Rita Filipi: NJËKOHËSISHT DHUNUES E TË DHUNUAR
Ajo çka ndodh sot me dhunën e ushtruar ndaj gruas që shkon deri në marrjen e jetës, madje dhe para syve të fëmijëve, shpalos atë se sa shoqëri e dhunshme jemi në çdo qelizë tonën.
Gratë duhet të ndërgjegjësohen se çdo dorë e ngritur kundër tyre përbën vepër penale dhe se fëmijët nuk janë pronë as e nënës dhe as e babait e nëse ata bëhen pjesë e akteve e dhunës në familje, nuk meritojnë të rriten prej tyre dhe bëhet shteti përgjegjës për ta.
E di që shumica prej nesh mendon se cili shtet apo cila drejtësi. Mungesa e besimit është më e fortë se vullneti për ndryshim i kësaj situate. Mungesa e besimit sjell atë më të keqen, indiferentizmin e shoqërisë (secili prej nesh mendon-larg shtëpisë sime). Por as ne gratë intelektuale që e mbajmë veten gra të lira nuk jemi të imunizuar nga rreziku i dhunës psikologjike dhe fizike mashkullore që mund të ndodhë ose na ka ndodhur në një moment të jetës sonë.
Një qeveri nuk e ka bërë detyrën e saj vetëm se ka shtuar numrin e ministreve gra apo ështe shtuar numri i deputeteve gra. Sigurisht është diçka, por asgjë në raport me qindra e qindra gra që kanë nevojë për dorën e shtetit që t’iu kthehet dinjiteti. Sado aktive qofshin shoqatat në mbrojtje të gruas, shteti duhet të vendosë rregullatorë të zbatimit të ligjit, të asistencës ekonomike, të shërbimeve të duhura mjekësore për gratë e dhunuara, e mbi të gjitha, ka ardhur koha për fushata sensibilizimi me këshillimet e punonjësve socialë apo psikologëve (për të cilët më tepër se kurrë ka nevojë shoqëria jonë e traumatizuar nga dhuna); në botën e qytetëruar janë krijuar nga shteti kushtet për kulturën e terapive individuale dhe në grup, nëpërmjet të cilave po të zbatoheshin këtu te ne, në mos të gjitha familjet do të shpëtoheshin nga dramat e tragjeditë, por mjafton fillimisht disa prej tyre e kështu ngadalë do të shtohej numri i çifteve që do ta shihnin njëri-tjetrin si pjesëtarë të një familjeje apo bote të emancipuar.