Anisa Bardhi vjen nga Londra e jep anglishten profesionale në Institutin Kulinar Neranxi
Ju lutem një prezantim të shkurtër te vetes?
Unë quhem Anisa Bardhi, jam 25 vjeç dhe jam aktualisht mësuese e Anglishtes Profesionale ne Institutin e Kulinarisë Neranxi, menaxhere e kafes “Nomad” në rrugën e Elbasanit dhe gjithashtu menaxhere projekti në rikonstruktimin e Hotel Iliria në Tiranë.
Studimet ku i keni kryer dhe për çfarë?
Studimet i kam kryer pjesërisht në Marbella të Spanjës, pranë Institutit “Les Roches Global Hospitality Education” dhe në Londër, Angli pranë “Glion Institute of Higher Education” në degën e Menaxhim Hoteleri. Në këtë diplomë përfshihen sektori i shërbimit, kuzhinës dhe menaxhimi i bizneseve të turizmit.
Përse zgjodhët të ktheheni në Shqipëri?
Pas dhjetë vitesh së jetuari jashtë Shqipërisë, pas mbarimit të shkollës dhe marrjes së 5 vitesh pune në sektorin e Hotelerisë, ndjeva se kishte ardhur koha t’i ktheja prindërve të mi investimin që kishin bërë, sigurisht duke vazhduar përkujdesjen për biznesin familjar. Gjithashtu, e kam patur gjithmonë në planet e mia kthimin në atdhe.
Sa kohë keni që jepni mësim në Institutin Kulinar Neranxi?
Kam filluar të jap Anglishten Profesionale vitit të parë të kursit të Kuzhinës së Përgjithshme, në Shtator të vitit 2018. Si fillim hartova një program mësimor, në bazë të tre metodave kryesore të mësimit të një gjuhe të huaj, leximi, përkthimi dhe komunikimi. Secila klasë ka një temë të veçantë ku praktikohen këto tre metoda në materiale të cilat lidhen drejtpërdrejt me profesionin e ardhshme të nxënësve. Leximi, praktikohet duke lexuar historinë e kulinarisë. Përkthimi praktikohet duke përkthyer në anglisht, receta e marra në shqip dhe së fundmi, komunikimi praktikohet me modele intervistash në klasë.
Impresioni juaj për nxënësit?
Jam shumë e kënaqur me reagimin e nxënësve ndaj prezantimit të lëndës dhe interesi i tyre gjatë klasës më bën të ndihem shumë e vlerësuar.
Po bashkëpunimi me docentët e tjerë?
Docentët më kanë lënë pafjalë me mikpritjen dhe mbështetjen e tyre. Jam shumë mirënjohëse që bashkëpunoj me një ekip kaq të kualifikuar dhe të mirëkuptueshëm.
Pas kësaj eksperience këtu, si mendoni, pas diplomimit do dalin të përgatitur këta të rinj e të reja në kushtet e tregut?
Pjesë shumë e rëndësishme e zhvillimit te klasave është dhe informacioni që jo vetëm unë, po të gjithë docentët i kalojmë studentëve, gjithashtu Instituti dhe Kompania Neranxi, mbi mundësitë që ka tregu shqiptar për profesionin e tyre. Mendoj se me njohuritë që nxënësit marrin tek Instituti Kulinar Neranxi, ata dalin mëse të përgatitur për të filluar një karrierë të suksesshme në profesionin e tyre.
Projektet që ju keni për të ardhmen?
Me mbarimin e rikonstruktimit të Hotelit familjar do të hapim së shpejti dhe një restorant të ri që do quhet “Serafina” dhe sigurisht lëndët e para do t’i marrim nga “Organic Market Neranxi” për cilësinë dhe larmishmërinë e produkteve bio që ofron. Restoranti do ketë një meny familjare dhe me çmime shumë të përballueshme për tregun shqiptar. Normal që dyert e kuzhinës do të jenë të hapura për nxënësit e Institutit Kulinar Neranxi.