Edvin Parruca: Turpi i universiteteve
Drejtuesit e universiteteve publike sot janë shprehja më e qartë publike e kalbësirës së gjithë Republikës. Gjatë një muaji ne njohëm me dhjetëra 20-vjeçare, vajza e djem, njohëm emrat dhe mendimet e tyre për universitetin, por nuk dëgjuam asnjë dekan e rektor të flasë një llaf, teksa universitetet e tyre janë kthyer me këmbë përpjetë.
Gjatë këtij muaji unë njoha mendimet e studentit të Juridikut Agred Tafaj, por as që di kush është dekan i Juridikut, njoha mendimet e Don Pjetrit, student i Politeknikut, por nuk di kush është rektor i këtij Universiteti, njoha të paparin Enriko Peçuli, por nuk di kush është dekan i Shkencave Sociale. Për rektorin e Universitetit të Tiranës dimë vetëm që e kërcënoi Shullazi, asnjë lajm tjetër s’na mbërriti më kurrë prej tij.
Drejtuesit e universiteteve publike do të duhej të ishin ndër intelektualët më të mirë të vendit, por ndërkohë që për çështjen e arsimit të lartë ka hyrë në mendime edhe zonja që shet djathin te lagjja ime, këtyre nuk iu dëgjua zëri. Këta do të duhet të ishin, në mos në rrugë me studentët, të paktën në çdo studio televizive duke argumentuar. Por jo, zgjodhën të heshtin si të pagjuhë, tani as nuk guxojnë të thonë që ata e kërkuan ndërhyrjen e policisë. Asnjë shqetësim nuk ndjejnë këta për situatën ku ka hyrë prej një muaji universiteti, shqetësohen vetëm për përfitimet që u sjell karrigia e tyre. I gjithë shteti ynë është kështu, e gjithë Republika, gjithë shoqëria.
Mendoj, o studentë, se duhet ta ndryshoni radhën e sloganit ‘do ndryshojmë universitetin, do ndryshojmë edhe shoqerinë’, duhet ndryshuar gjithë shoqëria, që të ndryshojë edhe universiteti. Kjo është çështje e të gjithëve ne, jo vetëm e juaja, prandaj duhet të jemi të gjithë në rrugë sot, bashkë me ju, secili për pikat e veta, të gjithë bashkë për të ndryshuar këtë vend. Nëse ndryshohet dot…