Kryeministri shqiptar Edi Rama dekretohet ministër i Jashtëm i Shqipërisë
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka dekretuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama në postin e ministrit të Jashtëm, duke e vlerësuar atë si rast të veçantë “që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.
Propozimi i zotit Rama për ministër për Punë të Jashtme dhe Evropë erdhi pasi presidenti Meta refuzoi të dekretojë ministrin e emëruar Gent Cakaj në këtë pozitë.
Presidenti nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit kishte thënë se “profili i zotit Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”.
Pas këtij vendimi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka bërë të ditur se ai vetë do te ushtrojë detyrën e shefit të diplomacisë së vendit, në mungesë të një ministri të Jashtëm.
“Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Tedi Blushi, zëdhënës në Presidencën e Shqipërisë.
Presidenti Meta, deri sot nuk kishte firmosur as shkarkimin e ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.
Mosdekretimi i shkarkimit dhe emërimit kishte shkaktuar një ngërç mes dy institucioneve të larta dhe përplasje fjalësh mes dy krerëve të shtetit.
“Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha zoti Blushi.
Modeli i kryeministrit që të ushtrojë edhe detyrën e ministrit të Jashtëm është bërë edhe në Greqi, ku kryeministri grek Alexis Tsipras, pas largimit të Nikoz Kotzias si ministër i Jashtëm, mori përsipër edhe këtë post.