Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Vetëm versioni II (në mund të jetë një lëvizje)

 

Kish parë shumë marrëzi por kjo kish një kundërmim të ëmbël karafili dhe jo vetëm simbolik. E tërhiqte me vete kudo që shkonte si të ish një vello e padukshme si ajo e çuditshmja e maceve në të dalë të dimrit, kur gjithë maçokët e lagjes mblidheshin rreth një pike ku tinzarja i shihte nga larg. Vinin dhe rinin aty, prisnin t’u shfaqej. Asnjë s’lëvizte sikur ajo erë kaq e dëshëruar i mbante lidhur gjithë ata kordhëtarë që do i kishin nxjerrë sytë njeri-tjetrit, rrinin aty të tulatur dhe butë, gati të binin nën kthetrat e saj, siç kishin rënë
Si çdo gje tjetër e gjallë, vdekje kish dhe jetën mbarte me vete, kalbëzimin e ngadaltë në qullje, si shpërthimin e zhurmshëm, dridhje e shkundje të rrënjëzës së parë q’u ngërthye në një plis balte të mos shqitej. Shërimin nga çdo e helmët, çdo shkatërrues ish ajo forcë rrahjeje që s’dihej nga vinte. Nga një përzierje alkimie kripërash tretur në një pelte inerte proteine? Cili ish ai çast i madhërishëm shpërthimi? Si mund ta ndiente ajo farë e ngrirë, nën mbulesën e plasaritur, si krahët ende kërc e sqep i butë rreket të thyeje lëvozhgën gur a të rrëshqasë përmes një dhimbje e klithmë pa frymë, të lindë? Kush vallë e fillon atë goditje dhe kur, shumë e magjishme për të qenë e vetvetishme!

“Një lëvizje mase në rritje tërheq dhe mban ç’e ndjek pas, jo nëpërmjet doktrinës dhe premtimeve, por për nga streha që u ofron anktheve, shterpësisë dhe pakuptimshërisë të ekzistencës së individit. Shëron të irrituarin e prekur jo me … mjekimn e vështirsive dhe shpërdorimeve që jetët ua bënë të mjera, por duke mbështjellë ato në një të tërë të përbashkët e thurrur ngushtë dhe të ngazëllyer”.*

“Më në fund ish ulur ta shkruante. Ai nuk ish ekspert i lëvizjeve mosbindëse, kish lexuar shkarazi aty këtu dhe aq më pak veten s’e shihte si zjarrfikës, asnjëherë s’kish besuar në ato paketa muskujsh herkuliane, për të cilat gratë, kish kaq sexappeal kur s’ish aspak ashtu, kudo, dhe këtë ia thoshte vetes dhe me zë, mbizotëron supreme mendja. Kish shumë të mënçura, që nuk shihnin tek ai një Sokrat, ish shumë më ndryshe, shumë, shumë larg, por vetes dhe gjithë botës ia kish provuar se ishte strateg. Dikush që një ide, sado e çfarëdoshme, e bënte të thërrmonte një sistem qeverisjeje dhe besimi mendjeje. Por mbase këtu, në këtë hapësirë, ku çdo gjë arrihej me këmbë dhe makinat voziteshin si të ishin kuaj, as që mund të mendohej ajo madhështi me të cilën ish mësuar. Atëherë pse? Kërshëria? Sfida? Ai do parashtronte planin e betejës dhe çfarë do duhej, por habitshëm ish me mendje, më shumë se gjysmën e saj, në anën e kundërt të atij që e paguante. Gjithë jetën i kish urryer këta senatore romakë, barkmëdhenj gënjeshtarë nën një togë fisnikërie edhe pse nga pamja e jashtme dukej pak si ata, por vetëm, vetëm nga pamja. Një revoltë e fshehur kjo që e bënte të refuzonte kategorikisht vënien e kravatës apo kostumit. Madje vishte dy a tre këmisha një mbi një”.

“Mund t’iu them me plot gojë që lëvizja është e re, madje sot e porsalindur”. E theksoi këtë me një gjysëm ngritje të trupit mbi tryezë, një thellim të zerit me tone të ulta vibruese dhe me një shikim të zhbirues në sytë e atyre që po e dëgjonin.
“Filloi në çastin kur u lëshua banderola e stërmadhe në godinën e Politeknikut. Ishtje futje politeknike. Një shah i forte nervathyes! Megjithatë, fatmirësisht, pikërisht për këtë, gjendja ish në një farë barazpeshimi, ku qeveria mund dhe duhej ta shfrytëzonte qoftë dhe me një manovër të shpejtë lëshimesh. S’ish pika më e lartë e përfshirjes, por as dhe më e ulta. Diskutimi me studentët i kish humbur kohë pushtetit. Një nga ato që do t’i demtonte ecurinë në këtë mes dhe do çonte në katastrofë do të qe dhuna mbi ta nga ana e tyre”.

Këtu me një notë çlirimi duke u zhytur kërrusur në ndenjëse, theksoi miqësine dhe besimin reciprok duke u bërë një me ta, pjesëtar i tyre.
Në të tilla raste, qeveria bën disa lëshime përtej atyre të pritshme, jo vetëm për të treguar dashamirësi por edhe pse duhet ta mbyllë patjetër ndeshjen publike dhe t’i heqë lëvizjes qëllimin, që e vë drejtësinë në anën e saj. Grupet e tjera politike, pro qeverisë mund të futen në lojë si kërcënim por kjo do parashpejtojë kaosin dhe daljen e gjendjes jashtë kontrollit.
Por, miku im, pavarësisht nga metodat më efikase të zgjedhura, mbi të gjitha ka vlerë rekrutimi i forcave rreth vetes, dhe aq më tepër nëse s’ka dhunë, çdo gjë varet nga qëndrimi politik i secilës palë. Cila është pala kundërshtare? Opozita? Lavdi Zotit dhe pse ka gisht është në bisht? Por kjo s’do të thotë se s’ka vend për propagandë. Kjo në vetvete shënon dhe fundin e propagandës personale, nëpër media dhe TV dhe duhet të zëvendësohet nga agjitatorë aktivë. Qeverinë nuk e përbën vetëm kryeministri, se po qe kështu ai është i flijuar. Mirë që, hë per hë, kundërshtari është miturak dhe pa një mendje të urtë drejt qellimit të caktuar. Cili është qëllimi më i tejmë, Vetingu i Arsimit? Zgjidheni me një prokuror dhe komision apo organizatë të pavarur! Lëvizja e Teatrit dhe as ajo e shtëpive nuk mund të lidhen në mënyrë organike, sepse u mungon një aspiratë që u përket të gjithëve, pastaj nuk janë as shtresa shoqërore, si në rastin e emigracionit. Ajo që më shqetëson është Kuajzgjedhja që dhe pse shumë teorike dhe e kërkuar vetëm për gjygjsorin nga BE, fare mirë mund të shtrihet dhe në fusha të tjera”.
I hodhi një shikim dyshues atyre që i rinin përballë, si për të vënë re ndonjë shenjë moskuptimi që s’di pse e priste, ndoshta për të justifikur punën e tij, por në kësi rastesh siç e dinte, s’kish asgjë të prerë me thikë. Ai më i riu tundte kokën. I gjati me duart mbi bërrylat mbi skrivani dhe gishtat e gërshetuar vështronte diku përtej supit të “mikut”.
“Problemi i dytë: “shpërndarja e opinioneve në spektrin ideologjik”,(a) secila sipas historianëve tepër e veçantë, e cila, s’duhet veçse për të kuptuar llogjiken e protestës. Dhe kjo nga ana e saj tregon përmbajtjen ideore të popullit, ndarë në grupe e fraksione. Lejomëni zotërinj të zgjatem pak këtu. Sigurisht, duke përmendur me respekt veçoritë e kombit tuaj, mund të flasim për grupe dhe fraksione brenda partive, tradita dhe vazhdimësia, por kurrësesi nuk shtrihen ne popullësi. Madje fraksionet janë më shumë për shvatje e pushtet, se sa ideologjike. Dhe në këtë kontekst dy gjëra kanë rëndësi, kush dhe si do e mbushë këtë zbrazësi, se njerëzit kanë nevojë të besojnë, duke mënjanuar në të njëjtën kowe vëmendjen nga rrëzimi apo marrjen e pushtetit”.
I njejti vështrim drejt bashkëfolësve me të njejtën përgjigje.
“Se fundi, plotësimi i kërkesave më të skajshme të kundërshtarit, arrin edhe pse në dukje si dorëzim dhe zbythje e qeverisë, heqjen e iniciativës dhe të vazhdimësisë së protestës, heq dhe të ashtuquajturin “shkallëzim” të kërkesave që mund të zgjasin pambarimn, në shuarjen përfundimtare. Mos harroni zotërinj, se “të gjitha strategjitë triumfuese janë kokëforta.”(b) dhe kjo vlen për të dyja palët. Faleminderit”!

I gjatë, me një ballë të lartë, të paktën ashtu dukej nën dritën e zbehtë, u kthye pak djathtas në tatëpjetën e butë, ngjitur me fjetoret e fakultetit të mjeksisë. Një gjë e kish shqetësuar dhe vazhdonte ta ndjente brenda vetes si tradhëti, se ishin si ai, ishin të titë, qe në gjithë këtë s’kishin pipëtirë. S’ishin as elitë, as të shkëlqyerit dhe as më të mirë se të tjerët! Ndoshta kishin më shumë mundësi emigrimi? Apo ndoshta luanin faktorë të tjerë. Gjithsesi nevojtoret ishin si gjithandej të qelbura. Vërtet aty ku duhet pastërtia më e pastërt, si në mjekësi, ka më shumë ndyrësi. Një Veting për të do tërhiqte mbarë kombin. Por ndoshta hija e doktorit pardesybardhë ende trembte si mallkim i gjaksit.
*Eric Hoffer, The True Believer (New York: Harper and Row, 1951), p. 44a, b Power in Numbers: The Political Strategy of Protest and Rebellion.
James DeNardo by Princeton University Press, 1985.

Please follow and like us: