Kryeministri Rama e quajti ‘Zërin e Amerikës’ kazan, reagon Elez Biberaj
Drejtori për Europën dhe Azinë i “Zërit të Amerikës”, gazetari i njohur dhe drejtuesi emblematik i saj, Elez Biberaj, iu përgjigj kryeministrit Edi Rama, pas etiketimit prej këtij të fundit, si kazan edhe për Zërin e Amerikës.
Gazetari Biberaj garantoi se investigimi për implikimin e deputetëve dhe shefes së kabinetit të kryemsitrit shqiptar, në biseda përgjimesh, për punësime, është i saktë ashtu si të gjitha lajmet e publikuara nga kjo media.
“Shërbimi shqiptar i Zërit të Amerikës ka siguruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe unë garantoj plotësisht integritetin dhe gjykimin e lajmit. Shërbimi shqiptar vijon me krenari misionin e prodhimit të gazetarisë së vlerave në mbështetje të demokracisë dhe lirisë dhe t’i sigurojë audiencës së tij lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura”, u shpreh për Ora News, Elez Biberajn, Drejtori për Evropën dhe EuroAzinë i Zërit të Amerikës.
Denoncimi i Zërit të Amerikës zbuloi se si zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste përdornin vendet e lira të punës në administratën e burgjeve për të punësuar militantët e tyre.
Pas publikimit të këtij lajmi, Kryeministri reagoi në twitter, duke e quajtur këtë media kazan. “Erdhi dita që Zëri i Amerikes të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”, reagoi Rama.
“Zëri Amerikës” nxjerr korrupsionin, kryeministri e “shpartallon” si dikur Enver Hoxha
-“Bomba” e dytë e “Zëri i Amerikës” kundër qeverisë . Publikohen përgjimet që implikojnë deputetë dhe zyrtarë të PS në afera të jashtëligjshme në punësime.
-Kryeministri akuzon si “kazan” edhe radion zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që pret emërimin si ministër i jashtëm, por që duket paksa e vështirë të marrë dekret presidencial në vend të Ditmir Bushatit.
Një i investigim i “Zërit të Amerikës” për punësimet e jashtëligjshme në administratën e burgjeve vë nën akuzë ligjore dhe morale të paktën katër deputetë të Partisë Socialiste, si dhe zyrtarë në kabinetin e kryeministrit Edi Rama. Investigimi zë fill të hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko. Bisedat e zbardhura të Çukos, si deputetë dhe zyrtarë të qeverisë, tregojnë se në shumicën e rasteve emërimet në këtë institucione bëhen me ndërhyrje politike. Më flagrante në gjithë historinë e përgjimeve është se dhe një konkurs për vende të reja pune në këtë institucion rezulton të jetë një farsë e shëmtuar. Nga 270 vende të lira pune në konkurs, të gjitha aplikimet rezultojnë se janë bërë nga deputetë të PS dhe njerëz të qeverisë. Madje numri i konkurentëve ka qenë aq i madh sa seleksionimi duhet bërë mes emrave që kanë dhënë deputetët, pra jashtë kritereve, dhe jo sipas ligjit.
“Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës përmes bisedave dhe mesazheve të përgjuara të Çukos tregojnë se mbajtja e këtij premtimi minohet gjerësisht nga një sistem i ngritur mbi bazën e shpërblimeve partiake si dhe nga ndërhyrjet e zyrtarëve të të gjitha niveleve. Përveç zyrës së shefes së kabinetit të kryeministrit Edi Rama, në përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dalin kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetët socialistë Klodiana Spahiu, Blerina Gjylameti dhe Paulin Sterkaj. Trafik influence për punësime apo transferime rezultojnë të kenë ushtruar gjithashtu zyrtarë lokalë, punonjës të administratës apo të zgjedhur vendorë”,- thuhet në investigimin e “Zërit të Amerikës”, e cila është radio zyrtare e SHBA.
Skandali i publikuar dje me dokumente dhe përgjime, shërben dhe si model për institucionet e tjera, sipas analistëve. Kur deputetët kanë bërë namin te Drejtoria e Burgjeve, që nuk është një institucion i lakmuar për punësime, imagjinoni çfarë ka ndodhur me drejtoritë e tjera ku radha për punësime është disa herë më e madhe. Ajo që u shfaq dje në “Zërin e Amerikës” tregon se qeveria i ka kthyer të gjitha punësimet në shpërblime politike për militantët dhe njerëzit që janë afër kryeministrit Edi Rama. Në të vertetë ka ndonjë ministri apo institucione, që konkurset i zhvillojnë korrekt me ligjin, por akuzat e “Zëri Amerikës” e komprementojnë “bashkëqerisjen” dhe konkurset, pasi në jo pak raste konkurset janë me përzgjedhje politike.
Investigimi i djeshëm, veç korrupsionit dhe ndërhyrjes qeveritare në punësime, zbuloi dhe raportin e deformuar që tashmë kryeministri Edi Rama ka me median dhe të vërtetën. Pak pasi u publikua kronika e medias amerikane, kreu i qeverisë me një gjuhë jo etike sulmoi median zyrtare të SHBA, si të bëhej fjalë për ndonjë portal anonim në Tiranë, duke e quajtur “Kazan”! “Erdhi dita që Zëri i Amerikës të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë logjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”,- shkruan kreu i qeverisë.
Për të kuptuar qytetarët shqiptarë se cilën media ka quajtur kazan Edi Rama, mjafton të kujtojmë se “Zëri i Amerikës” financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe përcjellë qëndrimet zyrtare ose gjysmë zyrtare të qeverisë amerikane lidhur me çështje të ndryshme. Ajo që është e veçantë në programin e kësaj medie në gjuhën shqipe dhe që ka shqetësuar kreun e qeverisë, lidhet me faktin se gjatë muajve të fundit “Zëri i Amerikës” ka marrë karakterin e një media investiguese të temave të nxehta në Shqipëri, veç transmetimeve të qëndrimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit. Prej disa muajsh në këtë media janë thirrur gazetarë me përvojë në zbulimin e aferave dhe fakteve të korrupsionit e krimit qeveritar, të cilët kanë nisur hulumtimin e dokumenteve dhe fakteve për skandale të ndryshme.
Skandali i parë i trajtuar ishte ai për projektin e Unazës së Re dhe kompaninë që mori me letra false 30 milionë Euro. Për shkak se shumica e mediave vizive, me përjashtim të emisionit të Ylli Rakipit që zbuloi fillimisht skandalin, iu shmangën trajtimit të kësaj teme që prek shumë interesa, “Zëri Amerikës” e plasi vet bombën e korrupsionit në shqip dhe anglisht duke e detyruar qeverinë që t’i përgjigje direkt dhe të merrte masa. Sigurisht që investigimet janë mediatike, por kur dalin nga “Zëri i Amerikës” kanë kaluar dhe në filtra të tjerë që do apo nuk do kreu i qeverisë janë dhe qëndrime të politikës amerikane ndaj mënyrës sesi ai po qeverisë Shqipërinë. Pas bombës së parë me Unazën e Re, bomba e dytë e kësaj media ishte dje. Investigimi për mashtrimet me punësimet prek vetëm Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Është vetëm një drejtori e rëndësishme nga dhjetra të tjera që ka qeveria.
Dje investigimi i “Zëri të Amerikës” ndaj qeverisë Rama ishte në vazhdën e faktëve korruptive që kjo media amerikane po zbulon për publikun shqiptar. Me sa duket shërbimet intelegjente e dijnë mirë se në Shqipëri mbi 90 përqind të mediave, kryeministri i ka lidhur me interesa financiare dhe asnjëra nuk investigon, ndaj detyra e vështirë ka rënë mbi “Zëri Amerikës”.
Kur të kritikon “Zëri Amerikës”, radio me serioze dhe profesionte në botë, duhet të mendohesh mirë, pasi ditët në pushtet fillojnë e shkurtohen. Me sa duket edhe Presidenti nuk do ta dekretojë ministër të jashtëm, Edi Ramën.
Edhe për këtë sulm ndaj “Zëri të Amerikës”!
Gazeta Dielli