Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Ngrihuni! Bashkohuni me studentët! Mbrojeni protestën e tyre nga shtypja!

Për ju pedagogë, prindër dhe qytetarë të papërfaqësuar

Ngrihuni! Bashkohuni me studentët! Mbrojeni protestën e tyre nga shtypja!

Teksa, kryeministri sot po vetshpallesh edhe si ministër i jashtëm, në Elbasan, studentët u shfaqën me një banderolë. Nuk shkruante ndonjë kërkesë për qeverinë. Ishte thirrje e drejtpërdrejtë: “Ngrihuni o popull, se po na shtypim!”. Hyrja e këtij viti ka sjellë radikalizim të dhunës së qeverisë ndaj studentëve. Duket haptazi se qeverisemi nga një juntë e egër dhe brutale. Rama kërkon të marrë hak duke e shtypur protestën. Në të gjitha fakultetet e universiteteve në Tiranë dhe në rrethe studentët po përballen me dhunën e policisë, me të ftohtin e dimrit, por edhe me një moskuptim të prindërve, të shoqërisë dhe sidomos të pedagogëve. Studentët i i folën dje me tone të ashpra medias, që të mos krijojë mjegull për identitetin e tyre. “Ne jemi opozita e munguar dhe pozita që i duhet këtij vendi”. Ky ishte thelbi i mesazhit të lëshuar nga një studente e Ekonomikut, që po qëndron në ngujim. Kjo formë e fundit, pas shumë gjetjeve spektakolare të protestës së studentëve, e ka nervozuar dhe frikësuar deri në palcë regjimin.

Personalisht, si një prind dhe si politikan që drejtoj partinë e re, ZGJIDHJA, kam menduar se 8 pikat e studentëve do të trajtoheshin sa për të kaluar radhën dhe kryeministri do përpiqej t’i mashtronte. Prandaj, krahas mbështetjes së protestës, kam rekomanduar të kapërcehen këto 8 pika dhe të shkohet drejt kërkesave që synojnë ndryshime në sistemin politik, veçanërisht në themelin e demokracisë, që janë zgjedhjet. Ndërkaq, e kam mirëkuptuar dhe përshëndetur sjelljen e studentëve për të mbajtur larg politikanët e PD-PS-LSI të cilët janë njësoj e bashkëpërgjegjës për situatën e rëndë të arsimit dhe të popullit tonë, për varfërinë dhe keqqeverisjen. Duke parë, se si po e përballojnë situatën studentët, se si këmbëngulin te kërkesat e tyre duke e mbajtur në cep të ringut politikën e vjetër, tani është e qartë, se cilët janë armiqtë e ndryshimit që kërkon rinia. Kundërshtari kryesor i rinisë që po proteston janë kryeministri dhe kreu i opozitës, sepse të dy duan status quo-n, mos ndryshimin e kodit zgjedhor, rotacionin e qetë mes tyre, riciklimin e vazhdueshëm të sistemit të kalbur të tre partive dhe ruajtjen e klientelës së korrupsionit.

Kundërshtari i radhës së dytë janë ata dekanë dhe pedagogë që janë bërë një me politikën dhe partitë e vjetra, duke krijuar një sistem universitar të korruptuar, me përfitime të ndërsjella, që studentët kërkojnë ta shembin. Pedagogët të lidhur me krahët politikë, bëjnë të njëjtin rotacion si partitë dhe mbajnë universitetin larg autonomisë, larg diturisë, larg demokracisë. Këta pedagogë dhe drejtues universitetesh ngjajnë njësoj me ata profesorë që iu kundërvunë studentëve në vitin ’90. Ata u mbuluan me turp dhe u harruan nga historia. Kështu do të përfundojnë edhe armiqtë e sotëm të protestës së studentëve. Iu drejtohem pedagogëve të ndershëm, që të mos tremben nga ndryshimi që kërkojnë studentët, por ta shprehin publikisht e fuqimisht mbështetjen. Studentët po luftojnë edhe për ta, po kërkojnë edhe çlirimin e tyre nga thundra dhe kontrolli qeveritar.

Të nderuar prindër socialistë, anëtarë të thjeshtë të asaj partie të vjetër, ju bëj thirrje që të mos mbyllni sytë kur kryetari juaj ju rreh fëmijët që protestojnë! Kryesia e PS-së, kupola e krimit dhe korrupsionit, është e preokupuar sot jo për hallet tuaja, por si të përjetësojë pushtetin dhe regjimin shtypës që Rama e Saliu kanë ngritur. Kjo kupolë nuk punon për socialistët, por për pasurimin e paligjshëm të një grushti njerëzish. Partia Socialiste ka tradhtuar interesat e popullit dhe atdheut, shpreh e mbron vetëm interesat e oligarkisë së krimit. Braktiseni mafien e PS-së dhe bashkohuni me studentët!

Të nderuar prindër, që militoni në radhët e PD dhe LSI,

konflikti i studentëve me sistemin do ta çlirojë jo vetëm botën akademike nga kontrolli i tre kryetarëve të partive, por edhe partitë tuaja do ndryshojnë njëherë e përgjithmonë. Do të ndryshojnë ose do të zhduken. Është koha të dëgjoni zërin e studentëve dhe të dilni në krah të tyre pa flamujt e partive të vjetra.

Duke parë se sa të kthjellët janë studentët në protestën e tyre, sa afatgjatë dhe sa këmbëngulës, ditë pas dite, ata  kanë dhe po bëjnë aleat gjithë popullin e papërfaqësuar, i cili është shumica e madhe e njerëzve të thjeshtë. Koha punon kundër elitës së korruptuar dhe ndihmon studentët, prandaj pushteti po nxiton që ta mbysë këtë protestë duke mos kursyer asnjë mjet. Në këto kushte, zemërimi po arrin kulmin.

Vetëm presioni popullor mund ta detyrojë pushtetin të tërhiqet nga planet e tij, t’i hapet rruga një qeverie teknicienësh që të bëjë reformat bazë që kërkojnë studentët dhe çlirimin  e sistemit politik nga sundimi tre partiak 30 vjeçar. Kauzat për universitet evropian dhe Shqipëri demokratike janë të pandashme. “Zgjidhja” është në mbështetje të tyre, në luftë të pakompromistë për demokraci dhe standarde evropiane në universitete, për zgjedhje të lira dhe të barabarta!

#Protesta#Studentët#Zgjidhja

Please follow and like us: