A është Spiegelgate skandali më i madh i shtypit perëndimor?
Po fushata iraniane e keqinformimit?
Zbardhja e mashtrimeve të gazetarit Claas Relotius, redaktor i revistës prestigjoze gjermane Der Spiegel, ka tronditur mbrojtësit e shtypit të lirë.
Tashmë është bërë e qartë se shumica e 60 raporteve të Relotius, për të cilat ai kishte fituar disa çmime gazetarie, kanë qenë të bazuara në gënjeshtra. Unioni Gjerman i Gazetarëve DJU e quajti këtë rast si “skandali më i madh i mashtrimit në gazetari që nga ditarët e Hitlerit” në 1983 dhe CNN i tërhoqi çmimet e dhëna atij.
Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, tha “SHBA ka qenë viktimë e njëanshmërisë institucionale në këtë revistë… disa nga këto histori të pavërteta janë fokusuar në politikat e SHBA-së dhe në segmente të caktuara të popullit amerikan.”
Washington Post shkroi se artikujt anti-Trump të Der Spiegel kanë qarkulluar gjerësisht në qarqet liberale, ndërsa Washington Examiner shkroi se “stafi redaktues i Der Spiegel donte t’i besonte portretizimet e errëta e të papëlqyeshme që ai i bënte Amerikës.”
Pyetja është, a ka qenë kjo e vetmja dhe më e keqja fushatë e tillë njollosëse? Sigurisht që jo. Skandali shpërtheu në një kohë kur njëra prej diktaturave më të ndyra të botës, teokracia totalitare që sundon Iranin, ka patur një ndikim të pamerituar e mashtrues në shtypin perëndimor për vite të tëra, e megjithatë mbetet një mur i qëllimshëm e i tmerrshëm heshtjeje. Në ato raste kur ai thyhet pjesërisht, ata që duan të mbrojnë interesat e veta përpiqen t’i fshehin të këqijat në mënyrë që të vazhdojnë biznesin me mullahët.
Për disa kohë, regjimi iranian ia ka dalë të ndikojë në një pjesë të shtypit perëndimor, të rekrutojë reporterë të caktuar, dhe të orkestrojë rekrutimin e disa agjentëve të tij të inteligjencës si gazetarë. Në 2018-ën, njëanshmëria e disa mediave të caktuara – si The Guardian, The Independent, Britaniku Channel 4 TV dhe Al Jazeera – armiqësore ndaj opozitës iraniane, në veçanti ndaj Muxhahedinëve të Popullit (PMOI/MeK) dhe Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), është fare e dukshme. Në formate të ndryshme, secila prej tyre ka publikuar lajme të manipuluara e të fabrikuara për Iranin përkundrejt një sfondi akuzimesh shpifëse kundër MeK dhe NCRI. Burimet dhe/ose provat nuk ekzistojnë, ose janë aq të dobëta saqë hetimi minimal do t’i identifikonte si të lidhura me shërbimet e sigurisë së regjimit iranian. Korrespondenca e vazhdueshme nga MeK shpërfillet, dhe mohimet e tyre nuk publikohen.
Mashtrimi shumë i shëmtuar i lexuesve të Der Spiegel supozohet të ketë ushqyer egon dhe portofolin e Claas Relotius. Reporteri i The Guardian, Arron Reza Merat, ka majmur regjimin brutal mesjetar në Iran me artikullin e tij prej 6,800 fjalësh më 9 nëntor 2018, duke i goditur MeK-ët me akuzime të përbuzshme të cilat krijojnë terrenin për vrasje.
Ndryshe nga raportet e Relotius, të cilat ranë poshtë vetëm në sajë të kërkimeve dhe hulumtimeve të thella të kryera nga Der Spiegel, falsitetet e artikujve të Reza Merat mund të ishin ekspozuar lehtësisht përmes internetit, apo duke u kushtuar vëmendjen më minimale dokumentave të dhëna nga zëdhënësi i MeK për shtypin. Shumë parlamentarë dhe personalitete angleze e qortuan këtë mashtrim në letra drejtuar redaktorit. Me sa duket, ai artikull ishte vetëm një copëz e një fushate njollosëse sistematike; The Guardian kishte shkruar edhe më parë artikuj të ngjashëm, ndonëse më të kufizuar (30 qershor, 2 korrik, 23 korrik, 26 korrik, dhe 26 tetor).
Burimi i deklaruar i The Guardian për shumicën e këtyre fabrikimeve ishte një grup mercenarësh të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) së Regjimit Iranian në Shqipëri, të cilët paraqiten si ish-anëtarë të MeK. Dokumentat që provojnë lidhjet e tyre me ambasadën iraniane dhe me MOIS janë publikuar shumë herë dhe janë dërguar tek The Guardian. Kur këtyre mercenarëve u mbaron efektshmëria, ata transferohen sërish në Iran.
Një fakt interesant është se një muaj pas publikimit të artikullit të Reza Merat nga The Guardian, ambasadori dhe shefi i inteligjencës së regjimit në Shqipëri u përjashtuan nga ky vend për komplotet që kanë kryer kundër MeK. Më 14 dhjetor, Presidenti amerikan falenderoi Kryeministrin shqiptar për “përpjekjet e tij të paepura për t’u përballur me Iranin dhe për t’iu kundërvënë veprimtarive të tij destabilizuese dhe përpjekjeve për të heshtur disidentët në mbarë globin.”
Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei e ka pranuar rolin kritik të MeK në mbajtjen gjallë të kryengritjeve popullore të cilat e kanë përmbytur Iranin për më shumë se një vit. Më 12 dhjetor ai tha se ata që janë jashtë vendit duan të “ndihmojnë armiqtë e ndryshëm të Iranit, MeK-ët dhe grupe të ngjashme, për të krijuar mosmarrëveshje, luftë civile dhe probleme …. ata mund të kenë krijuar një trazirë në 2018-ën, por po planifikojnë për 2019-ën.”
Në rrethana të tilla, “gazetarët miqësorë” që hedhin helm ndaj MeK-ëve kanë vlerë të madhe për regjimin iranian. Krijohet një perde tymi që fsheh realitetet e Iranit. Disa janë ish-patriotë që kanë një histori me shërbimet e sigurisë dhe mediat e Iranit, të cilat kontrollohen totalisht nga qeveria. Të tjerë kanë interesin e tyre në mbijetesën e regjimit.
Dokumentat që provojnë këto lidhje janë lehtësisht të disponueshme. Përjashtimi i ambasadorit të regjimit iranian dhe shefit të stacionit të inteligjencës në Shqipëri ka dhënë pa dyshim sinjale, të cilat janë shpërfillur me qëllim. Nëse redaktorët e The Guardian dhe të tjerët që kanë publikuar lajme të rreme në lidhje me MeK dhe NCRI do të kishin qenë të interesuar në paanshmërinë dhe vullnetin e mirë gazetaresk, duhej t’i kishin përjashtuar ata që janë përgjegjës si dhe të kishin kërkuar falje.
Është koha që të thyhet heshtja në lidhje me ndikimin e lig të regjimit iranian në shtypin perëndimor. Pavarësisht turpit dhe skandalit, Der Spiegel u ngrit për të mbrojtur shtypin e lirë dhe gjithëçka që përfaqëson. Mediat përgjegjëse për shpërndarjen e artikujve për Iranin të bazuar në fakte të shtrembëruara dhe burime të pandershme nuk duket se janë të gatshme ta bëjnë një gjë të tillë. Turp të kenë.
Alejo Vidal-Quadras
President, Komiteti Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë (ISJ). Ish Zëvendës President i Parlamentit Europian (1999-2014).