Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Pango: Për emisionin “Opinion” të Fevziut dhe jo vetëm

Është bërë mishërim i dekulturimit kombëtar, cektësisë së trajtimit të problemeve, apo trajtimit në mënyrë fluturake. I keqmenaxhuar që nga numri i madh i të ftuarve që mezi u vjen rradha të flasin nën shkopin e dirigjentit të rrafshtë në çdo aspekt (dydimensional) e deri te të ftuarit e përhershëm të emisioneve politike që dihet ç’do flasin, e për kë do cicërojnë; që nga pseudospecialistët e deri te hundëfutja kudo e Blendit të gjithanshëm.

Edhe kur ka specialistë, lejohen të flasin shumë pak apo ndërpriten nga fjala a mendimi gjithëzotërues i “mësuesit të gjeografisë” me shkop, apo nga fakti se duhet të shfaqet tabela 16, kronika 35 apo mendimi numër 12 i Blendit të madh. Duket sikur mezi pret ta mbyllë duke “kaluar rradhën” edhe këtë emision ndër të tjerë, ushqim i përditshëm pa shije tashmë edhe për mediokrit, kollajllëk i pulteve të lodhura të teleshikuesve dembelë.

Aty shqiptarët mësojnë (çmësojnë) për kulturën, artin, sportin, shkencën, historinë e sidomos politikën a ngjarjet e ditës, sigurisht më shumë se nga të ftuarit, nga Blendi, specialisti më i mirë i kulturës, tifozi numër një i kombëtares, demokrati i parë rinor shqiptar, nuhatësi më i hollë i politikës, dijetari mbi dijetarë, natyrisht në një rrafsh tejet të rrafshtë. Aty mendohet se kanë filluar e do fillojnë pa përjashtim gjithë revolucionet, lëvizjet sociale, përmbysjet e mëdha. Kujtoni si i udhëhoqi në studio edhe studentët protestues me megafon para ca javësh.

Post Scriptum:  Ndonëse jam ftuar, por dhe sulmuar miqësisht në ‘Opinion’ nga ky i gjithëditur, ju lutem mos ma merrni për konflikt interesi. Nuk mund të mos e përshkruaja si psikolog objektivisht këtë fenomen psikologjik shqiptar (e kam personazh dhe te libri “Psikologji Shqiptare”).

Nuk është thjesht analizë quasipsikologjike. Problemi nuk është tek një emision apo dy. Ky dhe ca të tjerë prej vitesh kanë prishur e po prishin apo po formësojnë keq, çdo ditë, në mënyrë sistematike shijet estetike, profesionale, kulturore të shqiptarëve.

Delir dhe megallomani e paparë.

Please follow and like us: