Albspirit

Media/News/Publishing

‘Seksi i Dytë’ i Simone de Beauvoir

Dhe gruaja e martuar është e autorizuar të mbahet nga i shoqi; veç të tjerash ajo është veshur me një dinjitet shumë më të lartë se ai i beqares. Zakonet nuk i japin kësaj të fundit mundësi seksuale të barabarta me ato të beqarit, mbi të gjitha asaj i është ndaluar amësia, duke mbetur vajza-nënë një objekt skandali. E si të mos e ruante tërë vlerën e tij miti i Hirushes? Përsëri gjithçka e nxit vajzën e re të presë pasuri dhe lumturi nga “princi i bukur” më mirë sesa t’i futet vetë fitores së vështire dhe të pasigurt. Veçanërisht ajo shpreson se për hir te tij mund të hyjë në një kastë më të lartë se kasta e saj, një mrekulli që nuk do të arrinte dot me punen e tërë jetës. Por një shpresë e tillë është e kobshme… Prinderit ende e rritin vajzën duke patur më tepër parasysh martesën sesa zhvillimin e saj vetjak; ajo sheh te martesa aq shumë përfitime sa e dëshiron edhe vetë; nga kjo rrjedh se ajo është shpesh më pak e specializuar, e formuar më dobët sesa vëllezërit e saj dhe nuk angazhohet tërësisht në profesionin e vet; keshtu ajo është e caktuar te mbetet inferiore; dhe rrethi vicioz ngushtohet: ky inferioritet përforcon dëshirën e saj për të gjetur burrë…

Edhe në qytetërimet me ndjeshmëri më të hollë ku ndërhyjnë nocione të formës dhe të harmonisë, gjinjtë e këllqet mbeten objekte të privilegjuara për shkak të mundësisë të lulëzimit të tyre. Shpesh për ta shkëputur trupin e femrës nga transhendenca e saj janë përdorur doke dhe mënyra të ndryshme: kinezja me këmbë të lidhura mezi ecën, thonjtë e gjatë e të lyer e privojnë starin e Hollivudit nga duart e saj, takat e larta, korsetë, zhuponet, krinolinat ishin më tepër që t’i shtonin pafuqinë trupit femëror sesa t’i theksonin format. Burrit i dukej gruaja si një send i tij vetëm kur ishte e renduar nga dhjami ose ndryshe, kur ishte fare e dobët sa nuk i lejohej të bënte asnjë sforcim, kur ishte e paralizuar nga veshjet e parehatshme dhe nga ritet e mirësjelljes. Edhe grimi, guret e çmuar shërbenin për ngurosjen e trupit dhe të fytyrës…

Gruaja lyen buzët, faqet, per t’u dhënë qëndrueshmërinë e pandryshueshme të maskës; vështrimin e burgos në trashësinë e rimelit dhe të maskarasë, ai nuk është tjetër veçse zbukurimi farfuritës syve të saj…

Please follow and like us: