Një rrugë e re për njerëzit kryelartë dhe të ndershëm
Agron Duka
Më pak se gjashtë muaj na ndajnë nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Një ditë e rëndësishme për jetën politike të vendit, në të cilën, fatkeqësisht, do të gjendemi përballë një sistemi zgjedhor që prej tre takimesh elektorale nuk po ndryshohet. Dëshmi e qartë e një politike të paaftë për të punuar për konsensusin, dhe për t’iu dhënë qytetarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Shqiptarëve, e të gjitha shtresave dhe moshave, po iu mohohet dëshira për ndryshim, jo vetëm të figurave qeveritare, por edhe të mënyrës se si ky vend qeveriset. Po iu mohohet mundësia për të thënë, me votën e tyre të lirë dhe të patjetërsueshme, “boll më” me politikën e përplasjeve, të thashethemeve, të fjalëve bosh, të akuzave absurde, të mohimeve reciproke; të mllefeve të vjetra e të marrëveshjeve të nëndheshme.
Përballë kësaj situate, ku ndjeshmëritë e reja sociale dhe politike përplasen me indiferencën dhe frikën ndaj ndryshimit, është e detyrueshme një rrugë e re dhe e guximshme. Jo ajo e populistëve dhe demagogëve, apo e ideologëve të udhëhequr nga utopitë që për shumë gjatë kanë marrë në qafë këtë vend, por e përgjigjeve konkrete ndaj problemeve konkrete.
Një rrugë të re për njerëzit me vullnet, kryelartë dhe të ndershëm, që, edhe pse të zhgënjyer, nuk kanë frikë të shpresojnë dhe besojnë se politika duhet të ketë vlera dhe parime të shenjta; që nuk janë ndryshe nga ato mbi të cilat ne krijojmë familjet, rrisim fëmijët dhe ndërtojmë miqësitë tona.
Një rrugë e re në të cilën, ne si PAA, do të hapim dyert e partisë sonë dhe do t’i ofrojmë hapësirë, cilitdo që ka dëshirë të punojë për vendin e tij duke u zgjedhur në organet e qeverisjes vendore, në secilën prej 61 njësive administrative të Shqipërisë.
Një rrugë e re për të gjithë ata që kanë forcën dhe guximin qytetar për të bërë, nëse është nevoja edhe të vetëm, një garë zgjedhore ku mund t’ju japim një alternativë shqiptarëve, që prej shumë kohësh janë përballë vetëm dy zgjedhje: Lenën ose Prenën!
Për këtë arsye, sot, me zemër në dorë, ju ftoj të bëheni pjesë e marshimit tonë drejt 30 Qershorit. Një datë në të cilën bashkërisht mund dhe duhet të transformojmë revoltën ndezur brenda nesh, në një leksion politik që askush nuk do të harrojë!