Albspirit

Media/News/Publishing

Zef Mazi: Maskarda politike shqiptare me Ministrin e Jashtëm

 

 

Kryeministri Edi Rama caktoi për Ministër të Jashtëm një djalë të ri të moshës 28 vjeçare dhe nga Prishtina, pas shtatë muajsh angazhimi në këtë dikaster si zv.ministër. Këto orë për të po thuhet se paska njohuri të admirueshme, pavarësisht nga mosha. Kjo tregon në fakt metrin e gjykimit dhe standartin e vlerësimit të të emëruarve në shtetin e sotëm shqiptar. Del e qartë kësisoj sesi u bëkan vlerësimet dhe si arrihet në përfundime mbi karrierat dhe nivelin profesional të të emëruarve, që të habisin për mendjelehtësinë që bartin!

Kryeministri Rama ka hyrë në konflikt publik me Presidentin e Republikës për kandidaturën e ministrit në fjalë, duke spostuar njëkohësisht edhe Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, i cili ende është në detyrë. Nga ana e tij edhe Presidenti duket se po luan politikisht.

Mendoj se kjo situatë, kështu siç shihet e gjykohet në momentin aktual, nuk shkon në drejtim të interesave të mëdha të vendit, si në rrafshin politik e kombëtar, ashtu edhe në atë global.

Nuk po zgjatem, por shënoj se kjo që ka ndodhur, e që vijon të konsumohet, tregon qarte sesa i papjekur është vendi ynë, sesa joseriozë janë politikanët shqiptarë, sesa i cekët është gjykimi i tyre dhe sa të kënaqur duhet të ndjehen sot disa fqinjë që sodisin maskaradën tonë të radhës.

Ministria e Jashtme është nga inistitucionet më të rëndësishme të vendit. Me të nuk mund të bëhen lojra dhe akrobaci, apo lajthitje si ato që vihen re tek ne. Ky institucion është pasqyra e vendit në arenën ndërkombetare! Serioziteti i tij reflektohet pikë së pari që nga titullari i ministrisë, e më pas, zbret poshtë tek drejtorët, ambasadorët e kështu me radhë.

Është shumë zor sot të gjesh një vend që të ketë për Ministër të Jashtëm një djalosh kaq të ri dhe pa përvojë, ose me pervojë mjerisht minimale. Rasti i veçantë i Austrisë që po citohet lart e poshtë ishte thjesht një përjashtim, por shënojmë se ish-Ministri i Jashtëm, sot kryeministër, kishte mbi 15 vjet karrierë në partinë e tij politike, ishte rritur dhe ngritur atje dhe gjeti dhe la një staf ministrie tepër serioz dhe me përvojë mjaft të gjatë, që e udhëzonte rregullisht.

Shkolla e kryer, diku edhe kjo duhet parë me kujdes, kur është puna për poste të tillë, të mëson sesi dhe ku duhen hapur librat, ajo të mëson edhe se cili libër duhet hapur e konsultuar në cilën periudhë, etj. Por shkolla nuk është etaloni i vetëm kutmatës! Përvoja është puna, puna dhe vetëm puna, eksperienca në diplomacinë e aplikuar, ku kalohen e hipen të gjitha shkallët profesionale, gradualisht dhe një nga një. Parashutimet e menjëhershme janë mjaft të rrezikshme për një shtet serioz (mirëpo një shtet serioz nuk bën ato që bëjmë ne në Shqipëri …). Vendi ynë nuk e ka luksin për të tilla situata joserioze.

Ky rast ekstrem duhet të bëjë që të reflektohet dhe jo të shahet, të rivendosen ekuilibret dhe të jepen zgjidhje me një ministër tjetër, në moshë të respektuar, me njohuri, përvojë dhe zgjuarësi politike dhe diplomatike! A nuk ka vallë një njeri të tillë e gjithë struktura e Partisë Socialiste? Po ajo e opozitës vallë nuk ka? Po OJQ-të apo shoqëria civile nuk paskan një të tillë? Me siguri që po, por duhet menduar thellë!

Shqipëria, si thamë më lart, nuk i ka disa lukse si të tjerët. Ne jemi vend i vogël, gabime mund të bëhen lehtë dhe ato lënë pasoja jo të vogla. Ne duhet të bëjmë shumë herë më tepër kujdes që të jemi të respektuar, të dëgjuar, të pranuar me ndërgjegje dhe të zgjuar.

Mjafton të përmend këtu kryesinë e radhës të OSBE-së, që ne e marrim vitin e ardhshëm. Nga përvoja e gjatë e di mirë që duhet të ndalesh e të mendosh thellë: cili do jetë Ministri i Jashtëm i yni dhe me çfarë bagazhi, moshe dhe përvoje do të vijë ai? Cili rast nuk krijon çekuilibre edhe të përmasave rajonale, vështrime vëngër, etj, me cilin ministër kryesia do të shkojë në të gjitha pikat e tensionuara apo konfliktuale të zonës së OSBE dhe do të bisedojë me pushtetarët, të zgjedhur ose jo, me parlamentarët, me OJQ-të vendore, me Misionet e OSBE-së, me shoqërinë civile, me palët në konflikte, etj.

Sa do të jetë ky ministër në gjendje të japë udhëzime dhe ide, sesi duhet të bëhet kjo ose ajo gjë, si duhet të ndiqet ky ose ai proces, ç’drejtim duhet të marrin teza dhe propozime të caktuara, që ato të jenë të duartrokitura dhe të pranueshme për të gjithë! Me cilin ministër do të bisedojnë homologët e Evropës dhe më gjerë, me cilin ministër do të shkëmbejnë ata mendime të pjekura, të thella në përvojë dhe nga cili ministër, kryetar radhe, ata do të marrin udhëzime?

Është nevojë urgjente që këto aspekte, të gjitha e pa neglizhuar as edhe një prej tyre, të mendohen thelle dhe të arrihet në konkluzione dhe gjetje të forta, të qëndrueshme, të rregullta dhe te respektueshme e të pranuara nga të gjithë. Këtë ta mëson përvoja e gjatë dhe Shqipëria, nuk e ka luksin ta anashkalojë apo, edhë me keq, ta injorojë. Sharjet, hedhja e fajit sa këtej sa andej, këmbënguljet foshnjore, etj., nuk ndihmojnë aspak.

Ai që di të falë dhe të thotë “u bë një gabim, hajde ta korigjojmë bashkërisht, të shohim dhe të ecim përpara“ – ai tregohet i lartë. Nuk është turp, përkundrazi, bën mirë, është në të mirën e vendit.

 

Please follow and like us: