Albspirit

Media/News/Publishing

Maryam Rajavi: Bota duhet t’ua vërë veshin thirrjeve të protestuesve në Iran

Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, mori pjesë në një ceremoni të Vitit të Ri të titulluar “Solidaritet me Rezistencën dhe Kryengritjen e Popullit Iranian,” ku ishin të pranishëm shumë mbështetës të Rezistencës Iraniane.

Pjesëmarrësit përfshinin znj. Anissa Boumediene, ish Zonjë e Parë e Algjerisë; z. Dominique Lefebvre, ish Anëtar i Parlamentit; Peshkopin Jacques Gaillot, një numër kryetarësh të distrikteve të Parisit, kryebashkiakët e Val d’Oise, si dhe një numër personalitetesh të tjera franceze.

Pasi i uroi mirëseardhjen audiencës dhe dha urimet e Vitit të Ri, znj. Rajavi përmblodhi ngjarjet e vitit të shkuar dhe diskutoi të ardhmen për 2019-ën. Në një pjesë të fjalimit të saj, ajo tha:

Pavarësisht vdekjeve dhe arrestimeve të mijëra protestuesve, si dhe torturimit të tyre, kryengritjet dhe protestat kanë vazhduar deri ditën e sotme.

Zhvillimet e fundit në dhjetor e janar kanë përfshirë protesta studentore në Teheran, protesta të punëtorëve në Ahvaz, dhe protesta të fermerëve në Isfahan. E përshëndesim guximin e tyre.

Një zhvillim i rëndësishëm në 2018-ën ishte izolimi i paprecedent i mullahëve në nivel ndërkombëtar. Për vite të tëra, qeveritë perëndimore, sidomos SHBA, kanë patur një politikë paqësimi ndaj mullahëve. Ndonëse disa në Europë vazhdojnë të përpiqen t’i paqësojnë mullahët, politikës së paqësimit i ka mbaruar koha. Kjo është një pengesë e madhe për regjimin iranian.

Nga ana tjetër, alternativa demokratike ka bërë progres të madh.

Kur banorët e Ashraf ishin në Irak, ata ishin të ekspozuar ndaj rrezikut të masakrave dhe sulmeve me raketa nga operativët e regjimit iranian. Por sot, ata kanë ndërtuar një qytezë të vogël në Shqipëri, të quajtur Ashraf 3. Njësitë e Rezistencës janë përhapur në mbarë Iranin.

Këto veprimtari ofrojnë një mbështetje për protestuesit. Sot, Njësitë e Rezistencës që mbështesin PMOI-në janë flakët e shpresës në errësirën e fashizmit fetar të mullahëve.

Për këtë arsye, mund të nxjerrim si përfundim të qartë se regjimi ka bërë regres në status ndërsa Rezistenca ka bërë progres.

Mullahët nuk kanë asnjë zgjidhje për të ofruar për falimentimin ekonomik të vendit. Ata nuk kanë asnjë zgjidhje për shkatërrimin e mjedisit dhe për protestuesit.

Ata janë veçanërisht të hutuar përballë kryengritjeve të ardhshme. Vetëm pak më parë, lideri suprem i mullahëve paralajmëroi se armiqtë kanë plane për vitin që vjen.

Është kjo arsyeja pse mullahët, të cilët nuk janë në gjendje të përballen me kryengritjet, e kanë gjetur rrugëdaljen e vetme në terrorizmin kundër Rezistencës Iraniane.

Në 2018-ën, ata tentuan të kryenin një komplot të madh terrorist kundër tubimit të përvitshëm të Rezistencës Iraniane në Villepinte, por dështuan. Ata kurdisën plane terroriste edhe në Shqipëri, SHBA e Danimarkë, për të gjitha u parandaluan.

Ata nisën gjithashtu një fushatë të gjerë denigrimi në media kundër Rezistencës Iraniane. Përmes propagandës, ata e demonstruan shumë qartë se kush është alternativa ndaj tyre.

Në 2018-ën, Franca përjashtoi një diplomat të regjimit iranian dhe ngriu asetet e pronat e Ministrisë së Inteligjencës të mullahëve. Ky ishte një hap i duhur drejt një politike të rreptë.

Edhe Shqipëria përjashtoi ambasadorin e regjimit dhe shefin e stacionit të Ministrisë së Inteligjencës. Hollanda gjithashtu përjashtoi dy diplomatë të regjimit klerikal.

Të martën, Bashkimi Europian shpalli sanksione kundër terrorizmit të regjimit iranian dhe shërbimeve të tij të inteligjencës.

Ne u kemi bërë gjithmonë thirrje qeverive perëndimore që të tregohen të rrepta kundër diktaturës terroriste të mullahëve. Kështu që sot, i nxisim të përjashtojnë mercenarët e shërbimeve të Inteligjencës së mullahëve dhe të Forcës terroriste Qods nga SHBA dhe Europa.

I nxisim gjithashtu vendet demokratike që të mbështesin të drejtat e njeriut në Iran. E vetmja forcë që mund t’i japë fund terrorizmit dhe sjelljes luftarake të regjimit iranian është kryengritja e popullit të Iranit me rezistencën e tij të organizuar.

Ka ardhur koha që Franca dhe komuniteti botëror ta njohë të drejtën e Rezistencës së popullit iranain për të përmbysur regjimin teokratik dhe për të fituar lirinë.

Miq të dashur,

Në këto ditë të para të Vitit të Ri, bota duhet t’ua vërë veshin thirrjeve të protestuesve në Iran. Ata duan liri dhe demokraci. Ata duan një republikë të bazuar në ndarjen e fesë nga shteti.

Jam e bindur që me mbështetjen e grave e burrave si ju që e duan lirinë dhe me qëndresën e popullit të Iranit, Rezistenca Iraniane do ta themelojë lirinë dhe demokracinë në Iran.

 

Please follow and like us: