Rexhep Shahu: Arroganca e Baton Haxhiut dhe dashuria e rreme e Ramës për Kosovën
…50 maune Kosove që paguajnë secila 45 euro në ditë taksë për Edi Ramën, për një vit me 12 muaj paguajnë 810 mijë euro. Një fjalë goje për Edi Ramën…
Në opinionin e shëndoshë shqiptar do të ishte e papranueshme dhe e palejueshme nëse kandidati për Minister të Jashtëm Cakaj do të refuzohej pse ishte shqiptar prej Kosove, shqiptar i Kosovës.
Të gjitha të tjerat janë politikë jo serioze.
Arroganca e Baton Haxhiut që flet si tutor i Ilir Metës dhe tutor a pronar i Edi Ramës është shumë fyese për shqiptarët, për shtetin shqiptar dhe institucionet e tij.
Arroganca e Baton Haxhiut nxori zbuluar institucionet shtetërore të Tiranës. Edi Rama ka patur dhe ka vetëm Baton Haxhiun, njeriun e vetëm që e ka lidhur me Kosovën ndaj lidhjet e Edi Ramës me Kosovën janë të ftohta, jo shpirtërore, janë lidhje biznesmenësh të tipit Baton.
Hakërrimi i Baton Haxhiut ndaj presidentit të Shqipërisë tregon se sa poshtë kanë rënë institucionet e shtetit shqiptar.
Sapo presidenti Meta nuk i plotëson një qejf a qokë Batonit, ai e kërcënon sikur e ka Metën skllav të tij, sikur e ka presidentin e Shqipërisë skllav te tij, sikur Batoni e ka emëruar Metën president.
Batoni është parë dhe është sjellë si krushku i parë i Ramës në Prishtinë, si çantëmbajtësi i Ramës në Prishtinë, si autoriteti më i lartë politik, moral e shoqëror i Ramës në Prishtinë, si përfaqësuesi real i Kosovës për Edi Ramën. Batoni dështimin e tij për ta caktuar ministër kandidatin e tij ia faturon ‘Vetvendosjes’. Batoni nuk shqetësohet për personalitetin e kandidatit, për përjetimet e tij, për gjendjen e tij pas refuzimit, por Bationi vran e kthjell për inatet e tij, për dështimet e tij. Baton Haxhiu është sjellë dhe është prezantuar nga Edi Rama si negociatori dhe interlokutori më i madh në shkallë europiane. Sa herë Batoni fut hundët në punët delikate të shtetit si në Tiranë e Prishtinë e bën bërllok. Historia e mosdekretimit të kandidatit të Ramës, bëri që të nisë të vlojë e keqja, nisën akuzat e shëmtuara që janë kalcifikuar në ‘Kuranin’ e Edi Ramës. Tangoja dashuri – urrejtja mes Ramës e Metës nisi përsëri. Mjalti i pushtetit duhet t’i ëmbëltojë sërish gojët e hidhura.
Uroj të shpëtojnë institucionet prej Batonit.
Të shpëtojë edhe Rama prej fallsitetit të tij, prej gjërave fallco që bën, siç ishte rasti i caktimit të kandidatit për Ministër të Jashtëm, për të na treguar se e don Kosovën.
Edi Rama nuk e do Kosovën
Miqtë e mi, mos mu dëshpëroni pa më lexuar, mos më besoni, por më lexoni, më dëgjoni. Mos më jepni të drejtë se nuk po iu kërkoj të më jepni të drejtë, por vetëm të mos më paragjykoni se po bëj politikë partiake.
Rama cakton kandidat për Ministër të Jashtëm një djalë të ri të talentuar sipas tij nga Kosova. Unë u gëzova vetëm për faktin se kandidati ishte shqiptar Kosove. Kush u dëshpërua nga ky shkak, besoj se duhet ta pyesë veten mirë.
Por mos mendoni se ky gjest i Edi Ramës është gjest patrioti. Jo. Është si rrota e qerres që pati vendosë në skenë regjizori për të tërheqë vëmendjen e jurisë idiote, që të merrej me rrotën e të mos merrej me problemet thelbësore të dramës.
Edi Rama vendos kandidatin për ministër nga Kosova, por ndërkohë Kosovës i ka vendose kufi të ri në Kalimash. Vetëm Kosovës i ka vendose kufi të ri por nuk i ka vendosë as Malit të Zi, as Maqedonisë, as Greqisë dhe as Italisë.
I ka vendose kufi të ri urrejtje e përbuzje në Kalimash Kosovës, Kukësit, Hasit e Tropojës. Se pse e ka vendosur këtë kufi urrejtje në mënyrë diferencuese, vetëm Kosovës e Qarkut Kukës e jo shteteve tjera e qarqeve të tjera atë e di vetëm Edi Rama.
Pra duke bërë lojë me kandidatin e Baton Haxhiut për ta shitë në Kosovë veten si dashnor të madh të saj, i vë kufi Kosovës, kufi urrejtje, përbuzje, ndarje.
Një tregtar i madh i Kosovës që ka 50 maune, 50 kamiona të mëdhej që bën tregti me Europën përmes Durrësit, sjell çdo ditë në portin e Durrësit 50 maune për t’u ngarkuar aty e për t’u kthyer në Kosovë.
Një maune që hyn nga Kosova në Shqipëri paguan në Kalimash 22.5 euro taksë hyrje për Edi Ramën.
Kur kthehet nga Durresi kjo maune paguan edhe 22.5 euro taksë dalje për Edi Ramën.
Një maune për një hyrje e një dalje nga Shqipëria e këtej Kalimashit paguan 45 euro taksë për Edi Ramën.
50 maune në ditë paguajnë 2250 (dymijë e dyqind e pesëdhjetë) euro taksë për Edi Ramën në Kalimash, në Shqipërinë e këtejme.
Për 30 ditë 50 maune paguajne 67500 (gjashtëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind) euro taksë për Edi Ramën.
50 maune Kosove që paguajnë secila 45 euro në ditë taksë për Edi Ramën, për një vit me 12 muaj paguajnë 810 mije euro. Një fjalë goje për Edi Ramën. Po fitimi i kompanisë…
Kjo kompani e braktisi Shqipërinë, e braktisi Udhën e Kombit në të cilën Edi Rama vuri tra urrejtje për kuksianët, hasjanët, tropojanët e gjithë shqiptarët e gjysmës së Kombit në Kosovë.
Si kjo kompani e Kosovës janë plot. Edi Rama më keq se në 1913 e coptoi hapsirën shqiptare, e ndau me kufi të dyfishtë Kosovën nga Shqipëria.
Kjo është dashuria e Ramës për Kosovën, për bashkimin kombëtar, për parullat e tij me bashkim kombëtar, për shashkat e tij se do të bashkohemi.