Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea GUDHA: Faleminderit KADARE!

“Darka e gabuar” është zbulimi më i ri i Kadaresë sonë që, pas shumë e shumë veprave, ka në qendër dikunë, nga ai u nis në këtë jetë: Gjirokastra që, me sa duket e mbart me vete kudo qëshkon. Çdo libër mbaron me një pyetje, por “Darka e gabuar” shfaqet fillim e mbarim si një pyetje e madhe. Me këtë vepër Kadare tregon edhe një herë se letërsia është jeta e vërtetë e një shkrimtari të vërtetë. Shkrimtarët e mëdhenj i mjaftojnë vetvetes.

Në këtë libër autori sjell gërshetimin mjeshtëror të historisë me realitetin, rrëfen me një modernitet të admirueshëm, me gjuhë të figurshme e stil të pangarkuar. sekretet e botës gjirokastrite e të asaj shqiptare e marrëzitë e kohës, Kadare i rrëfen magjishëm në librin e tij. Libri të lë pa frymë nga faqja e pare tek e fundit me ngjarjet e personazhet, që përcjell. Ngjarjet e librit, faqe pas faqe, me Dr. Gurameton e madh (Dr.Vasili i madh 1) dhe Dr. Gurameton e vogël (Dr. Vasili i vogël 2) sjellin imazhin e tyre të vërtetë dhe krijmin, që i ka bërë me aq mjeshtëri, një gjeni i letrave si Kadare.

Kam pasur shansin e fatin, në vitet që kam punuar si mjek pediatër në Gjirokastër të jetoj, t’i njoh, të punoj e të mësoj mes dy doktorëve të mëdhenj: me Dr. Vasilin e madh (kur i shkoja doktorit në shtëpi kur ishte i sëmurë, e shikoja gramafonin e doktorit pranë krevatit të tij, si dhe kam shijuar disqet me muzikë të Shtrausit, të Shuberit…), njëherazi dhe me Dr. Vasilin e vogël, epitete që gjirokastritët iu ngjizën bukur e që shkonin tepër me shtatin e qytetit. Bota, nga të cilët ata vinin ishte e ndryshme, e largët për banorët e qytetit. Të dy doktorët ishin shkolluar e diplomuar në perëndim, por përthithën dhe sollën në qytet kulturën perëndimore me gjithë rrezatimin e tyre. Mjedisi e koha në këtë qytet i pranuan me bujari.

Përqasja, që duan të bëjnë nga personazhet reale tek ato letrare, më duket naive dhe e pavend, sidomos kur vjen nga gjirokastritët (kur u botua libri, Kadare ishte ndër kandidatët kryesorë pë rçmimin ‘Nobel’, por, fatkeqësisht, nga disa gjirokastritë në masmediat lokale e qëndrore pati keqkuptim dhe keqinterpretim rreth personazheve të përshkruar në roman. Shënim i autorit).

Të gjithë, mendoj, se me këtë vepër, duhet ta urojmë e t’i themi faleminderit Kadaresë për mozaikun historik të ngjarjeve e personazheve, që përbëjnë Kështjellën Gjirokastër. Ky libër është një pasqyrë e jetës së këtij qyteti, i cili në të gjitha kohët ka shtruar shumë pyetje.

Libri ka potencë figurative e detaje madhështore, (portretet e doktorëve e njerëzve të tjerë, siç është portreti i skalitur i Vehip Qorrit)… Naracioni dhe zhvillimi i karaktereve protagonistë të romanit, duke patur në epiqendër figurën marramendëse të doktorit të madh, është një vepër detajesh madhështore me kompozim të rrallë.

“Darka e gabuar”, që fillon e nuk mbaron nga dramaciteti i ngjarjeve, jam i bindur që, jo në Shqipëri, por edhe në Europë, një, si ky, nuk është shkruar dot dhe, as nuk mund të shkruhet, siç e ka trajtuar Kadare, si kujtesë magjike: kujtesë e rebelim. Fatmirësisht, ndër pasuritë e vyera, ne shqiptarët kemi Kadarenë, i cili na zbulon në sytë tona e të botës vlerat më të mira kulturore e letrare e për këtë ne bashkëkohësit kemi pse të mos krenohemi me të. Pas këtij roman i uroj që ai të sjellë të tjera libra edhe, po ndodhi ndryshe, finishi i tij me librin nga qyteti i lindjes është një margaritar tjetër në kurorën e Nobelit të pa mbërritur, por që uroj shumë që të mbërrijë…

Për këtë i themi: Faleminderit KADARE!

_______________________________________________________________

  1. Vasil Laboviti (1902 -1980). Filloi mësimet në Gjirokastër e i vazhdoi në Stamboll. Gjimnazin e vazhdoi në Korfuz dhe studimet e larta mjekësore i mbaroi në universitetin e Grazit në Austri. Pas studimeve, u kthye në Atdhe, ku punoi si kirurg në spitalin Zogu I në Tiranë (1930), së bashku me mjekët kryesorë: Dr. Osman Jonuzi, Dr. Syrja Pojani, Dr. Ruzhdi Bobrati, Dr. Sabri Tefiku, Janko Theodhosi, Dr. Ismail Tartari, Kristo Kristidhi, Besim Zyma. Në vitin 1936 Dr. Vasil Laboviti transferohet në Gjirokastër si Drejtor i Spitalit të Shtetit. Në Gjirokastër hap shërbimin e Kirurgjisë me vlera mjekësore për tërë Jugun e Shqipërisë. Në këtë qytet Dr. Vasil Laboviti e mbylli aktivitetin e tij mjekësor me emblemën “doktori i 40 mijë operacioneve”.
  2. Vasil Jorgji (1916-1978). U lind në Vanistër të Dropullit-Gjirokastër. Shkollën e mesme e mbaroi në Korfuz. Studimet në Mjekësi (4 vite) i ndoqi në Universitetin “Kapodistria” Athinë dhe vitin e pestë e përfundoi në Bolonja të Italisë, ku kreu dhe 3 vite specializim post universitar në Pediatri. Në vitin 1946 transferohet në Gjirokastër, ku vihet në krye të shërbimit shëndetësor pediatrik në nivel Qarku.

16.12.2008.

Image result for andrea gudha

Please follow and like us: