin me zotërimin e një femre. Eh, të dyja palët e dinin se mund të mos ndodhte kurrë por dhe mund të ndodhte, ai dhe Shpresa, gjithashtu
I kish pëlqyer hoteli ku e kishin bujtur, në rrëzë të një kodre ngjitur me godinat e bardha të tipit neoromak të kohës së Musolinit që i kish parë në Romë, mesazhi emotiv ish i qartë pér të, kot dikur djalosh s’kish mbaruar për arkitekturë, por gjithmonë e kish parë atë si mjet shoqëror e jo aq si damkë përkatësie apo përjetësim i një kohe apo e dikujt. Kryeqyteti i tij, si thuajse të gjithë, si pëllumbat gjysmë të egër, veten kërkonin në lashtësi. A s’ishin ata, të lashtët, fëmijë të llastuar më pis se ne, dhe pse kishin kaq shumë Zota, për apo të paktën po dhe aq. Kolona që mes muresh mbanin perëndi të nguruara! Paqje e pastër e akullt mermeri ish aty të tregonte legjimitet! Dorën e kaloi nga këndi i nofullës drejt bulës së veshit, i hante mjekra tashmë thuajse e bardhë, yndyrën i ndjeu në gishta. Përtej një errësirë pemësh dhe një kodër që shkrihej me qiellin. Mund të përshkohej pa u lodhur me këmbë gjatësia e rrugës, që sipas fletëhartave udhërrëfyese e quanin bulevard, që andej nga vinte do të dukej si një rrugicë në rrethinat e kryeqytetit a gjetkë ku kish jetuar. Më i shtrirë se qe thuajse bosh, por dhe vogëlsisht i ngjeshur.
Midis fletëve të pyetësorit që duhej të plotësonte për çka kërkohej ndaj tij, si para një fushate pushtimi, e çfarëdoqoftë parapinte propaganda. Miqësie dhe sulmi. Por ai thuajse gjithmonë ish marrë me të tijtë, padyshim fare të ndryshëm nga këta këtu dhe atyre ku bënin pjesë si kontinent. Principatisht të ndryshëm, thuajse përjashtuemërisht njëracorë. Disi shumë më grindavece me zhurmë.
Kish filluar punën sapo kish mbërritur, po niste profilizimin e tij, “ground work”. Ky bulevard, nëse mund të quhej kështu në fillimet e tij, do të ishte ideal për marshime, parakalime në ditë të caktuara me bandën me vashëza të bukura gjithë ngjyra, (po pra gjithë ngjyra), por jo vërtet për mitingje. Në të fundit ish i izoluar dhe i rrethuar me rrugë paralele të gjera mjaft të fshihnin një ushtri me mjete të blinduara, nga të dyja anët, që e prisnin si sallam, veçanërisht në “cul de sac-un” në mbarim të tij, ku mund t’i rrethonin e t’i përpunonin, pa u marrë vesh nga pjesa tjetër e qytetit. Në çdo çast turma mund të copëtohej dhe asgjësohej shpejt dhe saktë. Shpëtimi ish thuajse i pamundur. Kënaqej me të tilla vendime taktikisht të përkryera. Numri i pjesëmarrësve kufizohej nga madhësia e sheshit, gjithashtu. Por kish një përparësi, turma në pamje mediash do kish një efekt të drejtpërdrejtë. Përleshjeve, si në plan të afërt filmi, do u dëgjohej rrënkimi “live action” dhe zorr se shtypi apo mediat s’do kishin mundësi ta kundërshtonin. Duheshin filmsa, me bateri rezervë, ngarkues portativë, disa telefona për njeri, të shpërndarë nëpër turmë të filmonin veçmas në kohë të ndryshme gjithë ngjarjen. Çdo çast të sajin. Kështu kishin vepruar në përleshjen e të djathtëve në shtetin fqinj, që me gjithë zhurmën e pandërprerë të liberalëve, u fajësuan të majtët. Ish më pas, se kjo ish veç joshja, që grupin mblidhte mes rrjetës, por ish prej këtej që gjithmonë më pas nga do të lindte mendjeprishja e përgjithshme. Dhe pasi të sillej në “shtab” i gjithë ky informacion, në kompjuterat e tij në një dhomë hoteli, do shndërrohej në dehje dhe marramendje ndjenjash, fyerje dhe zhgënjime, që çonin pa dyshim në zgjedhjen e një pale, deri në bindje. Aty ku filtrohej çdo gjë e vlefshme, një hero i panjohur, një fjalë, a një gjest që i duhej. Diçka që gjithkush t’a shihte veten dhe s’kish më rëndësi as koha e as vendi, si në çdo lojë teatri e aq më shumë filmi. S’ka dyshim që Lëvizja Abolicioniste (e heqjes së skllavërisë), kish filluar nga novela Baraka e Xha Tomit, në një kohë kur skllavëria pranohej si e drejtë legjitime. Thuhej se autori kish qarë kur e kish shkruar. Kjo dihej, përvoja pesëmbëdhjetëvjeçare në Hollivud, në mos ia kish mësuar këtë, magjinë e empatisë, ç’tjetër. Por gjithsesi e tërhiqte çdo gjë pamore, pa zë, pa fjalë ashtu depërtonte vetiu thellë në nënndërgjegje e trondiste çdo qenie në themel të besimeve. Në një tubim, mbrapa folësit, qëndronte një punëtor, mesoburrë, me mustaqe dhe favorite, me ngjyrë, që binte në sy, dhe prapë ish si të gjithë, mbante një pankartë dhe s’bënte tjetër veç lirshëm ish i lumtur mes turmës, si mes familjes së vet, nëpërmjet kamerave që s’i shqiteshin dhe gjithë sytë të votuesve: “Punë dhe Lumturi” kjo ish diçitura. Ish e tija!
Midis raporteve ndodhej edhe një si ftesë për të marrë pjesë:
“Protestë Studentore 7 Janar/ Ora 9:30 Mblidhemi në UNIVERSITETE/ Ora 10:00 Marshojmë drejt Kryeministrisë. Të bashkuar FITOJMË”.
Bashkëngjitur disa pika rrekeshin të shpjegonin idenë dhe qëllimin e lëvizjes dhe marshimit drejt Shtëpisë së Bardhë, gri. Tani, kishin një slogan, (rimonte si në vjershat e Nënëpatës). Ndihej një mosmarrveshje që i ndante, disa, s’merrej vesh kush, nuk donte të shkonte ku thuhej, kundërshtarët I quanin bashkëpunëtorë të KM. (Përçarja dukej serioze, në një kohë që ai do bashkonte kë të mundte. Vendi se ku, s’kish rëndësi, aq më tepër politike, duhej të bëhej në një vend ku mund të dëgjohej nga të gjithë. Gjithçka edhe pse mbante erë politikë në parullat, sloganet e dhe memet, s’ish politike. Aktivistët, dhe të tjerat pikante nuk përbënin një thelb politik, as atmosfera e pakënaqësisë që e ndiente se mungonte, strategjia e përcaktuar qartë, që bie siguri dhe bashkim rreth saj. Duart apo dora që ish pas tyre, do ish mirë të ishte dhe edhe më mirë disa, dridhej, e butë e pamësuar, e mekur. Analiza e mediave të bënte të mendoje që s’kish aspak opozitë serioze. A ekzistonte? Dhe me këtë nuk donte të thoshte të ishte në shesh e të mbante flamurin, por zemra e organizmit të saj. Qendra atje duhej të zbrisnin shenjtorët e paqtë! Përçarja dhe Paqartësia e plotë janë të dukshme. O Zot, ku jetojnë këta njerëz, në ç’epokë? Këtu duhet të ndryshojë gjithçka… por kujt i duhej vallë kjo në një tokë harruar nga Zoti? Kjo ishte sfida? Do të ish kjo kryevepra e tij? Ai vetë e besonte se ishte, por vetëm kjo s’mjaftonte. Do të duhej…
Papritmas u ndërgjegjësua se nuk kish më gjumë. Nuk donte të zhvishej dhe të bënte një dush. Kish ditë që e kish shtyrë këtë ndërmarrje heroike, i hante lëkura pas saj. As të zbriste në bar. Gëlltiti një pilulë dhe u ul përballë komputerit.