Albspirit

Media/News/Publishing

Punësimi i militantëve në burgje, mashtrimi me të bërit shtet dhe gjunjëzimi i Ramës

 

 

Edi Rama u detyrua të gjunjëzohet para nevojave të partisë për të punësuar militantët e vet dhe tashmë pas bërjes publike nga VOA të përgjimeve të ish Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, njeri i Ramës dhe kontribues i PS-së, publiku pa edhe njëherë lakuriq kryeministrin. Kujtoni se sa orë televizive ka mashtruar vazhdimisht e vazhdimisht mbi gjoja konkurset e meritës në administratë. Kujtoni se herë dhe sa orë ka gënjyer ballazi qytetarët që i kanë kërkuar punë se ai nuk merrej me këtë punë e se në shtet nuk ndërhynte, se punësimi ishte çështje e ligjit dhe jo e partisë e broçkulla pa fund.

Tashmë opinion publik gjerësisht dëgjoi jo nga opozita, se nga ajo e dëgjon çdo ditë, por nga ‘Zëri i Amerikës’ përtej oqeanit se Rama është thjesht një gënjeshtar i paskrupullt që nuk bën dot jo shtet, po as një pikturë për të qenë. Edi Rama tashmë është fare po fare lakuriq me gjithë ndrikullën kushërirë që e mbante dikur ministre vetëm për të deformuar ligjin e Administratës Publike dhe rekrutimeve në të. E dilte ndrikulla si llazore ekraneve në krah të Ramës e përbetohej se vetëm ata që e meritonin dhe pas një procesi rigoroz konkurrimi mund të punësoheshe në shtet. Marrina dhe gënjeshtra të pacipa, të thëna pa asnjë lloj skuqjeje në fytyrë, ndërsa vazhdonin listat e partisë të përcjella nga Taulanti me shokë nëpër institucione e drejtori për punësim. E meqënëse nuk mjaftonin listat e partisë dhe koordinatori Taulant Balla për të bërë kërdinë duke hequr e vënë njerëz në punë, u angazhua edhe Edi Rama direkt përmes drejtoreshës së tij të kulluar të kabinetit, e cila duhej patjetër që të merrte pjesë në këtë denigrim të shfrenuar të administratës publike duke punësuar ca njerëz majtas e djathtas se helbete goxha post dhe të mos e shfrytëzosh është gjynah.

E pra ky është një zhvillim dekurajues për shkak të qëllimeve selektive të punësimit që fshihej mbrapa propogandës së kryeministrit. Dyndja e militantëve të PS-së në dyert e selisë qëndrore të partisë dhe dyerve të ministrive në kërkim të punësimit në administratë, ka gjunjëzuar Ramën. Dukej qartë toni prej kapadaiu i Ramës që sforcohej papushim të manipulonte opinionin duke kërkuar që arroganca ta nxjerrë nga një hall i madh për të mos dalë i turpëruar me votuesit, të cilëve u ka premtuar punësim masiv dhe të shpejtë. Rama u përkul që në fillim e deri në fund. Presioni i madh që vjen nga premtimet e pambajtura dhe ‘pa doganë’ të lëshuara gjatë gjithë periudhës zgjedhore, e kanë futur Ramën në kolaps tashmë. Kërkesat për punësim vetëm në shtet të njerëzve që e kanë votuar, por edhe atyre që nuk e kanë votuar por kanë shpresuar tek ai, janë një faktorë përcaktues të dështimit të Ramës për të hedhur hi syve publikut.

Meqënëse nuk la gjë pa thënë se në Shqipëri ka zyra pune dhe institucione të formimit profesional, ai duhet të jetë i turpëruar pas publikimeve të medias të aferave të njerëzve të tij me punësimet e militantëve të PS-së. Kujtoni pak se duke qenë se gjatë gjithë mandateve të tij si Kryetar i Bashkisë së Tiranës nuk hapi në qytet asnjë kurs apo qendër bashkiake të formimit profesional, vendosi papritmas të filozofojë para ekranit sapo u bë kryeministër, se si duhet të funksionojë lidhja me punësimin.

Rama kurrë nuk mësoi se si funksionon shteti dhe çdo ditë kujton se thotë diçka të re në çdo dalje televizive, ndërsa nuk bën gjë tjetër veçse merr mbi vete talljet, përbuzjen dhe zhgënjimin e njerëzve të thjeshtë. Sidomos në fushën e punësimit duket se gënjeshtrat që ka thënë bashkë me Veliajn është lodhur shumë t’ i paraqesë për zbulime të reja.

Kjo paraqitje qesharake Ramës ka lënë pa mend edhe ambasadorët e vendeve europiane që vërtet mund ta kenë marrë seriozisht Ramën kur thoshte se në Shqipëri nuk ka më punësime militantësh. Të vetmit që nuk përfitojnë dhe mbeten edhe më tej pa punë janë hallexhinjtë e zakonshëm të këtij vendi. Ata vazhdojnë të përplasen nga dera e PS-së, tej ajo e ministrive dhe më pas tek fasada e zyrës të punës brenda Ministrisë së Kulturës apo kudo tjetër në për Tiranë dhe Shqipëri, duke mbushur formularë dhe bërë kërkesa për punë.

“Sekreti” i socialistëve dhe Ramës ende mbahet i fshehur dhe nuk thuhet me zë të plotë që njerëzit e zakonshëm nuk mund të punësohen në shtet. Shpresa të kota mbajnë çdo ditë me qindra persona që kërkojnë të takojnë kryeministrin. Vala e stërmadhe e kërkesave të të mashtruarve për punë në shtet është e justifikuar nga qytetarët me ndihmën që i kanë dhënë gjatë fushatës elektorale Partisë Socialiste dhe premtimeve haluçinante e mashtruese për punë shteti. Kjo sjellje e sëmurë dhe e papërgjeshme e Ramës dhe ministrave të tij tashmë është demaskuar nga ‘Zëri i Amerikës”, organ zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit.

Ora ka filluar të numërojë mbrapsht minutat e pushtetit socialist dhe askush nuk beson më se fajin e ka sërish Saliu.

Please follow and like us: