Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare dhe busti i Stalinit në Mokër

Bardhyl Berberi
Prej disa ditësh një historian gjerman që ka ardhur në Pogradec ka vizituar qendra arkiologjike si mozaikun e Linit, varret monumentale të Selcës së Poshtme. Por ai është edhe koleksionist i veprave të diktatorëve. Në fshatin Potkozhan ndodhet një bust i Stalinit nga viti 1970 nga një mjeshtër i punimit të gurit Dhimitër Burnazi. Xha Miti, siç i thërrisnin në Mokër, njihet për shumë vepra të gëdhendura në gur por midis tyre ajo që i dha“famë “ ishte një bust i Stalinit i realizuar prej tij. Madje udhëheqja komuniste e asaj kohe e vendosi bustin fillimisht në muzeun e fshatit Potkozhan dhe drejtuesit e asaj kohe kushdo udhëheqës i lartë që vinte në Mokër e çonte në muzeun e fshatit që të shikonte bustin e Stalinit. Pikërisht këtë bust kërkon që ta blejë koleksionisti gjerman Hans Pelaner, i cili pasi ta shohi veprën ka thënë për mediat se jep deri në 3000 euro për këtë bust, ndërkohë që trashëgimatrët e xha Mitit kërkojnë më tepër dhe nuk po bien dakort për cmimin e shitjes. Por ky bust në vitin 1984 është parë edhe nga Ismail Kadare gjatë udhëtimit që Kadare ka bërë në Mokër nën shoqërin e ish kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Belul Lufo, i cili ka fiksuar në ditarin e tij këtë moment me gjithë detajet e hollësishme.
Udhëtimi i Kadaresë në Mokër dhe dialogu i vështirë me skulptorin që kishte realizuar Stalinin
Belul Lufo, (ish kryetar i Komitetit Ekzekutiv në ato vite) thotë se në vitin 1984 gjatë pushimeve kur vinte Ismail Kadareja në Pogradec kishte dëshire që ta çonte në Mokër. Ai i premtoj Kadaresë për një vizitë në Manastirin e Shën Marenës që ndodhet në Mokër. Udhëtimi, thotë Beluli në ditarin e tij të hollësishëm, do të ishte si një piknik jo vetëm për të vizituar Mokrën por edhe për të kaluar një drekë të këndshme në Shën Marenë. Me dy makina sëbashku me gratë tona, thotë Beluli, u nisëm në drejtim të Mokrës.
E tërë krahina e Mokrës është e ngjeshur në gjirin e maleve. Sapo kaluam grykën e Katjelit si në një ekran të madh u shfaqën fshatrat e saj 47 fshatra të ndarë në Mokrën e Sipërme dhe në Mokrën e Poshtme. Kadareja vështronte i përhumbur atë reliev malor ku fshatrat ishin vendosur në një lartësi mbi 1000m mbi nivelin e detit. Shtëpi të vendosura në gjoksin e maleve që ngjanin si fole dallandyshesh. Ndërkohë që Kadareja ndiqte i përhumbur atë peizazh të ashpër Belul Lufo, duke qënë vetë nga Mokra (nga Velçani) i tregonte Kadaresë shumë fjalë që i kanë ngelur nga e kaluara Mokrës si “Ara e gjakut”, “Luadhet e sherrit”, “Kthesa e Vdekjes” etj apo emrat e njerëzve në Mokër si Sose, Mbarim, Qëndrime etj.
Kjo është Slabinja fshati që në majin e vitit 1802 ka ardhur në Slabinjë Ali Pashë Tepelena. Siç dihet Ali Pashë Tepelena ka marrë një tur në Mokër Opar dhe Gorë në Pishkash dhe më pas në Strugë. Sipas dokumentave zyrtare Ali Pashë Tepelena kishte ardhur nga Janina në Mokër për të zgjidhur një mosmarrëveshje midis dy fiseve Hasanajt dhe agallarve të Velçanit që këta të fundit i dogjën shtëpinë fisit të Hasanajt. Këta të fundit u ankuan në administratën e Ali Pashës Tepelenës, i cili erdhi vetë dhe zgjidhi mosmarrëveshjet duke urdhëruar agallarët e Velçanit që t’u ngrenë Hasanajve shtëpinë me 12 dhoma dhe dy kate siç e kishin patur që u realizua menjëherë më pas ka marrë me vete 30 ustallarë nga Mokra për ndërtimin e kështjellave.
Më pas ai i tregoi bujarinë e krahinës së Mokrës që 20 shtator 1943 mbajti 550 ushtarë robër pas kapitullimit të Italisë. Madje vetë në shtëpinë e Belul Lufos, babi i tij Haxhiu ka mbajtur 16 ushtarë italianë, midis robëve ka qenë i strehuar edhe gjenerali italian i asaj kohe Amaldi Aci, i cili pasi shkoi në Itali shkroj librin me kujtime “Deri sa të vdes, mirënjohje popullit shqiptar”.
Xhipat ecnin nëpër gjokset e maleve në drejtim të Manastirit të Shën Marenës. Kur shkuan atje pas një rruge cfilitëse ishte organizuar një pritje e ngrohtë nga ish drejtuesit e koopertivës bujqësore të Çezmës ku përfshihej Manastiri i Shën Marenës. Ishin ndezur zjarret dhe po piqej një qingj në hell. Një kulaç i pjekur në saç në një luadh të madh përballë gurit të Topit.
 Sapo dolëm nga xhipat duke parë këtë atmosferë për hir të së vërtetës Ismaili rrudhi vetullat. U afruam tek ca shilte leshi shtruar në lëndinë. Ismaili nuk u ul po eci përgjatë manastirit dhe filloj të shikojë ambientet. Ai u bë i heshtur nuk po pyeste. Pas pak kur dreka ishte gati e ftova Ismailin për dreke, thotë Belul Lufua. Ai rudhi vetullat dhe më tha” çfar thua, more kryetar i komitetit Ekzekutiv (me ironi) të hamë mishin e atyre fshatrve që iu bie bretku në punë. Ju keni gjashtë muaj që popullit nuk i jepni mish ne të hamë si agallarë djersën e tyre.
Atmosfera u prish. Kadareja u largua nga dreka ku qëndronte qingji i pjekur dhe po shikonte nga Guri i Topit. Qëndroi më tepër se gjysëm ore. Si për të rregulluar atmosferën i them Ismailit, për penë të dimë si je s’ta kalon kush pa eja këtu të bëjmë qitje. Morëm një armë që kishim me vete dhe vendosëm një gur dhe filluam që të bëjmë qitje. Janë edhe disa foto që bëri vajza e Adil Çaraçanit, e cila ka nxjerrë Kadarenë duke shtënë me pushkë në afërsi të Manastirit të Shën Marenës. Me humor kujton Belul Lufua se ngela i hutuar pasi Kadareja nuk hëngri asgjë. Në këto kushte shkova pranë një druri arre dhe mora disa kokrra arrë me gjithë lëvore dhe fillova që t’ia qëroj, por ato t’i ndotin duart keq të nxihen dhe disa ditë rrjesht i fshija duart dhe nuk takoja njeri me dorë deri sa iku nxirja. Kështu Kadaren e çova në Mokër për të parë Mokrën dhe Manastirin e Shën Marenës dhe për të ngrënë mish në hell dhe ai hëngri vetëm arra të njoma… Mbasdite vonë u nisëm dhe zbritëm për në Pogradec. Kur mbritëm në Kalivaç janë ca tunele në fund të malit. Po këto çfar i keni, më thotë Kadareja, tunele në raste lufte. Po ky mal kaq i lartë si Kozici nuk ka nevojë për tunele…
-Ju nuk jeni në vete, shfryu Kadareja, i hidhni paratë kot …hajde hajde e tundi kokën gjithë qesëndi. Në parantezë, thotë Beluli, në datën 6 nëntor të vitit 1989 kur erdhi Ramiz Alia në Mokër sapo i pa ato tunele më thotë po këto çfar janë?
-Janë tunele në rast lufte për të strehuar njerëzit, teknikën, i thashë unë.
-Këtu në këto gërxhe, ma preu, ai s’ka nevojë për tunele, keni hedhur paret dëm. I them Ramizit se kështu më ka thënë edhe Ismail Kadareja para disa vitesh kur ka parë këto tunele.
-Po pse e ke sjellë Kadarenë deri këtu, ma ktheu ai tërë nerva.
Por le të kthehemi tek Kadareja, thotë Beluli.
I thashë se do t’i bëja një suprizë.
-Çfarë, më tha.
-Do të shikosh diçka shumë interesante në muzeun e fshatit Potkozhan.
Nuk foli, makina eci në drejt fshatit Potkozhan duke e bërë fakt të kryer.
Sapo mbritëm atje njoftova Josif Bitrin, një mësues fshati që mbante çelsin e muzeut. Aty kishte ardhur edhe skulptori popullor një mjeshtër i punimit të gurit.
Sapo u futëm në muze një masë e madhe guri ku ishte skalitur me daltë një bust i Stalinit. Po vija re Kadarenë. Ai u bë përsëri nervoz.
-Kush e ka bërë këtë monumentin, tha Kadareja.
-Ja ky mjeshtri, i thashë unë.
Kadareja kryqëzoi duart dhe e pyeti xha Mitin.
-Pse ke bërë Stalinin bust?
-Po Stalini është udhëheqës i madh dhe mik i popullit tonë.
-Po mirë a e njeh Stalinin ti që mund ta bësh këtë bust?
-Po e kam parë fotografi.
 Kadareja filloj të luajë me ironi me plakun.
-Ja për shembull, i thotë Kadareja, këto mustaqet nuk i ka kështu Stalini, duken si mustaqe prej mokrari.
-Po kështu vinte guri iu përgjegj xha Miti si për të dalë nga situate .
-Po pse nuk ke bërë Skënderbeun bust që është joni, por ke bërë Stalinin?
-Kështu e mendova, iu përgjigj Xha Miti.
Kur dolëm nga muzeu Kadreja ishte përsëri me nerva.
Ne zbritëm në orët e mbrëmjes në qytetin e Pogradecit ku Kadareja ishte me pushime.
Kjo ishte historia e vizitës së Kadaresë në Mokër dhe opinioni i tij për bustin e Stalinit.
Megjithatë mu krijua një ankth, thotë ish kryetari i komiteti të asaj kohe Belul Lufo, se mos shkonte ndonjë letër lart pas përplasjes së Kadaresë me mjeshtrin e gurit që kishte bërë Stalinin pasi aty Kadareja para Stalinit foli gjithë mllef por të kujtojmë se ishte viti 1984 dhe gjërat duhen vënë në kohë…
Please follow and like us: