Albspirit

Media/News/Publishing

Florian Vlashi: Kozma Lara, ikja e një brezi të ndritur

Më hidhëroi shumë vdekja e profesor Kozma Larës. Brezi i ndritur i muzikës shqiptare po largohet pak nga pak në një “diminuendo” pa “rallentando”. Marr partiturën e tij nga një dosje e vjetër ku është bashkë me veprën e Feim Ibrahimit. Të dyja titullohen “Scherzo”. Po qeshin me ne më duket? Pse jo? Kanë të drejtë. Ata, bashkë me shumë emra të ndritur, e kryen detyrën e tyre, e krijuan korpusin sonor shqiptar në kohën më të vështirë për artin. Po ne?

Në këtë të ashtuquajturën liri plot “panem et circenses” (bukë e cirk) shpesh harrojmë se ka një dallim të madh nga “të luash veprën e tyre” apo “të luash me veprën e tyre”. Ky korpus është orientimi më i mirë për të mos humbur në kaosin e përditshëm që i ngjan një pikture abstrakte.

Partitura e Kozma Larës është me shënimet e tij dhe të profesor Ibrahim Madhit nga koha kur unë përgatitja premierën e veprës në koncertet e majit. Janë shënime me laps të kuq dhe lapsat e kuq nuk kanë gomë. Ato shenja nuk prishen. Nuk ndërrohen. Nuk shuhen. Janë tatuazhet tona.

Please follow and like us: