Albspirit

Media/News/Publishing

Lavdërim Lita: Marrëdhënia e Kosovës me Shqipërinë dhe BE

Marrëdhënia e Shqipërisë dhe e Kosovës duhet të lexohet në dritën e takimit të pestë të dy qeverive tona, që premtonte shumë, por në fakt prodhoi shumë pak: heqja e tarifës roaming dhe unifikimi i kalimit doganor. Ishte një takim që u karakterizua nga folklori nacionalist që i mveshi kryeministri Edi Rama, duke firmosur flamurin kombëtar dhe duke tërhequr për krahu kryeministrin Haradinaj. Gjesti dorë më dorë mbi flamur ishte një butafori e Edi Ramës, që kërkonte t’u thoshte intelokutorëve ndërkombëtarë që ai është një lider rajonal me ndikim te shqiptarët në Ballkan.

Marrëdhënia me BE-në

Këto ditë Kosova ka një problem real, sepse presidenti Thaçi e ka vënë vendin e tij në një tepsi të madhe botërore, ku forca të dritës dhe forca të errësirës po matin forcat e tyre për të parë nëse duan të hapin lojën e korrigjimeve të kufijve, jo vetëm në Ballkan. Kundërofensiva e kryeministrit Haradinaj për të ndryshuar lojën ka rritur presionin mbi BE-në dhe vendet e tjera që kanë ndikim mbi të ardhmen e Kosovës, siç janë SHBA-ja dhe Rusia, duke rritur në 100 për qind tarifën e importit të mallrave nga Serbia. Pra, nga 500 milionë euro që përfiton ekonomia serbe nga importet e Kosovës do të kemi një rënie me 4 për qind të prodhimit të brendshëm të Serbisë. Me këtë Kosova kuptoi që ka një armë shumë të fortë kundër Serbisë, ekonominë e saj dhe varësinë e eksporteve serbe kundrejt Kosovës. Vonesa e liberalizimit të vizave të Republikës së Kosovës me Bashkimin e Evropian ka bërë që në muajt e fundit qeveria “Haradinaj”, mediat, por edhe opinioni publik përmes rrjeteve sociale, të jenë shumë kritikë me zyrtarët e lartë të BE-së që nuk mbajnë premtimet. Kosovës dhe lidershipit të saj politik i ishte premtuar që lëvizja e lirë në Zonën Shengen do të ishte e mundur pas realizimit të standardeve administrative (Siguria e brendshme) dhe miratimit të Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Raportet e Komisionit Evropian konfirmojnë progresin e Kosovës dhe plot dy herë i është propozuar Këshillit të Evropës, organi më i lartë i BE-së që përfshin në tryezë shefat e qeverive dhe të shteteve evropiane. Kosova është i vetmi vend evropian që nuk lëviz i lirë në BE, kur edhe vende që nuk aspirojnë të integrohen si Gjeorgjia ose Moldavia lëvizin të lirë në BE. Qëndrimi i BE-së ndaj Kosovës është paksa i çuditshëm në një kohë kur 1 milion moldovas kanë marrë nënshtetësinë rumune për të qenë anëtarë të BE-së dhe asnjë nuk ka thënë një fjalë, ndërsa Kosova e mbyllur me kyç në shtëpi nga BE-ja është nën presion se çoi në 100% tarifën ndaj mallrave të Serbisë dhe do të formojë Ushtrinë e saj brenda 10 vjetëve të ardhshme. Standardet e dyfishta janë të njohura në BE, ashtu siç po ndodh këto ditë kur delegacioni i BE-së në Moskë po diskuton çështjet e furnizimit me gaz të Evropës, nga ana tjetër për sy e faqe liderët e BE-së bëjnë thirrje të kthehen marinarët ukrainas të sekuestruar nga shërbimi sekret ushtarak i GRU-së së Putinit. Ne duhet t’i marrim çelësat e shtëpisë mbrapsht se ndryshe do të ngelemi brenda! /Zëri/

Please follow and like us: