Albspirit

Media/News/Publishing

E çmendura N, intervistë me Edi Ramën për oligarkët

E çmendura N e kryeqytetit, sot në orën 16:00, zhvilloi në një nga sallat e hanit perandorak “Rogner”, këtë intervistë me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

– Mirëmbrëma, mirëmbrëma, mirëmbrëma, në emër të gjithë kazanit të të çmendurve, zoti Kryeministër! Faleminderit, faleminderit, faleminderit, që pranove të intervistohesh prej meje.

– Lëri këto fjalë, o e çmendur, po hidh pyetjen e parë! Më pyet pak për çitjanet që përdora në Fier!

– I dashur Ramë, i dashur kryeministër, pyetjet këtu i bëj unë dhe ti vetëm përgjigjesh. Fillojmë me të parën. Cilët sipas jush janë oligarkët më të rëndësishëm në Shqipëri?

– Oligarkët më të rëndësishëm në Shqipëri, janë Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha. Kjo është renditja sipas deklaratave të padeklaruara të pasurive, të secilit prej nesh.

– E kuptova, – tha e çmendura N, por unë nuk të pyeta për oligarkët që njihen botërisht dhe që s’ka çfarë t’ju bëjë as ambasadori amerikan. Pyetja ime është për oligarkët e tjerë

– Pas katërshes së madhe, domethënë pas meje, Saliut, Ilirit dhe Lulushit, janë njëqind vende bosh dhe këtu fillojnë oligarkët e tjerë,- u përgjigj Rama.

– Cilët janë këta? – këmbënguli e çmendura

– Tani po të tregoj. Gjithsej janë pesë rrathë oligarkësh. Rrethi i dytë, që siç të thashë, vjen pas njëqind vendeve bosh, udhëhiqet nga Zamiri dhe Sandri. Këta të dy, janë oligarkë unikë, me aftësi të rralla, që nuk ju afrohet dot kurrkush, as deri te thonjtë e këmbëve. Ky rreth hapet dhe mbyllet vetëm me këta të dy.

– Pse vetëm këta? – u habit e çmendura

– Sepse o e çmendur, çdo krah apo qeveri, që vjen në pushtet, këta të dy i ka paketë. Do s’do , pushteti që vjen, këta të dy janë aty.

– Uaaah, – u habit e çmendura. Po mirë, ti sikur i kishe lidhjet me Top Kanalin. Sa ishte në pushtet Berisha, i vrau e i preu, vetëm se ishin me ty.

– Tani o e çmendur, ti duhet të kuptosh aq sa duhet të dijë një e çmendur. Nuk mund të jesh ti një person i thelluar. Me Topin, e kemi zgjidhur problemin që kur vdiq i zoti i televizionit, rahmet pastë. Kjo gruaja që është tani, kënaqet edhe me pak dhe për këtë arsye e kemi caktuar te rrethi i pestë i oligarkëve.

Rrethin e pestë që ta kuptosh edhe ti o e çmendur, e mbulon lali Eri, domethënë Erion Veliaj. Lali i ka dhënë kësaj gruas, kioskat me teneqe, në të gjithë Tiranën. Tani, siç e di edhe ti, kioskat prej teneqeje, janë të lëvizshme dhe po erdhën në pushtet këta të Saliut, ja shkulin dhe ajo kthehet prap me ne.

– Furbo je o Ramë, bukur të ka shkuar mendja, – tha e çmendura. Po si ka mundësi, që edhe gjithë oligarkët e Sali Berishës kanë kaluar me ty?!

– Pjesa më e madhe e këtyre oligarkëve, erdhën me vrap vetë, sapo ne erdhëm në pushtet o e çmendur. Kishte ca që rezistuan, kryesisht këta me origjinë nga malësia. Siç e di dhe ti, ne j’ua  shtrënguam rripin dhe ata filluan të dorëzohen. Më shumë nga të gjithë, rezistoi Çeti i karburanteve, ngaqë nuk e linte nderi i malësorit. Po kur u dorëzua, u dorëzua vërtet o e çmendur.

– Po ç’bëri ? – pyeti e çmendura

– Ç’bëri thotë… Ty të kujtohet që unë para se të merrja pushtetin, u kompletova dhe me martesë serioze, Çeti i shkretë u tregua më burrë nga të gjithë. E shqeu qesen dhe hodhi 1 milionë.

– Mos! Një milionë çfarë? – pyeti e çmendura

– Po euro o e rrjedhur, pse ç’prisje ti, patate?

– Në cilin rreth janë këta o Ramë?

– Në rrethin e tretë o e çmendur. Në këtë rreth përfshihen edhe të mitë që i kam rritur vetë, që nga koha kur isha kryetar bashkie. I njeh edhe ti, Carapuli, Papuli, Karapuli… Po më të rëndësishëm te rrethi i tretë janë oligarkët fallco. Këta oligarkë i kemi krijuar vetë. Është Klodi i Spitalit Amerikan, Vilma e check up-it, e plot të tjerë. Këta quhen oligarkë të persekutuar, sepse këta vërtet marrin koncesione dhe PPP, por shpërndarjen e parave e bëjmë ne…

– Po rrethi i katërt, – pyeti e çmendura?

– Rrethi i katërt o e çmendur, janë oligarkët e emergjencës. Përfaqësuesi më tipik i rrethit të katërt, është Duka i krimit dhe i futbollit. Këtë lloj oligarku, ne e përdorim për raste speciale. Përshembull, duam të ndërtojmë dy pallate të lartë brenda stadiumit Qemal Stafa? Thërrasim në ndihmë kryetarin e përjetshëm të futbollit ,Mond Dukën, ai bisedon me të gjithë FIFAT dhe ne i ndërtojmë.

Që të mos harroj, për të bërë projektin e kullave të larta, unë j’ua caktoj oligarkëve ndërtues edhe arkitektin e huaj që dua unë. Për këtë, në të gjitha kontinentet kam nja 30 Casamontë, që nuk i kanë mirë letrat edhe me qeveritë e tyre. Po për këtë temë, do të flasim herë tjetër.

– Zoti Kryeministër tani, pyetja e fundit. A mund të dimë shkurt, si funksionojnë të pesë rrathët e oligarkëve?

– Shumë thjesht, o e çmendur. Rrethi i tretë, i katërt dhe i pestë, punojnë përgjithësisht, 95% për rrethin e parë dhe 5% për veten.

Përjashtim bën vetëm rrethi i dytë, domethënë Sandri dhe Zamiri, që bashkë me mua, bëjmë çfarë të na dojë qejfi në këtë vend. Unë dhe këta të dy, ulim dhe ngremë taksat kur të duam, ndryshojmë dhe bëjmë ligje të reja si të na duhen. Ndërtojmë në Tiranë sa kulla të na shkrepet. Rrëmbejmë toka ku të duam, veçanërisht në bregdet, aq sa djali dhe vajza e Saliut, nuk e kishin parë as në ëndërr këtë lloj rrëmbimi.

Tani që unë po marr dhe lekët e bankave, për t’i shfrytëzuar, po u jap 107 milionë euro, Sandrit dhe Zamirit, që të çajmë Llogaranë tej e përtej në zemër, vetëm që rruga të shkojë në komplekset turistike që unë dhe ata po ndërtojmë…

Ç’të të them më shumë o e çmendur! Këtu do jemi e do flasim, edhe për oligarkët e drogës, por tani për tani nuk flas dot.

– Faleminderit, faleminderit, faleminderit, – tha e çmendura dhe u largua pa i dhënë as dorën/TPZ.AL/ 

Please follow and like us: