Albspirit

Media/News/Publishing

Ermal Mulosmani: Mbi bamirësinë në viset shqiptare

 

 

 

Dostojevski përshkruan në një nga romanet e veta se si duhet të jetë bamirësia. Sipas tij, bamirësia nuk duhet të bëhet publike. Ai merr shembullin më të parëndësishëm dhe tè rèndomtë, lëmoshën…

Edhe lëmosha që i lëshohet lypësit në një mëngjes janari, në rrugë, duhet të bëhet me kujdesin maksimal që të mos ketë publik. Pra, gjithmonë sipas Dostojevskit, duhet të ketë kujdes që lëmoshën të mos e shohë as lypësi! Duhej gjetur rasti, kur lypësi kthen kokën dhe “fap” dhuruesi i lëshon bakshishin e majmë dhe bën sikur nxiton për punë. Njëfarë vjedhjeje vëmendjeje. Pèrndryshe, lëmosha bëhet për të blerë mirënjohjen e lypësit dhe vlerësimin e kalimtarëve. Askush nuk duhet ta shohë veprimin! Kjo ilustron idenë e tij që bamirësia dhe publiciteti nuk shkojnë bashkë…

Kjo është një predikim moral i papranueshëm. Sigurisht mendoj krejt ndryshe nga Dosto. Kjo shkon në drejtim të kundërt me natyrën njerëzore. Të gjithëve u miklohet sedra kur veprimi i tyre bamirës gjen përkrahjen publike. Dhe, duke shfrytëzuar këtë miklim sedre, ne e nxisim t’i shtojë veprimet e bamirësisë. Publiciteti, përfshirë edhe atë televiziv, ia shton dèshirën dhe mundësitë. Dhe çka është e rëndësishme edhe përfituesit. Nuk e kam kuptuar kurrë se çfarë humb shoqëria nga ky veprim, po e quaj tregtar, përveç se fitojnë fukarenjtë. Mundet që bamirësi të bëhet deputet. E pastaj? Sa deputetë kanë ardhur duke paguar partitë, le të vijë edhe një duke paguar popullin.

I shkruajta këto fjalë se në Kosovë i janë vërsulur një hoxhe që reklamohet në televizion dhe bën bamirësi. E kritikojnë figura shumë publike.

Zoti ia shtoftë vullnetin këtij hoxhe!

Please follow and like us: