Misteri më i madh i Kremlinit: Kush e vrau shokun Sergei Kirov?
Amy Knight
Më 4 dhjetor 1934, në një mëngjes të acartë dhe me lagështirë, që kishte përfshirë stacionin hekurudhor të Moskës, një delegacion i madh i punëtorëve, i ftuar për këtë rast nga partia, vështroi me pikëllim teksa nga treni i ardhur nga Leningradi zbriti një arkivol. Brenda ndodhej trupi i Sergei Kirov, ish-shefi të të partisë në Leningrad, anëtar i Byrosë Politike dhe orator i spikatur i regjimit të Stalinit. Kirov ishte vrarë në orët e vona të mbrëmjes së 1 dhjetorit, në selinë e Partisë Komuniste në Leningrad në Institutin Smolni, një ndërtesë imponuese neoklasike, që dikur ishte shkolla e vajzave të aristokracisë ruse. Po atë ditë, menjëherë sapo mësoi lajmin, Stalini kishte urdhëruar disa zyrtarë kryesorë të partisë ta shoqëronin për në Leningrad. Pas një vizite formale ngushëllimi tek vejusha e Kirovit, Marija Lvovna, Stalini dhe vartësit e tij nisën të hetonin mbi krimin. Ishte tejet e pazakontë që lidershipi kryesor politik të braktiste kryeqytetin, për të shqyrtuar një krim që NKVD, policia sekrete e fuqishme dhe efikase sovjetike, i kishte të gjitha aftësitë për ta bërë vetë. Por ai nuk ishte një krim i zakonshëm. Viktima ishte një nga miqtë më të afërt të Stalinit. Që nga vdekja (vetëvrasja e dukshme) e gruas së Stalinit, Nadezhda Allilueva 2 vjet më parë, Kirovi ishte bërë shoqëruesi kryesor i Stalinin, duke pushuar me të në jug, dhe madje duke pasur privilegjin e rrallë e shoqërimit të tij në sauna. Megjithëse i ndanin qindra kilometra, ata bisedonin shpesh në telefon – ndonjëherë, duke pasur parasysh zakonet e çuditshme të punës së Stalinit në mesin e natës. Për më tepër as Leningradi, nuk qe një qytet i zakonshëm.
Vetëm pak vite më parë, ai ishte baza e opozitarëve brenda partisë, që morën anën e “të majtës” të Grigori Zinovievit, në përplasjen e tij me Stalinin. Në cilësinë e anëtarit të Byrosë Politike, dhe kreu i qeverisë së Leningradit, Zinoviev iu bashkua bolshevikut të shquar Lev Kamenev për të kundërshtuar udhëheqjen ekonomike dhe politike të Stalinit. Pasi Zinovievi u shkarkua nga funksionet e tij në Leningrad në vitin 1926, Kirovi, si shefi i ri i partisë, kishte ndërmarrë një fushatë të ashpër spastrimesh, për të çliruar degën e Leningradit nga zinovievitët besnikë. Stalini nuk i kishte zënë asnjëherë besë Leningradit, qytetit të ndërtuar nga Pjetri i Madh në fillim të shekullit XVIII për të shërbyer për Rusinë si një “dritare e Perëndimit”. Ai e urrente atë.
Shtëpia e figurave më të shquara intelektuale dhe kulturore të Rusisë, Leningradi, dukej më shumë evropian sesa rus. Ndaj ai vendosi të mbikëqyrte personalisht hetimet. Dhe ato prodhuan rezultate të shpejta. Më 3 dhjetor, vetëm një ditë pas mbërrtjes së Stalinit dhe grupit të tij, NKVD zbuloi se vrasësi ishte Leonid Vasileviç Nikolaev, ish-punonjës i Inspektoratit të Punëtorëve dhe Fshatarëve. Por raporti përmbante disa anomali. Së pari, vrasësi i dyshuar, Nikolaev, kishte punuar edhe në Institutin e Historisë së Partisë në Leningrad. Së dyti, gazetat nënkuptonin se Kirov ishte duke punuar në Smolni atë ditë, kur në fakt ai e kishte shkruar raportin e tij në shtëpi, dhe ishte kthyer papritur në institut në orët e vona të pasdites.
Ai nuk u qëllua jashtë zyrës së tij, por 55 metra më larg, jashtë zyrës së sekretarit të dytë, Mikhail Çudov. Dhe së fundmi, nuk është përmendur fakti që Nikolaev ishte dërguar në një gjendje të pavetëdijshme në një njësi mjekësore speciale të NKVD për trajtim, para se të merrej në pyetje. A ishte keqinformuar publiku qëllimisht? Një pjesë tjetër e rëndësishme e informacionit që nuk u shfaq kurrë në shtyp, ishte se një dëshmitar kyç, truproja i Kirov, M.D.Borisov, u vra në një aksident të dyshimtë një ditë pas krimit, ndërsa po shkonte të merrej në pyetje nga Stalini. Udhëheqësi i vrarë, u shndërrua në një shenjtor brenda natës. Vrasja e Kirovit, shkatëroi jo vetëm familjen dhe miqtë e tij.
Ai dërgoi valë tronditëse në të gjithë Bashkimin Sovjetik. Kirovi 48-vjeçar kishte qenë një lider i njohur në qarqet partiake, i pashëm, karizmatik dhe një orator shumë i efektshëm në publik. Me fytyrën e tij rinore dhe mungesën e pretendimeve, Kirovi ishte i afrueshëm, çka i bënte njerëzit të kishin besim tek ai. Në kontrast me Stalinin, i cili dilte rrallë nga kufijtë e Kremlinit, Kirov ishte njeri i popullit, dhe dilte shpesh nga makina e tij për të shtrënguar duart me njerëzit në rrugë. Ndërsa Stalini fliste një rusishte me një theks të rëndë gjeorgjian, fjalët e Kirovit kishin një ton të qartë dhe të fortë të një rusi vendas, si një muzhik i vërtetë, një njeri i tokës.
Kirov nuk i përshtatej stereotipit bolshevik të pamëshirshmërisë së një ideje të vetme. Qëndrimi i tij tolerant ndaj pikëpamjeve të ndryshme politike, e veçoi atë nga ata që u ngritën në pozita udhëheqëse në vitet 1920. Ai nuk prishi miqësitë me përfaqësues të partive të tjera politike, si Revolucionarët Socialistë, dhe deri në Revolucionin e vitit 1917, bashkëpunoi me konkurrentët kryesorë të bolshevikëve, Menshevikët. Më vonë rivalët e tij politikë, e akuzuan se ishte vetë një Menshevik vetë. Në fakt, në kontekstin e Rusisë staliniste, popullariteti ishte një term relativisht relativ. Kirovi ishte “popullor” vetëm për aq kohë mund të ishte një anëtar udhëheqës i një qeverie brutale.
Raportet e fshehta informative të zbuluara kohët e fundit nga zyrtarët lokalë të parties, zbulojnë se proletariati i Leningradit ishte thellësisht i pakënaqur me situatën ekonomike, sidomos për racionimin e bukës. Disa punëtorë dhe fshatarë nga rajoni i Leningradit, fajësuan Kirovin për gjendjen e tyre të mjerë, dhe reaguan me indiferencë apo përbuzje, ndaj lajmit të vdekjes së tij. Por shumica e nderuan kujtimin e tij. Shumë shpejt Stalini “zbuloi” një komplot kundër udhëheqësve të lartë, përfshirë vetë atë. Kështu nisi terrori i madh, për të kulmuar në vitet 1937-1938, me ekzekutimin e mijëra drejtuesve të lartë të partisë dhe ushtrisë. Në përgjithësi supozohet se Stalini qëndronte prapa vrasjes së Kirov, duke zhdukur kështu një rival potencial, dhe duke i krijuar vetes mundësinë për të ndërmarrë një valë të re spastrimesh.
Marrë me shkurtime nga NYT – Bota.al