Leonard Demi: Franca dhe Gjermania, sërish bashkë
Franca dhe Gjermania po bëhen gati të nënshkruajnë një traktat, ku të dy vendet janë të vendosur të kenë politikën e jashtme, të mbrojtjes, të sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik të përbashkët. Ky traktat i pashoq po konsiderohet si gjedhe për të ardhmen e Bashkimit Europian (BE). Një vit më parë, diplomatë nga të dy vendet filluan të negociojnë një marrëveshje në frymën e Marrëveshjes të Elizesë (Élysée) të vitit 1963, e cila, zyrtarisht, la pas shekuj armiqësish të përbashkëta dhe farkëtoi aleancën franko-gjermane, që është kthyer në një forcë lëvizëse e BE-së.
Ky dokument i shkurtër do të nënshkruhet nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron (Makron), më 22 janar, në Ahen (Aachen), një qytet i vjetër gjerman pranë kufirit me Belgjikën dhe Holandën. Traktati, që do të mbajë emrin e qytetit ku do të nënshkruhet, do të ratifikohet nga parlamentet e të dy vendeve të njëjtën ditë.
Ahen, që francezët e quajnë Aix de la-Chapelle, është një qytet shumë simbolik: ka qenë kryeqyteti i perandorisë së frankëve në kohën e Karlit të Madh (Charlemagne) dhe ka kaluar nga Gjermania te Franca dhe anasjelltas disa herë.
SË BASHKU PËR TË ARDHMEN
Prioriteti i Traktatit të Ahenit është përballimi i së ardhmes së bashku. Ai është një forum frankogjerman për të ardhmen, i cili do të japë përgjigje të përbashkëta “sfidave të reja të shekullit 21” apo nevojave për rregullim dhe do të ndihmojë të dy vendet t’i zgjidhin ato.
Franca dhe Gjermania dëshirojnë të kenë një politikë të jashtme dhe të mbrojtjes të përbashkët, të flasin me një zë në Bruksel dhe të lëshojnë deklarata të përbashkëta. Të dy vendet bien dakord të mbajnë konsultime të rregullta në të gjitha nivelet para takimeve të rëndësishme të Bashkimit Europian. Po kështu, ministrat e secilit vend do të marrin pjesë në mbledhjet qeveritare të vendeve respektive dhe të dy vendet do të shkëmbejnë diplomatë dhe nëpunës civilë. Berlini dhe Parisi, gjithashtu, do të bëhen bashkë për të forcuar ekonominë dhe bashkimin monetar.
Të dy vendet do të lobojnë që Gjermania të bëhet anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB-së së bashku me aleatët fitues të Luftës së Dytë Botërore: Francën, Britaninë, SHBA-në, Rusinë dhe Kinën.
Teksti i traktatit ka në frymë dëshirën e Presidentit Makron që konsensusi franko-gjerman të bashkojë forcat për të luftuar për një Europë më të fortë, për t’i dhënë BE-së më shumë pushtet vendimmarrës të veprojë si një forcë globale për një botë paqësore të bazuar në rendin ndërkombëtar.
Traktati është hartuar për të demonstruar se Franca dhe Gjermania do të mbajnë lart vlerat e multilateralizmit (marrëdhënieve shumëpalëshe) në një kohë kur kërcënohet rendi liberal global.
Dokumenti i ri i Ahenit planifikon të forcojë bashkëpunimin edhe në fusha si arsimi, kultura e ndryshimet klimaterike. Ai përmban terma si “harmonizimi” i rregullave të biznesit dhe koordinimi i politikave ekonomike midis shteteve, drejtuar nga një këshill i përbashkët ekspertësh. Po kështu, ky dokument hedh bazën për një këshill mbrojtjeje dhe sigurie franko-gjerman, i cili do të veprojë si një bërthamë për hartimin e strategjive, të cilat do të ndikojnë në vendimmarrjen e të dy vendeve.
Në fushën ushtarake, traktati demonstron ambicien për të formuar “marrëdhënie civilo-ushtarake dhe njësi të përbashkëta” në operacionet ndërkombëtare. Për këtë pikë, një shembull mund të jetë njësia prej 15000 paqeruajtësish e OKB-së në Mali, ish-koloni franceze, e cila në fillim të 2012 u uzurpua nga tributë e rebelëve dhe grupeve islamiste të lidhur me alQaed-ën.
Traktati e bën të qartë se Gjermania dhe Franca do të qëndrojnë të angazhuara ndaj BE-së dhe NATO-s, por dokumenti parashikon që Berlini dhe Parisi të luftojnë kundër përpjekjeve të politikanëve europianë nacionalistë për të gërryer BE-në. Traktati, më tej, konturon një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet agjencive të inteligjencës të dy vendeve për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar.
Gjermania dhe Franca besojnë fort se bashkëpunimi i ngushtë nuk prek sovranitetin kombëtar, por i forcon të dy vendet. Kështu, Franca dhe Gjermania jo vetëm që do të mbeten të angazhuara në historinë e suksesit të integrimit europianë, por hedhin, gjithashtu, themelet që brezat e ardhshëm të ecin në të njëjtën rrugë.
Rajonet kufitare
Integrimi i rajoneve kufitare do të jetë një prioritet i së ardhmes europiane. Qëllimi kryesor është të zvogëlohet prapambetja që krijohet në lokalitetet periferike, duke realizuar projekte ndërkufitare. Vendimmarrësit në rajonet kufitare do të kenë autoritet të shkojnë matanë mundësive ekzistuese të bashkëpunimit me pikësynim të përmirësojnë jetën e përditshme të popujve në të dy anët e kufirit. Kështu, traktati i Ahenit inkurajon rajonet në të dy anët e kufirit franko-gjerman të formojnë “Eurodistrikte” për furnizim me ujë, energji elektrike, përkujdesjen ditore të fëmijëve, shërbim shëndetësor, shkolla dhe trajnime për zanate të ndryshme, punësim, projekte infrastrukturore dhe rrjete të transportit publik të përbashkët. Berlini dhe Parisi do të ofrojnë fonde financiare për të mbështetur këto rajone, që të mund ta zgjerojnë bashkëpunimin në spitale, skema biznesi dhe projekte mjedisorë të përbashkët. Disa zyrtarë i shikojnë këto eksperimente si shembull integrimi të Bashkimit Europian.
Kundërvëniet
Traktati i Ahenit mund të përballet me një opozitë të konsiderueshme në të dy vendet. Megjithëse gëzon mbështetje nga partitë e qendrës, ai kundërshtohet fuqimisht nga ekstremet politike të së djathtës dhe të majtës.
Alexander Gauland, lider i partisë së djathtë ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, e ka përshkruar këtë traktat si një “erozion i sovranitetit tonë kombëtar”. Në Francë, Marine le Pen, kryetare e Frontit Nacional, tha se është një diktat “i pabalancuar” i imponuar nga Gjermania.
Ka rrezik që edhe populistët e vendeve të tjera europiane të inkurajohen nga ky element dhe ta paraqitin traktatin e Ahenit si një goditje.
ndaj sovranitetit kombëtar, një diktat teutonik ose si një manipulim antidemokratik, apo një leukoplast për të mbuluar plagët e shekullit 21. Po, në qoftë se ky është çmimi për të kthyer BE-në në një fuqi botërore, Franca dhe Gjermania janë të lumtura të paguajnë.
Traktati mund të nxitë zemërim në Itali, qeveria e të cilës mund ta interpretojë si një pakt për të bllokuar Romën të ketë një rol më të madh në industrinë e BE-së dhe shkakun mund ta japin Kantieret e Atlantikut (Chantiers de L’Atlantique), një nga doket më të mëdha të botës, blerë nga “Fincantieri”, një firmë shtetërore italiane për ndërtimin e anijeve. Franca, me mbështetjen gjermane, i ka kërkuar Komisionit të BE-së të rishikojë blerjen e Kantiereve të Atlantikut dhe Brukseli ka deklaruar se kjo blerje do të shqyrtohet nga Komisioni. Zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, e denoncoi vendimin dhe akuzoi Francën dhe Gjermaninë se po vepronin “gabim”, edhe Kryeministri italian, Giuseppe Conte, tha se ishte i befasuar nga vendimi i Komisionit. Po kështu, z. Salvini dhe ministri i Brendshëm i Polonisë, Joachim Brudzinki, në vigjilje të zgjedhje parlamentare europiane, kërkuan që vendet e tyre të bashkonin forcat për të rimodeluar Europën.
Diplomatë të disa vendeve të tjera anëtare të BE-së e shikojnë marrëveshjen e Ahenit me dyshim. Afrimi i mëtejshëm i dy ekonomive më të fuqishme të BE-së mund të krijojë një forcë të madhe të aftë të shtypë çdo lloj opozite brenda bllokut.
Qëllimi i Berlinit për të fituar një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKBsë, mundet, gjithashtu, të shqetësojë dikë në Bruksel që mendon se ky vend duhet t’i akordohet BE-së. Pas largimit të Britanisë nga BE, vetëm një nga pesë anëtarët e përhershëm të KS të OKB-së është anëtar i BE-së. Këtë muaj, Gjermania nis anëtarësinë e vet dyvjeçare në KS si rezultati i një vendimi të OKB-së që i jep Gjermanisë të drejtën të jetë anëtar i përkohshëm i KS çdo tetë vjet, për shkak të fuqisë të saj ekonomike dhe influencës gjeopolitike.
Historia ndikon të tashmen dhe modelon të ardhmen
Në vitin 1951, Konrad Adenauer, Kancelari dhe ministër i Jashtëm i Gjermanisë Perëndimore, bëri një vizitë të vështirë, por historike në Paris, ku nënshkroi traktatin themelues të Qymyrit Europian dhe të Komunitetit të Çelikut (European Coal and Steel Community – ECSC), një organizatë e gjashtë vendeve europiane, që kishte autoritet të rregullonte prodhimin e tyre industrial dhe që qe pararendësja e Bashkimit Europian. Dymbëdhjetë vjet më vonë, z. Adenauer u rikthye në Paris për të nënshkruar Traktatin frankogjerman të Elizesë, i cili rehabilitoi zyrtarisht vendin e vet dhe i dha fund një armiqësie që kishte shpërthyer në katër luftëra të mëdha gjatë 150 vjetëve të fundit. Presidenti de Gaulle e puthi në të dy faqet.
Sot, problemet janë krejt të ndryshme. Franca dhe Gjermania përfaqësojnë rrahjet e çrregullta të zemrës të një aleance evropiane, që ka siguruar paqe dhe një mirëqenie relative për më shumë se 70 vjet.
Armiku i përbashkët është një oponent i mjegullt: një çrregullim-kalbëzim-pasiguri politike që ngadalë dhe në mënyrë të shëmtuar kërkon të mënjanojë themelet mbi të cilat mbështesin sigurinë dhe begatinë e tyre të dy vendet.
Parisi dhe më pak Berlini po përballen me paqëndrueshmëri dhe protesta të dhunshme të ekstremit të majtë dhe të djathtë, që nxiten nga politikanë me përgjigje të thjeshta për pyetje të komplikuara.
BE po humbet Britaninë, pushtetin e saj të madh ushtarak dhe financiar dhe 27 anëtarët e tjerë po brehen nga nacionalizmi primitiv dhe idealet liberale për një unitet më të madh. Paaftësia e tyre të bashkohen rreth një politike të jashtme koherente rrezikon të kthejë BE-në pak më shumë se një vëzhgues si Rusia, Kina, apo India.
Gjatë dekadave që ndoqën vizitën e Adenauerit në Paris, përgjigjja instinktive e Francës ndaj sëmundjes apo lodhjes europiane ka qenë të thellojë lidhjet e veta me Gjermaninë dhe këtë herë Kancelarja Merkel dhe Presidenti Makron janë të lidhur nga besimi se ilaçi më i mirë për sëmundjen e BE-së është harmonia frankogjermane.
EPILOG
Gadishulli ynë, në zhvillimin e vet historik, është përgjakur pambarimisht nga rivalitetet etnike, hipernacionalizmi dhe luftëra mizore, por Amerika, NATO dhe BE e ndihmuan të dalë nga lufta në paqe, nga desintegrimi në zhvillim të qëndrueshëm dhe i ofruan një të ardhme euroatlantike.
Ne mund të përparojmë në rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik vetëm me mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s, BE-së, SHBA-së dhe politikanëve patriotë, që vështrojnë nga e ardhmja dhe përpiqen për përparimin e vendit dhe mirëqenien e popullit. Unë kam njohur një të tillë, z. Ditmir Bushati, ministrin tonë të Jashtëm.
Z. Bushati me përkushtim mbron interesat e Shqipërisë dhe të kombit tonë në marrëdhëniet ndërkombëtare me synim integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE. Është përpjekur pareshtur për forcimin e sigurisë në rajon, duke ndërtuar marrëdhënie bashkëpunimi e mirëkuptimi me vendet fqinjë dhe aleate. Negociator i shkëlqyer, kërkues i ndryshimeve të politikave të vjetra dhe ithtar i forcimit të marrëdhënieve transatlantike, sidomos, të forcimit, adaptimit dhe modernizimit të NATO-s, forcimit të marrëdhënieve të NATO-s me BE-në, zgjerimit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe integrimit euroatlantik të gjithë rajonit, të cilat i dëshmoi në përpjekjet e Aleancës për përgatitjen e Samitit të Uellsit, më 2014-n; Samitit të Varshavës, më 2016 dhe dy samiteve të Brukselit, më 2017-n dhe 2018-n.
Me kompetencë, inteligjencë, integritet, formim kulturor dhe energji punoi për të realizuar marrëveshje strategjike me rëndësi të madhe për të ardhmen e Shqipërisë, për të forcuar më tej marrëdhëniet miqësore dhe autoritetin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Krijoi besueshmëri dhe mirëkuptim me personalitete transatlantike, si: John Kerry dhe Victoria Nulland, Frank-Walter Steinmeier, Laurent Fabius, Paolo Gentiloni, Nikos Kotzias, Mevlüt Çavuþoðlu, Bert Koenders, etj., të cilët e mbështetën dhe e mbështesin në këtë veprimtari./panorama/