Mentor Kikia: Pa ndryshuar sistemi zgjedhor, nuk duhet të votojmë më
Mënyra se si qytetarët zgjedhin udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre, është përcaktuese edhe për shkallën e demokracisë në një vend. Ne aktualisht kemi formën më të keqe. Ne ankohemi sot sepse kemi një parlament të mbushur me sipërmarrës tutkunë, njerëz të inkriminuar, të pasur e të korruptuar, dhe fare pak politikanë. Ankohemi se paratë e krimit dhe korrupsionit hidhen në fushatë për të blerë vota. Vetëkritikë të pashoq, ne themi që i meritojmë sepse vetë i kemi zgjedhur. Jo nuk i kemi zgjedhur ne! Ne kemi votuar partinë dhe partia(kryetari më saktë) ka emëruar këta njerëz si përfaqësuesit tanë. Kjo formë të zgjedhuri reflekton edhe fon e qeverisjes. Duke qenë produkte të listave të kryetarëve dhe jo të votës, ata janë të destinuar të jenë kokulur, servilë, të bindur, të ngrenë vetëm dorën, të mos kundërshtojnë dot kurrë kryetarin(kryeministrin). Dhe kështu shkohet autoritarizëm, pushtet absolut dhe diktaturë. Reforma zgjedhore që ofron sot PS është vetëm një bojatisje sipërfaqësore, ajo nuk prek fare sistemin. PD pretendon të tjera ndryshime, por nuk shkon në komision ti prezantojë. Sepse të dyja palët janë arkitekte të saj, sepse të dyjave u intereson ky Ligj Zgjedhor që është. Nuk ka shumë rëndësi si votojmë, me elektronike, me gisht a me dorë, rëndësi ka për kë votojmë. Nëse ka një gjë që duhet t’i motivojë shqiptarët të reagojnë sot është pikërisht ligji zgjedhor. Me këtë sistem shqiptarët nuk duhet të shkojnë më në votime. Unë mendoj se nëse ka elitë kjo shoqëri, ajo duhet të investohet publikisht në këtë kauzë themelore për demokracinë.