Edi Rama: Argumentet e Metës, turpërim skandaloz
Kryeministri Edi Rama i përgjigjet Presidentit Ilir Meta, lidhur me mos dekretimin e Gent Cakaj, si ministër i Jashtëm. Rama thotë se refuzimi i Presidentit për dekretimin e ministrit të ri për Europën e Punët e Jashtme, është jo vetëm antikushtetues, por edhe i turpshëm. “Argumentet e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin. Ndjesë Kosovës për këtë turp”, deklaron Rama. Mesditën e sotme Presidenti refuzoi dekretimin e Gent Cakaj si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Në përgjigjen që i ktheu Kryeministrit Edi Rama, Meta tha se Cakaj nuk ka përvojë si dhe ka mbajtur qëndrime publike të papranueshme për çështjen e kufijve të Kosovës. Po ashtu shtoi se gjatë detyrës si zv.ministër i Jashtëm ka treguar mungesë të theksuar përgjegjshmërie. “Kandidatura e Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në këto kushte, Presidenti i Republikës, në përmbushje të detyrimeve kushtetuese si Kreu i Shtetit, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe rolit të rij specifik kushtetues në politikën e jashtme të shtetit shqiptar, refuzon propozimin tuaj për emërimin e Gent Cakaj në detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në arsyetim. Më tej Meta deklaroi se mënyra se si Cakaj është pajisur me certifikatën e sigurisë, vetëm brenda një dite, nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.