Reshat Kripa: ZEMËR E DËSHPËRUAR
O moj zemra ime, zemër pikëlluar,
Çfarë ke pse rënkon, zemër dëshpëruar?
Unë po vajtoj, kohën e kaluar,
Kohën e rinisë, kohë hidhëruar.
Atë kohë mizore që ne e jetuam,
Kjo rini e sotme, nuk e ka menduar,
Nuk e ka menduar dhe as e mendon,
Se dikur dhe jeta, varej nga një fron.
Dhe ky fron i lartë, fron prej perandori,
Ishte nën sundimin vetëm të një horri,
Turma hipokritësh, bënin hosana,
Që të gjithë thërrisnin, rrofsh o Baraba!
Si nuk kishit turp, s’kishit as moral,
Ju, o deputetë, ju intelektualë!
Vallë a s’kishit seder, s’kishit vetëdije?
Jeta njëherë vjen dhe njëherë bie.
Por morali rron, do të rrojë për jetë,
Vetëm kjo dallon, njerëzit e vërtetë,
Atë po e humbe, humbur ke gjithçka,
Për ty më nuk mbetet, nuk mbetet asgja.
Ndaj kjo zemra ime, zemër e lënduar,
Gjithë këto kujton, ndaj rri dëshpëruar.
Rri e dëshpëruar, zemër në lëngatë,
Qan edhe vajton, Shqipërinë e ngratë!
Tiranë, korrik 2004