Rama kopjon homologun grek, propozon veten si Ministër i Jashtëm
Ngërçi i krijuar nga mosdekretimi i Gent Cakajt për Ministër të Jashtëm, ka krijuar të tjera skenarë brenda Partisë Socialiste. Nga mbledhja e kryesisë së PS-së këtë të hënë, është marrë vendimi që Kryeministri Edi Rama të dërgojë emrin e tij për Ministër të Jashtëm. Këtë e ka konfirmuar vetë shefi i qeverisë përmes një postimi në Twitter pas përfundimit të mbledhjes ku ka thënë se nuk ka kohë për të humbur. “Presidenti s’e ka çdekretuar Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues.Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”, shkruan Rama. Kjo procedurë është ndjekur edhe në Greqi, ku pas largimit të Nikos Kotzias, Kryeministri Tsipras është emëruar njëherësh edhe Ministër i Jashtëm. Po ashtu Rama bën të ditur se socialistët do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, kur kjo e fundit të rivihet në funksion pas plotësimit të anëtarëve, atë që ata e cilësojnë si shkelje të Kushtetutës, pikërisht mosdekretimin e Cakajt si ministër. Në të njëjtën kohë, socialistët do t’i votojnë në bllok ndryshimet në qeveri, në seancën e parë për këtë vit, më 21 Janar.