PA RREGULLUAR STATUSIN JURIDIK-KUSHTETUES TË POPULLIT SHQIPTAR, NUK MUND TË KETË KURRË PAQE NË MAQEDONI…!
Dashamir Uruçi
Edhe pak ditë na ndajnë, nga votimi i ndryshimeve kushtetuese,në Maqedoni.
Të mbushura me probleme teknike e juridike të të gjitha llojeve, ndryshimet flasin për gjithçka, pa e prekur me qëllim thelbin e çështjes i cili lidhet me statusin politik, juridik e kushtetues të popullit shqiptar si dhe vendin që do të ketë gjuha shqipe,në Maqedoni.
Gjatë këtyre ditëve të fundit dëgjova zëdhënësit e dy partive shqiptare, të BDI-së e të Lëvizjes Opozitare, BESA.
I pari u shpreh hapur, pro votimit të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa i dyti bëri opozitarin, pa prekur problemet thelbësore të cilat lidhen me të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve si popull autokton në trojet e veta dhe jo pakicë kombëtare.
Shumë intelektualë patriotë, shqiptarë si dhe organizata të ndryshme që punojnë për të drejtat e shqiptarëve, kanë bërë analiza e kanë dhënë argumente të të gjitha llojeve e unë nuk do të zgjatem më tej.
E shoh të nevojshme të theksoj se ka shumë gjasa që ndryshimet kushtetuese të kalojnë sepse pazari AHMETI/ZAEV ka përfunduar e ata kanë rënë dakort që shqiptarët të sakrifikohen përsëri, vetëm e vetëm që Maqedonia të futet në NATO E BASHKIMIN EUROPIAN.
Asnjë shqiptar nuk është kundër futjes së Maqedonisë, në këto institucione të rëndësishme, garante të zhvillimit e demokracisë në rajon.
Çështja shtrohet pse duhet të hymë në NATO E BE, pa rregulluar më parë të drejtat e popullit shqiptar në Maqedoni dhe veçanërisht pa përcaktuar në kushtetutën e Republikës, statusin politik, juridik e kushtetues të shqiptarëve, pa e vendosur gjuhën shqipe aty ku i takon si gjuhë zyrtare në Maqedoni.
Këtyre rregullimeve rrënjësore, po i ikin vazhdimisht maqedonët dhe për fat të keq, këtë po e bëjnë me ndihmën e partive politike të shqiptarëve atje dhe me heshtjen e politikës në Tiranën dhe Prishtinën zyrtare.
Në këto kryeqendra, politikanët tanë ‘të ndershëm e atdhedashës’, respektojnë parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të Maqedonisë, anipse kushtetuta e tyre i obligon në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarve, në këtë republikë.
Sidoqoftë, ata kanë zgjedhur të flasin duke heshtur e duke pritur që zgjidhja të bjerë nga qielli.
Në këto kushte, Maqedonia aktuale ka gjasa të hedhë një hap të madh përpara, drejt NTO-s dhe Europës komunitare e cila kërkon nga popujt e vegjël të rrinë urtë e të mos bëjnë shumë zhurmë.
Ashtu si njëqind vjet me rradhë, asaj nuk i intereson gjendja reale e lirive dhe e të drejtave të shqiptarve në Maqedoni.
Duke mos u marrë me këto probleme, europianët po i hapin rrugë një shteti unitar i cili ditën për diell, nuk respekton shqiptarët, duke mbytur me të gjitha format, zërin e arsyes dhe kërkesat e tyre të ligjshme.
Këto ditë një mesazh i qartë e i vendosur erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vëllezërit tanë të diasporës shqiptare, pas këshillave të kongresmenit ELIOT ENGELL, i thanë JO NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE NË MAQEDONI.
Një mesazh i tillë është mirëpritur nga qytetarët, por ka rënë në veshin e shurdhër të ALI AHMETIT me shokë. Është në dorën e deputetëve shqiptarë që të kthejnë kokën nga interesat e shqiptarëve dhe jo nga urdhërat e kryetarëve.
Është në dorën e tyre t’i thonë jo votimit të ndryshimeve kushtetuese.
Çdo të bëjnë shqiptarët nëse këto ndryshime kalojnë e pakti AHMETI-ZAEV rezulton i suksesshëm?!
Në këto kushte, mbetet në lojë vetëm versioni i protestave të fuqishme, popullore me të cilat shqiptarët do të kërkojnë të drejtat e tyre.
Ne fakt duhet thënë se këto protesta e kanë kohën tani, tek selia e hisetarit të Gruevskit e përballë qeverisë maqedone në Shkup.
Sidoqoftë duhet veprim e nuk duhet pritur.
Presioni ndaj atyre që kanë votën e popullit në dorë, duhet rritur me të gjitha mjetet.
Në fund të këtyre rreshtave mund të them se përveç politikës shqiptare në Maqedoni, një përgjegjësi të rëndë kanë edhe europianët që vazhdojnë ta shohin me dylbi, Ballkanin Perëndimor të cilin ata e shkyen njëqind vjet më parë, duke prekur padrejtësisht territoret dhe pasuritë e shqiptarve.
Ata mund të pranojnë nesër në gjirin e tyre një shtet si Maqedonia, por nuk duhet të harrojnë se kanë pranuar një shtet unitarist, ku nuk respektohen të drejtat e popullit shqiptar e të minoriteteve. Një shtet i tillë antidemokratik do të kthehet në barrë për rendin, ashtu qoftë, paqedashës europian. Një vend i tillë do të vazhdojë të gjenerojë kriza e pasiguri, në gadishullin e ILIRËVE.
UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISË CIVILE-USHC.
Tiranë, 8 Janar 2019.