Albspirit

Media/News/Publishing

Në rrugë, pastaj në burg?! Lexoni çfarë ka bërë qeveria Rama për një nga gjykatësit kryesorë të 21 janarit (dhe gruan e tij)

Sot në përvjetorin e tetë të vrasjeve të 21 janarit, kryeministri Edi Rama, tha në parlament se gjykatësit e 21 Janarit sot janë në rrugë, nesër do jenë në burg.

A është vërtet kështu?

Fjalët i merr era edhe kur janë të bukura, por faktet flasin ndryshe.

Këto fakte sugjerojnë që jo vetëm që nuk është kështu si thotë kryeministri (dhe kjo nuk është hera e parë për të) por ai vetë është përfshirë për të kundërtën.

Fjala është për gjykatësin Aleksandër Muskaj, një nga gjyqtarët kryesorë në kalvarin e 21 janarit në sistemin e drejtësisë.

Z.Muskaj është një nga 5 gjykatësit e Gjykatës së Lartë që e fundosi në mënyrë definitive drejtësinë për ekzekutimet publike të 8 viteve më parë.

Ai ishte në trupin gjykues që mori vendimin përfundimtar për rrëzimin e kërkesës për dënimin e komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe gardistit Agim Llupo.

Ky vendim është cilësuar si vendimi që mbylli në mënyrë fatale rrugën që ndoqi dosja nga Shkalla e Parë e deri në Apel dhe shpresën për rigjykim të vrasjeve qeveritare. (për më shumë, mund të lexoni duke klikuar KËTU)

Po çfarë ka ndodhur më pas me zotin Muskaj?

A është ai në rrugë, dhe nesër do jetë në burg – sic thotë Kryeministri?

Nuk duket kështu.

Megjithëse duket serioz dhe solemn në raste të tilla, kryeministri tjetër thotë dhe tjetër bën, për arsye që ai duhet tia shpjegojë dikur votuesit të majtë.

Në prill 2017, z.Muskaj ishte një nga tre kandidatët e Shqipërisë për Gjykatën Europiane të Drejtave të Njeriut.

Propozuar nga kush? Nga qeveria, sigurisht.

Nga qeveria e z.Rama, i cili gjykatësin që fundosi 21 janarin e ka konsideruar si një nga 3 juristët më të mirë të vendit dhe e ka përzgjedhur si të përshtatshëm për të përfaqësuar Shqipërinë në…  Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Dhe sikur mos ishte për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, kandidatura e z.Muska e propozuar nga qeveria e Shqipërisë do ishte shndërruar tashmë në përfaqësim.

Një përfaqësim i turpshëm i firmosur nga ish-kryeopozitari që erdhi në pushtet me premtimin për ndëshkimin e 21 janarit dhe vazhdon edhe sot pas 8 vitesh kryeministër të përsërisë të njëjtat përralla, duke gjetur vit pas viti nga një alibi të re, ndërkohë që dihet botërisht që pavarësisht sistemit të kalbur të drejtësisë, nuk ekziston qoftë edhe formalisht një padi zyrtare e bërë nga qeveria e pas 2013-s për Sali Berishën.

Që të rikthehemi, në temë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, rrëzoi tre kandidaturat e qeverisë shqiptare për Gjykatën me arsyetimin e drejtë se “nuk përmbushin kualifikimet e nevojshme për t’u zgjedhur gjyqtarë”.

Të tre kandidatët u intervistuan më 6-7 prill nga 22 deputetë të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës dhe u refuzuan. (për më shumë, mund të lexoni duke klikuar KËTU)

Por nuk mbaron me kaq.

Jo vetëm zotin Muska, por edhe bashkëshorten e tij, qeveria e z.Rama është kujdesur t’ia përmirësojë jetesën dhe kualifikimet, ndërkohë që çdo vit merr përdore fëmijët e viktimave të 21 janarit dhe vendos lule në pllakëzën e bronztë simbolike që mezi duket në bulevardin e Tiranës.

Emri i zonjës Muska është në krye të listës së përfituesve nga një i ashtuquajtur “ Fond i Ekselencës” që shpërndahet nga viti 2013 deri në vitin 2018.

Zonja Muska, ish-inspektore në ILDKP, falë firmës bujare të qeverisë Rama me vendim të posaçëm të Ministrisë së Arsimit sot jeton në Londër, ku ka deklaruar se vijon studimet. Në mënyrë ekselente sigurisht. (për më shumë, mund të lexoni duke klikuar KËTU)

Në këtë listë (që ishte edhe një nga shkaqet e zemërimit të studentëve protestues) janë jo vetëm njerëz të tillë pa lidhje me ta, por edhe shumë zyrtarë, madje edhe njerëz të “opozitës”, të cilët sot në përvjetorin e tetë të 21 janarit, zoti Rama gjithashtu i shënjestroi ashpër duke “u përkthyer” edhe atyre mesazhet e 21 janarit dhe protestës së studentëve.

Nuk është rasti i parë, që njerëz të përfshirë në abuzime të tilla me pushtetin në politikë, administratë apo drejtësi gradohen, promovohen, ose merren në mbrojtje nga një qeveri që është votuar pikërisht për të kundërtën.

Rastet Visho Ajazi, apo Ridvan Bode, dhe emërime të tjera, së fundmi në policinë e shtetit janë dëshmi e qartë se pandëshkueshmëria 30 vjeçare vazhdon në mënyrën më cinike, më sfiduese dhe më tallëse për një shoqëri, e cila përditë e më shumë po braktiset nga mungesa e besimit dhe e shpresës.

Redaksionale Dita

Please follow and like us: