Albspirit

Media/News/Publishing

Baton Haxhiu i shkruan Ilir Metës: Refuzimi, një gabim historik

Gazetari Baton Haxhiu ka treguar për mediat se i kishte dërguar një mesazh të gjatë presidentit Ilir Meta, ku i kërkonte dekretimin sa më parë të Gent Cakajt në detyrën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë. Ky tekst i Haxhiut ishte shkruar përpara se presidenti të shpallte vendimin e tij dhe mesa duket nuk ka ndikur në refuzimin që Ilir Meta i bëri kandidaturës së Cakajt. Pas këtij refuzimi, Baton Haxhiu e konsideronte aktin e presidentit Meta, një veprim ta padenjë dhe antihistorik. Më poshtë edhe teksti i plotë që Haxhiu i kishte dërguar presidentit Meta, pak kohë më parë se ai të shpallte refuzimin e tij.

“Përshëndetje Ilir,

Këto ditë kam përcjellur me vëmendje të veçantë ndryshimet në Qeverinë e Shqipërisë në përgjithësi dhe kam ndjekur me shqetësim të posaçëm shtyrjen e dekretimit për Ministrin e ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj. Me paraqitjet publike, sidomos pas kthimit nga shkollimi disavjeçar, Genti është shndërruar në shpresë politike dhe ka bërë dallimin me qasjen e tij të mençur dhe veprimet e tij të kujdesshme. Për më tepër, tashmë për një vit e më tepër, Genti ka shërbyer devotshmërisht në Qeverinë e Shqipërisë nga Kabineti i Kryeministrit deri tek zv. Ministri për Evropë dhe Punët e Jashtme. Ai është prej pak njerëzve në Shqipëri dhe në Kosovë, e veçanërisht edhe më i rrallë nga gjenerata e tij, e cila çdo ditë e më shumë shfaqet indiferente në qëndrime dhe konfuze në mendim, që mban ende peshën e rëndë të dijes dhe trajtën e kujdesit njerëzor. Ashtu sikurse jeni edhe ju në dijeni pasi tashmë keni mbaruar çdo hetim të mundshëm ndaj tij, Genti është prej personaliteteve pa manipulime në edukim dhe pa afera korruptive në karrierë. Ai thjesht është një djalë i pastër, me mendje të kthjellët dhe ideale të larta dhe, pa asnjë diskutim, më i përgatitur se kushdo në të njëjtën pozitë para tij. Sipas Kushtetutës të Shqipërisë, rrjedhimisht, për dekretimin e Ministrave të propozuar, roli yt, Ilir, është thjesht ceremonial. Në rast se do të shfrytëzosh zbrazëtitë në sistemin gjyqësor të Shqipërisë për llogari ditore politike dhe i ndikuar nga vala e paparë e thashethemeve të ditëve të fundit, Ilir, jo vetëm që nuk do të mundësoni emërimin në detyrë të një njeriu që përfaqëson shpresë në shoqëri dhe sjell dije në institucione, por, në fakt, do të vulosni ndarjen e thellë institucionale midis Kosovës dhe Shqipërisë. Midis shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Në kohën kur deklarohesh vazhdimisht për domosdoshmërinë e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk mund ta bllokosh në mënyre arbitrare emërimin e një Ministri nga Kosova me reputacion të shkëlqyer dhe kualifikime të bollshme! Në rast se do ta mbash pezull dekretimin e Ministrit të ri, do ta mbani edhe përgjegjësinë institucionale për mosdekretim të politikanëve me mendësi të re në Shqipëri, përjashtimin e një kosovari të shkëlqyer nga jeta e lartë institucionale në Shqipëri edhe bllokimin praktik të bashkëpunimit të frytshëm midis dy vendeve. Duke besuar se emri, të cilin mban mbi tryezë, për Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme paraqet cilësinë më të lartë për këtë detyrë dhe, duke mbetur me shpresë se do të ngrihesh përmbi politikat ditore, interesat e ngushta dhe logjikën feudale ku është mbërthyer Shqipëria dhe Kosova, unë, miqësisht, të kërkoj dekretimin sa më të shpejtë të kryediplomatit më të merituar të Shqipërisë. Ilir! Dëgjoje mirë çka po të thotë Batoni: Po gabon shumë dhe mos shko ma tutjeshëm në këtë gabim historik”.

Please follow and like us: