Albspirit

Media/News/Publishing

Izet SHEHU: DASHURI

 

Ç’qenke ti për mua,
ç’qenke, dashuri!
zemrim i fajkoit

në një natë me shi.

 

Hapsirë e pafundme,
drithërimë acari,
fërngëllimë bore

në mes të beharit.

 

Fluturim në erë,
pëllumb përmbi blir,
lot kristal i kripur,

zambak erëmir.

 

Nën mbretërinë tënde

rri nënshtruar bota,
ndritet errësira,
si fllad bëhet shqota.

 

Pa madhështinë tënde

ç’kuptim ka njerëzimi,
do mbetej si bokë,
kredhje pikëllimi.

 

Ç’shije kishte jeta

pa pushtetin tënd,
s’do të kishte tinguj,
s’do të kishte këngë.

 

Ç’qenke ti për mua,
ç’qenke, dashuri!
laureshë e trembur

në një natë me shi.

 

Zë i thellë i gjakut,
rrahje e dhimbshme gjiri,
akull edhe prush

mbi flatra zefiri…

Please follow and like us: