Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Historia e rrallë e burrit me 20 gra

Nën këmbët e malit të Çervenakës, pranë një përroi ndodhet një ish ndërtesë e kapanonit të aksionistëve gjatë ndërtimit të Hekurudhës Librazhd –Guri i Kuq. Kjo ndërtesë një katëshe prej shumë vitesh është përshtatur në një banesë të thjeshtë ku jeton një burrë rreth 68 vjeç, Nevruz Demollari, i martuar dhe ndarë 20 herë dhe para pak ditësh rivuri kurorën me një nga 20 gratë e divorcuara…

Një miku im që është fqinjë me Nevruzin  më thotë: – Eja dëgjoje Lulën se ka një jetë interesante. U ulëm në një lokal buzë liqenit. Nevruz Demollari është një burë i zakonshëm, me një trup të drejtë muskuloz dhe shikim të mpretë, i cili tymoste cigare njëra pas tjetrës. E veçanta e këtij burri qëndronte se të gjithë në fshatin e tij Memëlisht flisnin me respekt për punën e tij, por njëherazi shpreheshin “sa keq e ka dënuar jeta Lulën”, siç thërrisnin bashkëfshatarët e tij. Nevruz Demollari jetonte në këmbët e malit të Çervenakës në një ndërtesë një katëshe që dikur është ngritur si kapanon ku banonin aksionistët gjatë ndërtimit të hekurudhës Përrenjas–Pogradec. Për jetën e tij krejt të veçantë ai vendosi të rrëfehet.

– Për mua thotë Lula, kush mendon se është i lumtur në këtë jetë unë them se gabohet. Jeta e vërtetë nuk është një telenovelë, mua që më sheh për ballë teje jam goditur nga kjo jetë si askush tjetër. Më ka shkuar jeta rrokullimë. Jam martuar plot 20 herë dhe vetëm me celebrim kam plot 15 gra, ndërsa për 5 të tjera që i kam mbajtur nga 5-6 muaj nuk kam bërë celebrim. Natyrshëm do të pyesish ti ‘pse kaq shumë gra në jetën tënde’? Ja po  ia fillojmë me radhë, shton Lula. Sapo kam mbaruar ushtërinë, siç e kemi zakon ne nga fshati, në vitin 1971 u martova me një vajzë nga Lushnja, e quanin Violeta. Ishte vërtet vajzë e mirë dhe filluam ta donim njëri-tjetrin. Madje lindëm edhe një vajzë, por ajo fatkeqësisht na vdiq pak muaj pas lindjes. Kaluam gati mbi një vit e gjysmë jetë të qetë. Unë atëhere punoja në kooperativë si karrocier. Krejt papritur një natë vjen vjehrri, babai i Violetës dhe më thotë ‘do të më japish lekë për vajzën time që të kam dhënë apo jo’?

Çfarë lekë, i them unë!

Kur unë ika në punë në mëngjes e merr të bijën me vete në Lushnjë.

Më pas më dërgon haber se ‘vajzën nuk e sjell tek ty’.

Shkova ta kërkoj në Lushnjë, por më thanë se e kishte shitur të bijën me lekë në një fshat të Lushnjës duke ia dhënë një  burri që i kishte dhënë para. Më thanë në Lushnjë se babai i Violetës njihej si batakçi.

Pas kësaj goditje që pësova me miqësi më rekomanduan një grua që i kishte vdekur burri nga Pogradeci. E quanin Leni dhe ishte me tre vajza. U josha ta marr që me anën e saj të bëja pashaportizimin në qytetin e Pogradecit. Por pas dy vjetësh edhe nga ajo u ndava, ishte tekanjoze dhe nuk na piqeshe gjëkundi karakteri edhe tre vajza të vogla që kishte me vete…

Më thanë të afërmit të marrim një vajzë nga fshati se ato janë të vojtura dhe janë për shtëpi. Mora një vajzë nga Trebinja e Mokrës, quhej Nebije, por edhe me Nebijen pas një viti u ndamë, nuk piqnim gjëkundi.

Pa kaluar disa muaj më rekumanduan një gruan nga një fshat i thellë i Hondishtit. E quanin Hilmie dhe tek unë erdhi shtatëzane. Lindi një djalë, ia vumë emrin Flamur. Pa kaluar një vit e gjysmë për grindje të vogla iku edhe Hilmia.

Në vitin 1978 një shok nga Cërriku më rekomandon një vajzë. E quanin Shpresa, kjo më ka sjellë jo pak telashe, madje bëra dhe 6 vjet burg. Me Shpresën filluam të kalojmë mirë më shumë se një vit. Në vitin 1979, fare pranë shtëpisë sonë, kalonte hekurudha dhe Shpresa na mplekset me një teknik ndërtimi të hekurudhës dhe fillon aventurat me të.

Fillova të dyshoj. Një ditë e kapa në flagrancë me teknikun duke bërë dashuri. Tradhëtinë nuk e duroja. Bëra një thikë me majë tek kovaçi dhe vendosa të hakmerresha duke i prerë veshët dhe buzët. Duke u përleshur me Shpresën nuk munda t’i pres veshët dhe buzët. E qëllova 5 herë me thikë në shpatull, shpëtoi mrekullisht nga vdekja, për 1 cm thika i kapte organet jetike. Desha të shtoj se Shpresa atëhere ishte shtatëzane dhe e dështoi fëmijën. Dhe vajta tek fija e perit nëse mamia dhe doktori do të lëshonin raportin që fëmija vdiq nga plagët atëherë për mua kishte ose dënim me burg të përjetshëm dhe më e pakta ishte 25 vjet. Gjyqi më dënoi vetëm 7 vjet burg duke e quajtur veprimin tim në kushtet e një krize nervore të kapjes në flagrancë. Fillimisht më çuan në Bulqizë, aty qëndrova një vit e gjysmë dhe më pas më transferuan në Papër të Elbasanit. Në Papër erdhi më pa Shpresa. E penduar më kërkoi falje dhe pas burgut ta rifillonim jetën përsëri, por nuk e honepsa dot ‘ik, qërohu, i thashë tradhëtinë nuk e fal unë’. Ajo qau por lotët e saj m’u dukën si prej korkodili. Më pas më çuan në Përparim të Sarandës. Unë punoja në burg si kafshë pune dhe bëja normën 225 %, nga kjo m’u ulën 11 muaj burg. Pas 6 vjet burg dola i tramatizuar. Iu përvesha punës. Fillova të punoj në stacionin e trenit si hamall…

Një i njohur nga Tirana që m’i dinte hallet më premton se do të më gjejë një grua për të qenë. Dhe vërtet më gjeti një tiranëse e quanin Vjollca. Ishte e përkryer. Kaluam gati dy vjet shumë të lumtur. I kisha treguar edhe për burgun dhe ajo m’i fali të gjitha. Krejt papritur na vjen një vajzë e dajos së Vjollcës dhe e merr Vjollcën me vete iu thotë të afërmëve të saj se ‘unë kam qënë në burg’. Vëllai i saj ishte oficer në Ministrinë e Brendshme dhe ma hoqën nga duart Vjollcën. Më ka ardhur shumë keq për të e kam qarë me dhimbje, ishte e përkryer nga të gjitha anët, e bukur, nikoqire dhe kishte një fisnikëri që më kishte munguar…

Pas Vjollcës fati më çoi tek një cigane nga Elbasani, e quanin Natasha. Ajo erdhi me dy vajza. Ngeli shtatëzane me mua dhe lindi një djalë. Emrin ia vumë Oliver. Çuditërisht nuk ma donte djalin, ia theu me dorë e saj dy gishtat e dorës. E përzeva nga shtëpia. Fillova të kujdesem vetë për djalin, ma la një vit. Pas një viti e rimora Natashën, vinte më lutej, por ajo nuk kishte ndryshuar, vazhdonte ta rrihte djalin sistematikisht. Në gjendje të rëndë kur djali ishte katër vjeç e çojmë në spital ku iu nënshtrua një operacioni, mjekët dyshonin për ngatërrim zorrësh, por nga dhuna e Natashës fëmijës i kishte rënë gjaku në mushkëri. Kështu më thanë kirurgët e spitalit te Pogradecit Qirici dhe Xhevahiri që e operuan. Jeta ime shkonte nga skëterra në skëterë një rrokullimë që nuk kishte fund…

Pas pak muaj martohem me një Ismete, punonte fatorino treni dhe me Ismeten ende pa kaluar një vit edhe nga ajo u ndava, nuk na poqi karakteri. Nga viti 1997 kam marrë një grua tjetër nga Tirana, quhet Mimoza, ka qenë e martuar në Pogradec me një marangoz, por pas vdekjes të së shoqit e mora unë. Ishte me dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Me Mozën  e shtyva më gjatë, gati 12 vjet. Sapo djali i saj mbaroj ushtrinë  dhe vajza shkollën e mesme në Hudënisht, ata u larguan të tre pa më pyetur fare në drejtim të Tiranës. Moza ishtë e stresuar, para dy vjetësh tentoi të varej, por e shpëtoi i biri. Moza gjithë ditën shikonte telenovelat në televizor, gjithsesi ajo ka qenë më jetëgjata me mua. Plot 12 vjet jetesë të shtyrë me stëngza, siç themi ne këtej nga fshati.

Dhe erdhi një ditë që pas ushtrisë djali u martua në Tiranë dhe sëbashku me Mozën dhe të motrën u larguan në Tiranë duke më lënë vetëm fotografinë.

Ngaqë Nevruzi nuk e duron vetminë, një shoku i tij i gjen gruan e 20, një grua nga Korça. Nuk e di si do të eci fati im, tha ai. Ndërkohë që Nevruzi është prekur, ‘boll tregova, o gazetar’, thotë ai dhe ndez një cigare tjetër. Ky është fat dhe me fatin nuk hahesh dot, pse thonë bashkëshort, hedhin short dy veta të jetojnë bashkë, të poqi mirë s’të poqi do të hedhish përsëri short. Por, thotë Lula, siç i thonë bashkëfshatarët, shorti im ka qënë i gabuar dhe nga rreth 20 gra që kam patur marrëdhënie 15 kanë qënë të celebruar, 5 pa celebrim, vetëm për dy kam në mendje dhe i kam plagë në shpirt, për të parën Violetën nga Lushnja dhe për Vjollcën nga Tirana, ndërsa të tjerat kanë qenë si fishekzjarre, janë shojtur dhe janë harruar menjëherë.

Kur krejt papritur një buzë mbrëmje shoh në oborrin e shtëpisë Mimozën. Nuk e di, por u fut brenda në shtëpi dhe më tha se ‘kam ardhur të jetoj me ty’. E pranova, pra rimora njërën nga 20 gratë e jetës sime.

Jeta ime ka qënë e zezë, ore miku im, thotë Lula. Kam punuar me ndershmëri dhe gjithçka e kam krijuar me djersën e ballit. Rrjedh nga një familje fshatarësh me tetë fëmijë, kështu kisha tre dylym tokë, e shita një pjesë dhe rregullova shtëpinë, kam dhe 1800 m. Punoj nga mëngjesi deri në darkë. Marr çdo pranverë një tufë me dele dhe i shes në dimër, fitoj goxha, madje bëj dhe dru në mal me mushka dhe i shes. Më shikon mua, 68 vjeç burrë, udhëtoj tre orë deri në Jamë të Homezhit që bëj dru. Vetëm në mes të pyllit, ndjehem mirë atje i vetmuar, ato çaste që jam në pyll jam i lumtur, kuvendoj me fëshfërimën e erës dhe me këngët e zogjëve vetëm, aty nuk më prishet gjaku.

Lula thonë bashkëfshatarët e tij ka qënë i pari në shkollë sidomos në matematikë, gjithë shokëve iu zgjidhte problemat. Ishte këngëtar e valltar i dalluar, e merrnin në grupin artistik të rrethit që konkuronte në festivalin folklorik të Gjirokastrës. Lula, thonë ata, është punëtor dhe jeton me djersën e ballit, pa i patur borxh askujt. Vetëm për një gjë, thotë Lula, i jam borxhli zotit, më ka dhënë shëndetin dhe nuk kam vujtur asnjëherë nga shëndeti, nuk kam pirë asnjë hapje në jetën time.

Por, thotë Lula, në mbyllje të bisedës, mua vërtet jeta më ka goditur,  por nuk do të thotë se nuk ekzistojnë dashuri të vërteta se nga dashuria lind jeta… Megjithatë, thotë Lula, ky vrull që ecet sot për mbijetesë nuk të le kohë për t’u dashuruar… si i thonë një fjale që thonë të moçmit se ‘dashuria e vërtetë është pronë e të varfërve se të pasurit e blejnë me para’…

Please follow and like us: