Ilir Çumani: NERVI I PROTESTAVE NUK KA VDEKUR!
Kjo është një foto frymëzuese për çdo shqiptar të ndershëm, për çdo shpirt që është i lirë dhe i dashuron hapësirat e Lirisë….
Është një foto fantastike shumë kuptimplotë për të gjithë skeptikët, servilët dhe cinikët, robëruesit e pushtetit dhe militantët e verbër partiakë, që mendojnë se protesta e studentëve do të shuhej dhe do të shpërbëhej!
Në fakt, nervi i protestës nuk ka vdekur dhe nuk do të vdes kurrë, asnjëherë… Përkundrazi!
Rinia jonë, e bukura, e mençura, e guximshmja, largëpamësja, novatorja e ditëve të reja dhe e kohëve moderne, e pastra dhe e dëlira si vetë ajo, janë edhe këta studentë të mrekullueshëm, të cilët, janë pararoja e ndërgjegjes dhe e vetëdijes tonë kombëtare.
Rinia studentore, në emër të vuajtjeve e dhimbjeve proverbiale të prindërve të tyre, të një populli të nëpërkëmbur, i abuzuar dhe i shpërdoruar prej të gjitha keqqeverisjeve të ç’farëdolloj ngjyre, sot, i ka “braktisur” leksionet në auditore në emër të një misioni edhe më të madh e fisnik: për ti dhënë një leksion të vërtetë qytetarie të gjithë shqiptarëve që e duan me mëndje dhe me zemër këtë vend.
Për një Shqipëri që të bëhet e jetueshme për të gjithë dhe jo një parajsë fiskale në një xhungël e tokë e djegur nga krimi dhe korrupsioni vetëm për një kastë sundimtarësh e oligarkësh të pashpirtë, të babëzitur e pa integritet, të cilët për afro 3 dekada e mbajnë peng këtë vend që natyra aq bujarisht i ka dhuruar gjithçka, që nga klima e butë dhe me shumë diell, deri tek pasuritë e tokës dhe nëntokës, tek resurset e pafundme ujore e nënujore, lumenj, liqene e dete, e gjithçka që Zoti ka Bekuar për një vend si ky i yni.
Sot, jo vetëm studentët, por të gjithë ata që e ndjejnë veten se janë shqiptarë e patriotë të vërtetë duhet të bashkohen pa asnjë kompromis kundër të keqes, dhe të brohorasin të vendosur e me shpirt, përtej rreshtave, mikrofonave dhe foltoreve partiake me thirrjen: #SotJamStudent!#SotJamShqiptar!