Mbi firmosjen e partive shqiptare për ndryshimin e emrit të Maqedonisë
Në vend të një replike me mikun tim dhe kreun e USHC, Dashamir Uruçi
Çerçiz Loloçi
Jam pjesërisht dakort me shqetësimin e mikut dhe aktivistit të shoqërisë civile Dashamir Uruçi, ndër të vetmet shoqata në Shqipëri që ka integritet dhe nuk është e inkriminuar si pjesa tjetër që i shërben herë PD dhe herë PS.
Dakortësia ime vjen në atë që klasa politike shqiptare në pushtet dhe në opozitë duhet të bënte më shumë që krahas ndryshimit të emrit të Maqedonisë të fitoheshin edhe më shumë të drejta për shqiptarët.
Por tek e fundit shqiptarët në Maqedoni nuk kanë dalë të humbur nga kjo marrëveshje dhe partitë shqiptare kanë bërë mirë që kanë firmosur pro saj. Unë e vlerësoj orientimin proamerikan të USHC sepse kjo është edhe prirja më e madhe e shqiptarëve këtej e andej kufirit, por nuk jam kurrsesi kundër Europës. Nuk na i kanë fajet europianët që ne ende nuk jemi përfshire de jure në familjes e tyre (sepse europianë jemi prej shekujsh), madje duhet thënë se Berlini, Parisi, Brukseli, Vjena, pra të gjitha kryeqendrat europiane kanë qenë pranë shqiptarëve, i kanë inkurajuar për t’u përfshirë në familjen e tyre, por klasa politike, inkriminimi i ministrave dhe ish ministrave, deputetëve dhe ish deputetëve, gjyqtarëve, medias, shoqërisë civile na ka lënë jashtë portës së Europës. Mjafton një hetim i sipërfaqshëm i pasurisë së politikanëve dhe do të kuptojmë se kjo është pengesa e vetme që na mban larg Europës.
Dijetarë shqiptarë dhe jo sharlatanët e çështjeve të ashtuquajtura kombëtare kanë thënë se ky shekull punon për shqiptarët dhe nuk është pak që aktualisht Shqipëria rreshtohet me të drejta të barabarta në NATO, Kosova de fakto është anëtare e NATO-s me një bazë të saj, Mali i Zi (me përkatësi edhe shqiptare) është anëtar i Aleancës së Atlantikut Verior, Maqedonia me gjysmën e popullsisë shqiptare është një hap pranë pranimit në këtë organizatë, çka e bën faktorin shqiptar më të rëndësishmin në Ballkan me dy aleatë strategjikë të përhershëm, SHBA dhe BE.
Të jesh në klubin e Perëndimit, atje ku ke prirjen më të natyrshme dhe të kahershme, padyshim është një arritje e madhe dhe që i jep Shqipërisë vendin e merituar mes kombeve më të qytetëruar e të civilizuara dhe ky është një moment që duhet vlerësuar.
Shqipëria ka vuajtur shumë nga një regjim diktatorial, por po kaq rëndë është ndëshkuar nga skota e politikanëve të të gjitha krahëve që kanë grabitur gjithçka dhe që nuk duan kurrsesi që ne të jemi të barabartë, të zhvilluar dhe me dinjitet si euroatlantikët.
Me konsideratë për mendimin tuaj, për miqësinë gjithashtu, por edhe që s’mund të biem dakort për gjithçka.
Dashamir Uruçi: AKT I TURPSHËM TRADHËTIE NDAJ KOMBIT SHQIPTAR
Dje, më datë 11 Dhjetor 2019, me bekimin e Partive Politike Shqiptare, me 81 vota pro, kaluan ndryshimet kushtetuese, në Parlamentin e Maqedonisë.
Kaluan pa marrë në konsideratë asgjë nga kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar.
Maqedonia e hodhi një hap drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s pa zgjidhur asnjë nga kërkesat themelore të shqiptarëve.
Statusi aktual POLITIK, JURIDIK E KONSTITUCIONAL i shqiptarëve është më poshtë se në “Kohën e NEXHAT AGOLLIT», më 1945…! Premtimi se shqiptarët do t’i realizojnë aspiratat e tyre me futjen në NATO e Bashkimin Europian, ka qenë në ballë të marketingut politik të Zoran Zaevit. Është një përrallë e kahershme që EUROPA E DJALLËZUAR, ia tregon shqiptarëve, pa pushim dhe ashtu si tek «Dhelpra e rrushtë», rrushi (Europa), vazhdon të qëndrojë në majë të pjergullës e ne shqiptarët (me demek dhelpra), vazhdojmë e rrimë aty, ku kemi qenë më parë.
Askush nuk duhet të harrojë se Popullit Shqiptar dhe Tiranës zyrtare, kanë 30 vjet që i thonë, me sot e me nesër se do t’iu pranojmë në Bashkimin Europian dhe realisht për shqiptarët, çdo ditë e më shumë, Europa është larguar dhe nuk është afruar. Pritet të vijë një ditë që shqiptarët mund të pyesin: Pse duhet të presim kaq shumë, pse duhet të hymë në Europë kur të tjerët po dalin…? Duke i njohur tërë këto zhvillime në Shqipëri, partitë politike shqiptare në Maqedoni, e kishin në dorë, ta kushtëzonin votimin e referendumit për Marrëveshjen e Prespës.
Ata edhe dje, votimin e ndryshimeve kushtetuese, duhej ta kushtëzonin me kërkesat e shqiptarëve, për barazi me maqedonët, në të gjitha fushat.
Me votimin e djeshëm, partitë politike shqiptare, vërtetuan përfundimisht se punojnë për interesat e tyre të ngushta, klanore, politike e personale dhe jo për interesat e shqiptarëve.
Dhe tash pas gjithë kësaj sa ka ndodhur, pas njëmijë e një zhgënjimeve e dështimeve, ËSHTË RRADHA E POPULLIT SHQIPTAR NË MAQEDONI…!