Vitore Stefa Leka: Gjuha shqipe, problem i madh i fëmijëve të emigrantëve në Itali
Intervista/Flet poetja dhe aktivistja e shquar Vitore Stefa Leka
Gjuha shqipe problem i madh i fëmijëve të emigrantëve në Itali
Albert Z. ZHOLI
Një grua që ka një jetë që merret me veprimtari patriotike në emigracion. Një grua që privon shumë nga jeta e saj në interes të komunitetit shqiptar në Itali dhe më gjerë. Vitore Stefa Leka ose Nënë Vitorja siç i thërrasin të gjithë u lind në Tiranë nga dy prindër intelektualë: Kostaq dhe Eleni Stefa. Pas vuajtjeve 40- vjeçare nën regjimin komunist largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Trieste të Italisë, ku edhe sot jeton dhe vepron. Është autore e disa vëllimeve poetike: “La liberta”, “Jetoj Ringjalljen”, “Vetmi e Largësisë” dhe përmbledhjen “Plagë Shpirti” libri i saj i parë në prozë. Është bashkautorë e antologjisë “Mozaikë të një Portreti” si dhe e antologjisë “Metafora e Arratisur”. Ajo është ndër të paktat për të mos thënë e vetmja grua në moshë që shkoi vullnetare në luftën e Kosovës, duke u veshur me uniformën e saj dhe duke ndihmuar të plagosurit në luftë. Sot ajo është ndër luftëtaret më të nderuara të asaj lufte heroike. Në qëndrimin e saj në Trieste, me ndikimin e saj ka ndihmuar me mijëra emigrantë për të marrë lejeqëndrimin, apo për tu punësuar. Në miqësinë e saj ndesh emrat nga më të njohurit të avokatisë i italiane, miqësi me dhjetëra deputetë, apo Kryetar Bashkish.
Jeni pjesë e Fondacionit Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” cili ishte aktiviteti më i madh që zhvilluat në kuadër të vitit të Skënderbeut?
Unë jam pjesë e Fondacionit dhe kryetare për Italinë duke qenë se jetoj në Itali. Ne si Fondacion por edhe si grupim grash dashamirëse të artit gjatë vitit 2018 kemi bërë një sërë aktivitetesh me karakter patriotik dhe humanitar. Konkretisht në fundvit 2018, në kuadër të vitit të Skënderbeut, Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi ” me 21.12.2018 në Vlorën tonë historike, organizoi ceremoninë për përurimin e Shtatores të zonjës së parë të Arbërisë, Donika Kastrioti! Pas ceremonisë në Hotel ” Vlora International” u mbajt Konferenca shkencore “Vjen gruaja e shquar e Kombit nga shekujt” ku të pranishëm ishin figura të larta, ikonat e kombit, personalitete të shquar/a nga te gjitha trevat si dhe nga Diaspora! Presidentja Zenepe Luka në këtë aktivitet theksoi se është misioni i Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” për të promovuar vlerat dhe kontributet e gruas së shquar shqiptare. Përgjatë 16 vjetëve me propozim të Fondacionit janë vlerësuar 46 gra të shquara në fusha të ndryshme si “Mjeshtër i Madh”, me Urdhër “Naim Frashëri”, qytetare nderi të qyteteve ku kanë lindur, Nderi i Qarkut si dhe me Medaljen “Mirënjohje”që akordon vetë Fondacioni. Fondacioni ynë e drejtuar nga znj. Luka u ka kushtuar vëmendje të veçantë grave të shquara të Kombit, duke organizuar 45 konferenca shkencore në Shqipëri dhe 20 degët që funksionojnë po në kaq shtete, ndërsa është ndalur më gjatë tek figura e Donika Kastriotit, për vetë rolin dhe kontributin e saj, si zonja e parë e Arbërisë, bashkëshorte e Heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe, vajza e Gjergj Arianitit, që ka lidhje të veçantë me Vlorën. Presidentja Luka së bashku me degën tonë në Itali që e përfaqësoj unë kishte mbi dy vjet që këmbëngulnim për të sjellë kockat e Donika Kastriotit, që ndodhen në Valencia, madje një delegacion i Fondacionit bëri takim dhe kërkoi ndihmë në Vatikan, por fatkeqësisht nuk na mbështeti qeveria. Por do të këmbëngulim, kemi kërkuar një takim me Papën, që besojmë se do ta realizojmë në muajt e parë të vitit 2019 . Derdhja e shtatores në bronz, ishte një nismë e guximshme, që pati bashkudhëtare këmbënguljen dhe vuajtjen për t’ia arritur qëllimit vitin të jubileut të ndarjes nga jeta të Skënderbeut, por edhe vitit jubilar të lindjes së saj. Vuajtje, pse nuk gjetëm mbështetje tek asnjë institucion shtetëror qendror e vendor, as edhe tek Ministria e Kulturës, që e ka fonderinë e saj dhe mund të derdhej aty. Në këto rrethana znj. Luka iu drejtua degëve të fondacionit nëpër shtetet ku funksionojnë , ashtu edhe miqve tanë të shumtë. Brenda 1 muaji u grumbulluan të ardhurat e domosdoshme për derdhjen në bronz të shtatores së Donika Kastriotit. Fondacioni shpreh mirënjohjen e thellë për sponsorat, që janë: Z Ahmet Ulaj Tiranë, Nderim Istrefi, Vienë, Loro Nrekiqi Kryetari i Komunës Ulqin, Bujar Leskaj, Dashamir Tahiri, Sofo Kuteli. Fondacioni mbajti premtimin, duke ju vendosur emrat në një pllakë afër shtatores, si dhe akorduar medaljen “Mirënjohje” nga Fondacioni. Gjithashtu duhet vlerësuar edhe kontributi i degës së Fondacionit në Vienë, që drejtohet nga zonja Rolanda Limani. Autori i veprës është skulptori i shquar vlonjat Skënder Tena, një mik i Fondacionit me të cilin kemi vite që bashkëpunojmë. Shtatorja e Donika Kastriotit, u derdh në bronz me mjeshtëri nga “Albanian Bronze Foundry” me pronar z. Dylber Neziri, është vlerësuar nga kolegët e tij kryevepër. Shtatorja u zbulua nga dy aktoret e mëdha “Nderi i Kombit” Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa, por në ceremoni ishin edhe themeluese të Fondacionit si Prof. Makbule Çeço, poetja Vllasova Musta, Silvana Braçe, prof. Ingrid Shuli, aktorja e Kosovës Leze Qena, këngëtarja kosovare Shpresa Gashi, gazetarja Flora Dyrmishi etj. Por merita e madhe i takon Presidentes Zenepe Luka, punës së saj të palodhur, organizimit të saj të përsosur, vizionit të saj për gratë e shquara në shekuj. Puna e saj duhet vlerësuar.
Të kalojmë pak tek prindërit tuaj, pasi ata kanë shumë emër, Kostaq dhe Eleni Stefa. Babai juaj Kostaqi u pushkatua nga regjimi komunist ndërsa familja u internua. Mund të na përcillni diçka nga fëmijëria juaj?
Prindërit e mi ishin dhe mbeten patriottë të flaktë, intelektualë që përhapnin vetëm gjuhën shqipe dhe atë kishin si ideal jetësor. Pra, unë rrjedh nga një familje intelektualësh nga Berati. Jam stërmbesë e Konstandin Kristoforidhit dhe Gjergj Stefës, pjesëmarrës krah për krah me Abdyl Frashërin në Lidhjen e Prizrenit. Babai mbasi mbaroi shkollën teknike të Harry Fulc-it ku një kohë punoi dhe si profesor, studimet e larta i mbaroi në Institutin Superior ndërsa magjistroi në Firence. Babi im ka folur tetë gjuhë. Ka përkthyer edhe nga Japonishtja. U pushkatua në moshën 44 vjeç nga diktatura dhe që atëherë filloi kalvari i pa mbarim i vuajtjeve tona familjare. Nëna gjithashtu mësuese, edukatore e disa brezave, një grua e rrallë që ia kushtoi jetën e saj, që nga mosha 33 vjeçare, rritjes së pesë fëmijëve jetim në një fukarallëk të plotë po me një krenari të rrallë. Pas rënies së diktaturës, babait i dhanë titullin “Martir i Demokracisë”. Sot në qytetin tim një rrugë mban emrin e tij, kurse mamaja ka titullin “Mësuese e Popullit “. Nga fëmijëria dhe rinia e hershme kam vetëm kujtime të hidhura e të dhimbshme, kështu që më mirë mos t’i kujtojmë e flasim për to.
Ju jeni një poete e njohur kur, si dhe pse keni filluar të shkruani?
Libri ishte pjesa më e dukshme në shtëpinë tonë. Kudo që të shkoje vetëm libra shikoje. Por mund të them se qysh në fëmijëri kisha prirje për letërsi. Krijimet e mia fillojnë në shkollën 7- vjeçare, ku kam bërë poezi, por dhe krijime të tjera. Ajo që më veçonte nga të tjerët ishte se bëja hartime të bukura, të cilat mësuesit i varnin tek këndi i letrarëve të rinj, por asnjëherë nuk u botuan as te gazeta “Pionieri” e as tek “Zëri i Rinisë”. Këtu kam një rast të veçantë kur ka ardhur shkrimtari Luan Qafëzezi në shkollën tonë dhe kërkoi nxënësen që kish shkruar tregimin që ishte varur tek këndi i letrarëve të rinj. Në këtë hartim unë kisha bërë nj përshkrim për Beratin. Kur hyra në sallën e mësuesve ai më përkëdheli dhe më pyeti se çfarë tjetër kisha shkruar duke më thënë se do ti tek gazeta “Pionieri” në Tiranë. Sa u gëzova. Por ky gëzim nuk zgjati as disa sekonda pasi dikush nga mësuesit i tha diçka në vesh shkrimtarit dhe çehrja e tij u prish menjëherë. Ai kishte qenë nxënës i babait dhe për të mos më vënë akoma në pozitë më tha “Do shohim”.
Kam lexuar shumë tregime apo poezi tuajat po tregimi “Blerina”, më ka mbetur në kujtesë mos vallë është një tregim autobiografik?
Po, e vërtetë tregimi “Blerina”, është autobiografik! Pikërisht tek personazhi i Blerinës si dhe te e gjithë tragjedia familjare e saj, janë me dhjetëra vajza si unë, që kanë kaluar kalvare të tilla vuajtjesh. Në diktaturë kishte me mijëra familje të tilla të persekutuara, ku vuajtjet më të mëdha i kanë pasur vajzat e reja. Kam parasysh mijëra të tjera.
Në Itali ka shumë emigrantë, gjuha shqipe, a është shumë problem shqetësues?
Këtë problem edhe të mos ma bëje pyetje do të rrekja edhe unë. Po bëhet prezent një analfabetizëm masiv dhe kudo kemi ndeshur probleme të shumta. Shteti ka heshtur në këtë drejtim. Ti dëgjosh nipërit tanë, shqipen jo vetëm e flasin me theks italian, por flasin një shqipe të çalë, me shumë fjalë italiane. Unë dua të përmend një shqiptar të Maqedonisë. Ai quhet Nehat Marku që ka qenë mësues në Maqedoni i cili ka hapur një shkollë shqipe, që i mëson nxënësit deri në gjimnaz. Kjo ishte një nismë e tij private por që pati mbështetjen e komunitetit shqiptar të Maqedonisë. Kjo shkollë ndodhet në Forlino afër Peruxhias. Shkolla në fillim është hapur dhe me ndihëm e shoqatës “Iliriada” dhe më pas z. Nehat e vazhdoi me forcat e veta. Njëkohësisht po me këtë përgjegjësi vepron edhe Shoqata “Çamëria” të cilët kanë lidhur një miqësi të madhe me shqiptarët e Ukrainës. Kryetari i kësaj shoqate shkoi vetë në Ukrainë që realizoi këtë lidhje dhe tashmë ata ndihmojnë njeri tjetrin për tekste dhe mjete didaktike, për mësimin e gjuhës shqipe. Po dora e shtetit nuk ndihet ende. Shteti duhet të bëjë më shumë pasi ka forcë dhe mundësi. Individi mbetet individ. Gjuha shqipe mbi të gjitha.