Haradinaj: Askush s’do të guxojë t’i japë tokë Serbisë
Prishtinë, 15 janar 2019 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur me tone të ashpra kundër idesë për ndryshimin e kufijve me Serbinë. Në akademinë përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të Masakrës së Reçakut, Haradinaj ka thënë se askush nuk mund të bisedojë me Serbinë për territorin e Kosovës. Ai ka mbajtur qëndrim kritij edhe ndaj faktorit ndërkombëtar që po e toleron Serbinë në dëm të Kosovës. “Deri kur po dojnë miqtë tanë me e la veten duke i rënduar shqiptarët? Nuk bën ashtu. Duhet me u ndalë dikund… Nuk bën non-stop me shkue me e rëndue një popull të vogël, duke ia bërë hatrin herë Dick Martyt, herë Rusisë, herë Serbisë, herë dikujt tjetër nesër… Deri kur? Çka është kjo? Vraju e preju në luftë, torturoju më tutje dhe, në fund: ‘Hajde jepja edhe një copë tokë Serbisë’. Po le t’ia japë dikush, kush guxon me ia dhanë. Le t’ja japë tokën e Kosovës dikuj, kush guxon me ia dhanë dhe le ta shohë qysh ka me i dalë. Pse jam kah foli kështu? Ne nuk i kemi borxh kurrkujt, ne nuk jemi me damkë. Na jemi në tokën tonë”, është shprehur Haradinaj. Ai ka thënë se ao ta mbajë këtë qëndrim edhe nëse rrëzohet nga pozita e kreut të qeverisë, në çfarëdo pozite që të jetë. “Unë, derisa të jem në këtë farë pune të Qeverisë, po ju premtoj, se vetëm këtë rrugë do ta mbaj. Nëse fuqia e madhe dhe ndërskamcat e mëdha më rrëzojnë, edhe jashtë qeverisë do ta vazhdoj këtë rrugë: edhe prej rruge, edhe prej are, edhe prej mali, edhe prej fushe… Por, edhe prapa grilave nëse më çojnë… edhe prej andej. Prej të drejtës sonë, të shqiptarëve, nuk ka me mujtë kush me na lëkundë. Kështu le ta kuptojnë këtë, të gjithë”, ka theksuar Haradinaj. Haradinaj ka thënë se Kosova nuk ka arsye të nxitojë dhe të pranojë ndonjë marrëveshje me Serbinë që do të ishte e dëmshme për Kosovën. Ai ka thënë se Serbia mund të vazhdojë ta mbajë peng Kosovën deri në vitin 2022, kur pret të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se Kosova duhet të shtrojë kushte për vazhdimin e dialogut dhe për arritjen e marrëveshjes. Haradinaj ka thënë se pozicioni i Kosovës në dialogun me Serbinë dhe në skenën ndërkombëtare do të forcohet më shumë në qoftë se do të ketë unitet në skenën politike të Kosovës.