Ndue Ukaj: BILETA
I kalkulojmë ndjenjat, mërzinë dhe gëzimin;
Dashurinë minus mungesën e saj.
Dhe e shohim sesi matematika na shpie në rezultate të gabuara.
Të hutuar nëpër stacione ardhjesh e pritjesh gabojmë rrugën.
E presim trenin që shpie ka gëzimi, por ai na çon në dyert e trishtimit.
Të hutuar kthemi prapa dhe e shohim se kemi humbë shumë.
Një termin pune, një kafe me atë personin e dashur që e prisnim gjatë;
apo pjesën e fundit të një romani që e lamë pa papërfunduar.
E mbyllim ditën dhe biletat i hedhim në mbeturina,
Por nesër sërish na duhet një biletë e re.
Një rrugë për të parë piktura madhështore në Luvër;
Një shëtitje në katakombet e Romës;
Apo një përqafim në mbrëmje te deti i kujtimeve të mira.
Kur mbaron java, pushojmë dy ditë.
Dhe të dielën në mbrëmje i bëjmë llogaritë, si fëmija detyrat e shtëpisë:
Parat janë harxhuar, muaji ka edhe ca ditë.
Duhet të blejmë biletën mujore për më shumë dashuri;
apo për dhimbje më të gjatë.
Në fund të muajit kalkulatori i ndjenjave bie përtokë
Dhe përnjëherë çohemi peshë.
Muaji që vjen është më i mirë- vjen pranvera dhe ditët janë të gjata,
Ose bie pikëllimi dimëror- dhe netët janë më të gjata.
Biletat i blejmë me çmimet që i përcakton tregu.
Të hutuar shtegtojmë në stacionin e pritjesh-
Presim ditën e re dhe të mbyllim portat e gabuara.
Shkojmë në teatër dhe e marrim biletën për dëfrim,
Por Tartufi na tregon se shpirti koprrac i botës jeton në çdo kohë.
Pastaj gudulisim vetveten dhe s’i hapim bebëzat t’shohim
të vërtetën në sy, sepse hipokrizia është e modës.
Një ditë tjetër- Hamleti ngjitet në skenë dhe me shikimin e mbrehtë,
I llastuar pëlcet nga pezmi. Ai sheh shumë fantazma që grisin rrobat e lirisë.
Por ne mbyllim sytë, sepse hipokrizia është e modës.
Njëmend: gjithmonë varet prej nesh çfarë bilete blejmë.
Dhe ku e ngulim flamurin e mërzisë dhe ku atë të gëzimit.
(Botuar te Jeta e Re, Nr, 3, 2018 ©)